
Bashkëpunim për gjuhën amtare: ALBAS në punëtorinë e mësuesve në Bruhl të Gjermanisë
Shtëpia botuese ALBAS mori pjesë në punëtorinë e mbajtur në Bruhl të Gjermanisë, ku mësues dhe përfaqësues diskutuan sfidat dhe metodat për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. U prezantuan tekstet dhe platformat digjitale që ndihmojnë në përmirësimin e mësimdhënies.
Shtëpia botuese ALBAS mori pjesë në punëtorinë e organizuar me datë 04.06.2025, në qytetin e Bruhl-it (Cologne-Bonn), Gjermani, nga mësuesja e gjuhës shqipe, Znj. Etleva Mançe.
Kjo punëtori mblodhi mësimdhënës të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga North Rhine-Westphalia (Cologne-Bonn). Të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Landit NRW, si dhe të shtëpisë botuese ALBAS.
Znj. Rita Petro, në cilësinë e trajneres dhe si bashkautore në hartimin e teksteve të të tria niveleve, foli për metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë. E pranishme ishte dhe redaktorja, Znj.Ervisa Paloka, e cila foli për mënyrat dhe rëndësinë e përdorimit të tekstit digjital "Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare".

Rita Petro u ndal te kriteret e hartimit të paketave mësimore, veçanërisht te kriteri kryesor, që lidhet me përzgjedhjen e metodologjisë mbi të cilën janë hartuar ato.

Hartuesit e këtyre librave kanë gjetur një zgjidhje për të përshtatur metodën e të mësuarit të gjuhës amtare me atë të mësimit të një gjuhe të huaj. Duke qenë se ky është një tekst që ofron mësim plotësues, autorët i janë shmangur dhënies së informacionit për konceptet shkencore, duke e marrë të mirëqenë se nxënësi këto informacione i ka marrë në arsimin bazë të vendit ku shkollohet.
Kështu që autorët janë përqendruar tek informacioni specifik për: letërsinë, historinë, gjeografinë, artet, trashëgiminë, identitetin e shqiptarëve, ashtu siç edhe kërkohet në program.
Mësuesit e pranishëm u shprehën se vështirësia e tyre qëndronte te klasat heterogjene me nxënës në mosha të ndryshme dhe me aftësi të ndryshme në përdorimin e gjuhës amtare. Ndaj bashkëbisedimi u përqendrua te përdorimi sa më i mirë i materialeve të këtyre paketave dhe te përshtatja e tyre nga mësuesit për nxënësit.
Gjatë punëtorisë u punua me mësime modele, ku mësuesit treguan përvojat e tyre, se si i përshtatin këto paketa mësimore për klasat e tyre.
Ervisa Paloka prezantoi disa njësi mësimore të tekstit digjital, i cili nga mësuesit u vlerësua si një ndihmesë madhe në procesin e mësimdhënies, si dhe një mënyrë për të arritur rezultate më të larta të të nxënit te fëmijët.

Organizatorja e takimit, Znj., Etleva Mançe, mësuese me një kontribut të gjatë e të rëndësishëm në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Gjermani, prezantoi platformën online të mësimdhënies, të mundësuar nga Ministria e Arsimit e këtij Landi.

Ajo po ashtu vlerësoi këtë takim, duke u shprehur se: "Gjithashtu u diskutuan avantazhet dhe disavantazhet, sfidat dhe çfarë mund të bëjmë të gjithë bashkë që gjërat në të ardhmen të shkojnë përpara edhe më mirë, dhe të ndikojnë direkt për përmirësimin e kualitetit të mësimdhënies jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë diasporën ku lexohet, ruhet e shkruhet gjuha dhe kultura shqiptare. Një falënderim për mendimet, idetë dhe propozimet interesante të kolegëve!"
Ndryshe nga një seminar klasik, ky takim ishte një bashkëpunim i ngushtë dhe intensiv, që tregoi se bashkëpunime të tilla me kontribut të ndërsjellë mbeten të rëndësishme për t'iu ardhur në ndihmë mësuesve të gjuhës shqipe për punën e madhe dhe të vështirë që bëjnë në diasporë.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“MiniGuida, Shkodra” promovohet në Shkodër, autorja Melisa Paci bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
“25 vjet në shërbim të dijes”, ALBAS-i organizon seminar tematik për mësuesit në Prishtinë