Intervistë

“Dashuria, mallkim dhe bekim”

Në një intervistë fituesi i konkursit për poezinë më të mirë kushtuar dashurisë, Flavio Brahja na tregon më shumë për veten, poezinë, dëshirat dhe pasionet e tij.

Flavio Brahja me poezinë "Perëndesha e vdekshme" është fituesi i konkursit të organizuar nga Portali Shkollor. Këto vargje janë bërë refren i dashurisë së 56.824 lexuesve. Flavio studion në gjimnazin “Sandër Prosi” në Sauk dhe është në klasën e XII-C. Ai na tregon sot se si “lindën” vargjet për perëndeshën e vdekshme.


Flavio, përse “Perëndesha e vdekur”?

Vendosa të shkruaj “Perëndesha e vdekshme” për të vënë në dukje kontrastin që ka dashuria në vetvete. Pasi në këtë poezi, perëndesha ka humbur jetën e kjo gjë duket si abstrakte sepse një perendi nuk vdes dot. Ama ajo vajzë ishte njeri, si të gjithë ne… por jo në sytë e djalit, i cili do t’i bashkohet saj në përjetësi.


Kujt i dedikohet kjo poezi, apo kush ju ka nxitur të krijoni këto vargje?

Frymëzimi për këtë poezi erdhi nga shumë burime të ndryshme. Duke nisur kryesisht me jetën time personale, shoqëria e ngushtë e deri te muzika apo libra të ndryshëm që flasin për një pasion që mbyllet errët.


Flavio, ti mendon se dashuria vdes?

Unë mendoj se dashuria vdes, por le mbrapa saj shumë bekime dhe mallkime të ndryshme.

Që dashuria të vdesë do të thotë vetëm një gjë, Rilindje për personin në dashuri. Qoftë kjo rilindje për keq apo mirë, ajo vendoset nga gjykimi gjithësecilit.


Çfarë është dashuria për ty?

Dashuria për mua është një fenomen që nuk përshkruhet dot me fjalë. Është një mallkim dhe bekim në të njëjtën kohë pasi është një ‘thikë e mprehtë të cilën ti po e mban nëpër duar’.

Të duash dhe të dashurosh janë gjëra të ndryshme, por që ngatërrohen shpesh herë. Të dashurosh do të thotë të njohësh dhe të pranosh një person si ‘perëndeshë’ apo ‘perendi’. Të vetmin/vetmen gjallesë që ti lejon ta vendosësh sipër vetes dhe ndihesh krenar për këtë gjë. E vendos në një fron të artë, por frika egziston sepse ai fron mund të shembet bashkë me idealet e tua.


A e prisnit që të fitonit çmimin e parë në konkursin për poezinë më të mirë kushtuar dashurisë që organizoi Portalin Shkollor?

Si çdo pjesëmarrës dëshira ishte për fitore. Mendoja që poezia e kishte potencialin për 3 vendet më të mira dhe ia dola mbanë duke kapur vendin e parë. Ishte konkurrencë e veshtirë por shpresa vdes e fundit. Dhe për këtë gjë dua të falenderoj të tërë mbështetësit e mi dhe kryesisht mësuese Eljana Brahja për suportin e saj të vazhdueshëm.


Çfarë po bëni aktualisht?

Aktualisht, po merrem me shkrimin e një romani, i cili është drejt fundit. Shpresoj ta hedh në treg së shpejti e pse jo libri të mbajë emrin e një shtëpie botuese prestigjoze si JU. Nëse gjithçka shkon mirë, kam dhe shumë romane , poema e novela të tjera në mendje për të realizuar.


Cilat janë dëshirat dhe pasionet e tua?

Dëshirat dhe pasionet e mia janë të shumta. Duke nisur që nga botimi i romaneve, poema apo novela deri tek mbarimi i shkollës së lartë për degën e psikologjisë klinike apo psikiatrisë. Pasi mendja e njeriut është diçka me të vërtetë e bukur po aq sa drithëruese.


A ke ti një ëndërr në sirtar?

Ëndrra ime në sirtar është që të bëj krenar shoqërinë time, familjen dhe mbi të gjitha veten. E kjo gjë duhet arrirë me punë e me vullnet që të ndryshojë  ‘botën’ që më rrethon mua.


Cili është mesazhi që doni të përcillni sot dhe kujt?

Mesazhi im është për të gjithë ata që kanë humbur dritën dhe po jetojnë në errësirë. Ndonjëherë duhet pak errësirë për të gjetur dritën e mbasi ta gjeni do jeni mëse i lumtur për ‘metamorfozën’ që pësuat. Pasi çfarë nuk të vret, të bën më të fortë.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

2,689 Lexime
6 vjet më parë