DITA E ÇLIRIMIT

Aktiviteti i shkollës “Et’hem Zhgaba”, Devoll që bëri bashkë personalitete të suksesshëm

Shkolla “Et’hem Zhgaba”, Devoll, dëshmoi se edhe shkollat e vogla mund të bëjnë vepra mbreslënëse. Kur ka drejtues të talentuar dhe mësues të përkushtuar, jeta kulturore dhe artistike merr vlera të mëdha.

Pasioni, puna dhe dëshira gjithnjë sjellin sukses kur bëhen bashkë. Nuk ka rëndësi nëse është ditë pushimi apo mësimi, është ditë e diel. Marrim shkas nga aktiviteti mbresëlënës në shkollën 9-vjeçare “Et’hem Zhgaba” Vranisht në rrethin e Devollit, ku drejtuesi i shkollës z. Endri Fifo me një talent për t’u admiruar në punë finalizon aktivitetin e bukur me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të atdheut me stafin mësimor dhe nxënësit mjaft të mrekullueshëm të kësaj shkolle. 


Aty gjejmë një terren mjaft të ngrohtë, miqësor dhe tepër edukativ. Mjafton dëshira e mirë në damarin frymëzues të një drejtuesi me shpirt artisti dhe dalin vepra të mëdha. Një shkollë periferike e qytetit të Bilishtit, bëri që me punën e vet të sjellë pranë ambienteve të shkollës komunitetin arsimdashës të Vranishtit, por edhe pushtetarë, gazetarë, intelektualë, ish mësues dhe bizesmenë të krahinës. 


Si fillim pa nisur koncerti, do të mbilleshin pemë në oborrin e shkollës të dhuruara nga biznesmenët Agron Zerani, ish nxënës dhe Besnik Mançelli, një veprim për t’u admiruar. Është mjaft pozitive kur bisnesi çel një dritare sado të vogël për arsimin. 

Më pas vizitojmë ambientet e shkollës nga brenda dhe konkretisht muzeun e saj në vite, si dhe ekspozitën e nxënësve kushtuar luftës për çlirimin e atdheut. Portretet vizatuar nga dora e nxënësve flisnin shumë. Mbeten artistë të vegjël. Muzeu në vite me ish drejtues, mësues dhe trofe na bëri të ndihemi të emocionuar. Një traditë që jo të gjitha shkollat e kanë. Një punë e udhëhequr me mjaft kujdes. 


Koncerti mori një tjetër vlerë me veshjet e kostumeve popullore krahinore. Këto tashmë që i përkasin shkollës. Një pasuri e shtuar. Vallet me motive të ndryshme, recitimet plot emocion i dhanë ngjyrime të forta aktivitetit. Emocionues ishte momenti, kur bizesmeni Agron Zerani, ish nxënës i kësaj shkolle përqafon dhe i dhuron mirënjohjen më të thellë mësuese së tij të klasës së parë, tani e prej shumë vitesh në pension znj.Kadime Spaho e shoqëruar në sfond me muzikën e këngës “Nuk harrohet mësuesi i parë”

Mësuesja që u rinua dhe njëherë dhe që përshëndeti shumë e mallëngjyer. Duartrokitjet ishin të zjarrta. Gjithashtu drejtuesi i shkollës z.Endri Fifo merr si dhuratë bluzën kombëtare nga gazetari i mirënjohur sportiv Dëfrim Metasani. Mos harrojmë se z. Fifo është dhe këngëtar dhe qershia mbi tortë ishte kur ai i përshëndeti të gjithë me një këngë. Në aktivitet u ndanë dhe certifikata mirënjohjeje. Dhe padyshim nga kjo shkollë morëm emocionet më të mira. 


Shembullin se si një shkollë e vogël bën vepra të mëdha dhe mbresëlënëse. Duke thithur pranë saj në këto aktivitete njerëz të fushave të ndryshme, intelektualë, politikanë, media, dashamirës të arsimit. Për të dhënë shembullin e bukur dhe pozitiv se në shkollë edukohen breza dhe ajo mbetet djepi i kulturës. Një fshat me një shkollë merr të tjera vlera kur drejtues me talent dhe mësues të përkushtuar i japin me shpirt e pasion jetës kulturore dhe artistike zonës. 


Respekt për punën e palodhur dhe tepër frytdhënëse. Të tilla aktivitete japin frymëzim dhe kurajo se me punë dalin vepra të mëdha. 


(Besnik Bedollari; Portali Shkollor)

3,365 Lexime
4 vjet më parë