Dedikim emocionues

Aurora Damini: Nxënësve të mi...

Sot nxënësit e klasave të nënta japim provimin e parë të përmbylljes së arsimit të mesëm të ulët. Por për nxënësit e shkollës “A.Xoxa" në Fier, mësuesja e gjuhës shqipe Aurora Damini ka një letër dedikuese për ta...

Zilja e fundit e mësimit sikur drithëroi gjithë qeniet tona...Ca grimca shkumësi të dërrasës së zezë ranë në përparësen time të bardhë. Heshtje...


Ngrita sytë plumb nga emocioni. Në një vështrim të zgjatur përfshiva gjithë klasën. Të mirët e mi...Kaluam 4 vite të vështirë bashkë...Sa të vegjël e të emocionuar ishit kur më erdhët në klasën e 6-të! S'dija nga t'ia nisja me ju...


Dhe kështu, duke kaluar ditë më ditë, muaj me muaj, dijet tuaja, formimi juaj shtohej dalëngadalë si pjesët e një pazëlli të madh...


4 vite sfidash... 4 vite ndoshta më të vështirët dhe më të papërgatiturit në sistemin tonë arsimor...Pandemia, mësimi me turne, mësimi online, pushimet e detyruara tejet të zgjatura...


Por krenarisht e them, ne ishim bashkë çdo ditë, fizikisht ose online. Duhej të isha jo vetëm mësuesja juaj, por edhe misionarja, nëna, pse jo dhe bashkëmoshatarja juaj shpeshherë...


Bashkë me lakimin e emrave dhe zgjedhimin e foljeve, ju mësova se para gjithçkaje lipset të jeni njerëzorë, me vlera të larta qytetarie. Në fjalorin tuaj nuk duhet të kishte fjalë urrejtjeje dhe përbuzjeje, por vetëm mirëkuptimi dhe dashurie mes jush...Sa bukur është të zgjedhosh foljen " Të adhuroj "! Sa mrekullisht tingëllon kryefjala "Ne" dhe jo " Unë"...


U përpoqa t'ju jepja jo mësim standard,  por vlera qytetarie dhe mirënjohjeje pafund...

Ia kam dalë?! Shpresoj që po...


Gjithë këto ditë kam marrë vetëm mesazhet tuaja të ngrohta. "Do të na mungoni shumë”, "Do të mbetesh mësuesja ime e adhuruar", "Do t'ju takoj gjithnjë" etj etj.

Fjale te çiltra fëmijësh në prag të rritjes së tyre...


Nesër ju keni testin e Gjuhës shqipe. Padyshim jeni të emocionuar...Por jo më pak, edhe unë...

Do të kurorëzoni mundin dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të shkruar e folur sa më bukur gjuhën tonë, formimin tuaj letrar, botën shpirtërore dhe ndjenjat tuaja...


Si gjithnjë, unë do të jem shpirtërisht pranë jush...Jo vetëm nesër, por edhe në bangat e shkollës së mesme dhe auditorët e Fakulteteve...Ashtu si edhe paraardhësit tuaj...


Suksese të gjithëve sot!  U bëfshi më të mirët qytetarë të së nesërmes!


Aurora Damini, mësuese e Gjuhës shqipe, shkolla 9- vjeçare " A.Xoxa" Fier

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,021 Lexime
1 vit më parë