Ese

Asgjë në jetë nuk është absolute...

Mësuesi i mirë është frymëzim, por ndodh shpesh që brezi ynë të gabojë në zgjedhje të modelit dhe të priret drejt pedagogëve apo mësueseve që nuk i japin rëndësi shpjegimit.

"Asgjë në jetë nuk është absolute", për mua kjo shprehje vlen edhe për mësuesit. Jo gjithmonë një njeri i mirë mund të jetë një mësues i mirë. Jepini atij një regjistër në dorë dhe shikojeni se çfarë është i aftë të bëj. 

 

Ndonëse jo gjithçka varet nga nota, dhe ajo s'mund të jetë kurrsesi matëse e dijeve tona, për ditët sot, familjet tona dhe fatkeqësisht për të ardhmen tonë merr një rëndësi relativisht të madhe. Për disa familje është i vështirë deshifrimi dhe analizimi i kësaj situate. Notat pa dashje na kthejnë në trofe dhe medalje. Duke dalë pak nga tema dëshiroj të theksoj se nuk ekziston asnjë njësi matëse për shpirtin. Pjesa më e madhe e familjarëve nuk i njohin fëmijët e tyre. Rastësisht kam dëgjuar një shprehje të tillë: "Pyetini familjarët për gjenitë që kanë në shtëpi, ata nuk dinë asgjë për ta". Kjo gjë sjell pasojën e asaj që përmenda me lartë. Mosnjohja na kthen në trofe, dëshira për të qenë absolut në gjithçka, ndërkohë që prirja është diku tjetër. 

 

Me anë të një psikoanalize të thjeshtë kuptojmë se çfarë është në thelb është një mësues i mirë. Jeta nuk varet nga dy plus dy e barabartë me katër apo Ligjet e Njutonit. Kur të kem zhgënjimin e parë e të qaj aq sa shpirti mos të mbajë më, nuk do më nevojitet formula e shpejtësisë ku v është e barabartë me l ndaj t sepse nuk do më duhet të masë raportin e shpejtësisë me të cilin e ndjej dhimbjen. Dhimbja nuk ka formulë. Pra ky mësues që unë po e analizoj thellësisht duhet të më mësojë për jetën, duhet të më mësojë se duhet të qaj që të lehtësohem por jo sa të bëhet më e fortë se unë dhe të humb kontrollin, të më mësojë se është mirë të bëhesh pjesë e Ferrit të Dantes, se jeta nuk varet nga njerëzit por nga momentet, se limiti i f-së së x ( ku në këtë rast x është vetë jeta) nuk mbaron me zero, një apo dy por me plus infinit momentesh. 

 

Mësuesi i mirë është frymëzim por ndodh shpesh që brezi ynë të gabojë në zgjedhje të modelit dhe të priret drejtë pedagogëve apo mësueseve që nuk i japin rëndësi shpjegimit. Personalisht duke gjykuar dhe duke parë nga jashtë por ende jo nga përvoja personale, kuptoj se ky model është absurd dhe i dëmshëm. Kam hasur njerëz (mësues) të rreptë, të sertë si në sjellje dhe në notë. Ata janë te vrazhdë dhe shpërfillës. Ata kërkojnë respekt. Duke folur konkretisht, ata kërkojnë që ne të ngrihemi në këmbë, pra "respekt" të detyruar, por i dashuri im mësues, respekti nuk tregohet as nga ngritja në këmbë e as nga ndonjë ritual tjetër që ju e quani të shenjtë. Po po, të shenjtë si ritual kishe të ditës së diele. Me këto pika ata deri diku humbasin rolin e një mësuesi. E gjithë kjo vjen nga e shkuara dhe këtu njihemi me idenë frojdike: "Do të sillem me ata njësoj si të tjerët janë sjellë me mua". Gabim i rëndë njerëzor. Model i gabuar. Ky model nxit tek ne një mospërfillje të dukshme. Ju nuk kërkoni dashuri dhe respekt nga ne. Me rregullat absurde duket sikur na shpallni hapur luftë. Mendohuni mirë, kujdes kur krijoni modelin tuaj kujdes kë merrni për model. 

 

Për këtë model s'kam çfarë shtoj më, duket qartë që bie poshtë dhe nuk është i duhuri. Modelet janë të ndryshme dhe unë si nxënëse kam luksin të përballem me shumë të tillë dhe përsëri ngre pyetjen: "Çfarë e bën një mësues të mirë?". 

Pasioni të dashur lexues. Të duash atë që bën është ajo që të çon drejtë suksesit. Bëj që dëshira për profesionin tënd të jetë pushtimi yt më i bukur. Mos u kthe në model standard si kukulla në seri, mos i nxit nxënësit me parulla të gatshme, siç thashë më parë asgjë nuk është absolute. 

 

Mësues i dashur edhe ti merr hijen e profesionit tënd, por virtytet, siç është në këtë rast pasioni, nuk humbet me kohën, por veçse shtohet. 


(Anisa Dhami; klasa: XI-1, gjimnazi “Andon Zako Çajupi”, Portali Shkollor)

5,474 Lexime
6 vjet më parë