Falënderim ndaj mësuesve

Anila Kruti: Faleminderit mësueseve dhe stafit të shkollës “Lasgush Poradeci” për mbështetjen ndaj djalit tim me aftësi ndryshe

Në fund të ditës, ajo çka na mbet të gjithëve ne, është ana njerëzore. Letra e mëposhtme i dedikohet pikërisht mirënjohjes për gjithë humanizmin dhe kujdesin që kanë treguar mësuesit dhe stafi i shkollës “Lasgush Poradeci” në Tiranë, për djalin e Anila Krutit, zonjës së “Engjëllit Blu”.

“Mësuesi është enciklopedi më vete”,- thoshte gjyshi im. Por vitet e fundit jemi mësuar që figurën e mësuesit ta shohim në pozicione të vështira, pa kuptuar realisht punën e vështirë që bëjnë mësuesit.

 

“Mësimdhënia është art”- thonë mendjet e mençura dhe jam dakord, por mësuesi duhet të përçojë edhe dritën e mirësisë dhe humanizmit tek nxënësit. Pra, një mësues duhet të jetë përçuesi i dijes, një komunikues i mirë, një psikolog i mirë, gjithëpërfshirës e mbi të gjitha njeri i mirë. 


Unë jam nëna e një djali me aftësi ndryshe. Autore e disa librave dhe shkrimeve me natyrë psikologjie. Autore e gazetare e një emisioni ku kam promovuar dhe mbështetur edhe fëmije më aftësi ndryshe të talentuar, në Radio Televizionin Shqiptar. Së fundmi kam botuar librin për fëmijë “Engjëlli blu”, botimet Albas (jua sugjeroj ta lexoni) me personazh një fëmijë autiki cili bullizohet në lagjen tij. Zakonisht këto ndodhin nëpër shkolla. 


Po, ja që im bir pati fat të shkollohej dhe të mbështetej nga një staf i gjithë pedagogjik  që nga mësuesja e klasës së parë Bukurie Dervishi deri në klasën e IX, Marjeta Tocili, drejtoreshën Anita Korbi, psikologet, mësueset ndihmëse e deri te pastruesja e shkollës “Lasgush Poradeci” ,Tiranë të cilat kujdeseshin që im bir të ndihej mirë në klasën e tij dhe në shkollë.



Mbaj mend, kur e kam çuar ditën e parë në klasën e parë, kam qenë shumë e shqetësuar. Me shumë pikëpyetje. Si do ecte? A do kishte mbështetje nga kolektivi i klasës? A do e donin shokët? E shumë e shumë të tjera. Po ja që mësuese Bukuria ishte plot profesionalizëm, plot mirësi e buzëqeshje. Ishte e gatshme të na mbështeste dhe bëri që jo vetëm të ndihej i gjithpërfshirë mes nxënësve, por edhe të kishte rezultate shumë të mira.


Sa fisnike! Sa profesionale! Dhe jo vetëm zysha jonë e dashur, por të gjitha…deri në klasën e nëntë. E gjithë shkolla! Jam e bindur se kush ka fëmijë me aftësi ndryshe në atë shkollë mbështetet në çdo aspekt, sepse mbi të gjitha ty ka profesionalizëm dhe përkushtim.

Aktualisht ai shkon në vitin e parë ne gjimnazin “Myslym Keta” dhe besoj që është ende herët për të konstatuar si i trajtojnë nxënësit me aftësi ndryshe aty.


Më kujtohet një shprehje e M.Zeqos, “Të gjitha ideologjitë kanë rënë, për pasojë mbeti vetëm humanizmi”.


Humanizmi…është fryma që na bën njerëzor... !


Faleminderit stafi i shkollës “Lasgush Poradeci” që e mbështetët djalin tim dhe të gjithë fëmijët me aftësi ndryshe.



Nga Anila Kruti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

615 Lexime
1 muaj më parë