Denada Toçe: Mësueset ndihmëse punojnë me pasion, por duhet të jenë më të shumta në numër
Qendra e Trajnimeve dhe Projekteve Albas zhvillon edhe trajnimin për “Përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin gjithëpërfshirës”, me trajnere, psikologen e njohur, Denada Toçe. Ja se çfarë na ka rrëfyer ajo për këtë eksperiencë!
Prej më shumë se dy vjetësh, Qendra e Trajnimeve dhe Projekteve Albas (QTPA) zhvillon ndër të tjera edhe trajnimin për “Përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin gjithëpërfshirës”, me trajnere, psikologen e njohur, Denada Toçe.
Ky trajnim zhvillohet për t’i ardhur në ndihmë mësuesve, fëmijëve, prindërve dhe komunitetit, për të parandaluar vështirësitë e mundshme në të ardhmen, gjatë procesit mësimor. Në këtë trajnim mësuesit ndajnë përvojën dhe shqetësimet e tyre që lidhen me menaxhimin e situatave në klasë. Shkëmbejnë këshilla për punën e fëmijëve me nevoja të veçanta, trajnohen për strategjitë për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve me vështirësi zhvillimi, për të mësuarit dhe metoda e përforcimit, ndërsa gjatë orëve dhe ditëve të trajnimit zhvillojnë edhe detyra dhe teste.
Pas përfundimit të një ditë trajnimi nga QTPA ne jemi ndalur për të marrë disa prononcime lidhur me dobishmërinë reale të ndjekjes dhe zhvillimit të një trajnimi përsa i përket “Përfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin gjithëpërfshirës”.
Trajnerja Denada Toçe është shprehur se ka mësues ndihmës të cilët e pëlqejnë dhe e kanë pasion që ta bëjnë këtë profesion, por numri i tyre është ende i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojën që ekziston në shoqërinë tonë përsa i takon arsimit gjithëpërfshirës, që për të ende ka shumë sfida, pavarësisht ecurisë.
“Ka mësues ndihmës të cilët e pëlqejnë dhe e kanë pasion ta bëjnë këtë profesion, por të cilët nuk kanë orientimin dhe praktikën e duhur për ta bërë. Ne një pjesë të mirë të trajnimit e trajtojmë me raste konkrete. Por realiteti tjetër është që një mësues ndihmës është për katër ose më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara. Ndaj do ishte e mirë që kjo kategori mësuesish të ishte më e madhe në shërbim të arsimit gjithëpërfshirës. I bëj thirrje madje institucioneve kompetente që t'i ndihmojnë njerëzit apo burimet njerëzore që ekzistojnë apo profesionistët, që të mund ta marrin këtë profesion dhe ta zbatojnë me rigorozitet në vende të ndryshme e sidomos në shkolla, në vendet që duhet, që është arsimi dhe fëmijët të marrin shërbimin e duhur. Sepse çdo fëmijë me aftësi të kufizuar kërkon të paktën një mësues mbështetës, pra një fëmijë një mësues. Kjo është sfida që ne kemi përpara”- kështu është shprehur trajnerja Denada Toçe, gjatë një prononcimi për Portalin Shkollor.
Toçe ka shtuar edhe faktin se për këtë do të duheshin edhe më shumë psikolog në terren: “Edhe psikologët në terren duhet të jenë më të shumtë. Në këtë mënyrë mund të kishte një bashkëpunim më të mirë midis dy aktorëve. Kjo gjë do të ndihmonte zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe mbi të gjitha do të ndihmonte edhe mësuesit ndihmues, por edhe drejtuesit e institucioneve që të gjenin një koordinim të përbashkët dhe të gjenin terrenin e duhur për t'i asistuar fëmijëve me nevoja të veçanta”.
Mësueset pjesëmarrëse janë shprehur se ky trajnim i ka shërbyer shumë për punën e tyre, duke mësuar dhe praktikuar shumë risi.
Marte Gjergji, gëzon shumë vite punë si mësuese por vitet e fundit punon me fëmijët me nevoja të veçanta në shkollën 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë.
“Trajnimi ishte shumë produktiv. Unë kam ardhur posaçërisht nga Puka për të ndjekur këtë trajnim me Denadën. Kam qenë edhe një herë tjetër. Kam dal shumë e kënaqur. Kam marrë shumë informacion. Më ka ndihmuar shumë në punën time. Do vazhdoj t’i ndjek takime të tilla. Kemi shumë nevojë”- ka thënë ajo.
E pyetur më konkretisht se si i ka shërbyer trajnimi në punën e përditshme mësuesja Marte është përgjigjur: “ky trajnim më ka shërbyer për ta diferencuar punën e fëmijëve me aftësi ndryshe nga fëmijët e tjerë, për t’i njohur karakteristikat e tyre (secili ka diferencat e veta, është shumë e nevojshme). Unë madje bëra dhe një kërkesë që ky trajnim të bëhej edhe me drejtuesit e shkollave për të vlerësuar punën e këtyre fëmijëve. Kanë shumë nevoja fëmijët në të gjitha fushat”.
Marte ka dhënë edhe një mesazh për kolegët: “Vazhdoni të punoni se puna juaj do të japi rezultat. Është kënaqësi të punosh për këta fëmijë. Ka lodhje, shumë punë, vështirësi shumë, por në fund është kënaqësi kur fëmija të buzëqesh dhe prindi të falënderon. Kjo për mua është kënaqësia më e madhe”.
Arminda Kaciqi, është një nga mësueset e tjera që mori pjesë në këtë trajnim. Ajo jep për herë të parë mësim si mësuese ndihmëse në shkollën 9-vjeçare “Qazim Turdiu”, në Tiranë. Trajnimin e ka konsideruar të rëndësishëm për punën e saj, duke i shërbyer për ta përvetësuar atë. “Unë jam mësuese për herë të parë dhe fillimet janë të vështira, dihet. E kisha goxha të vështirë të punoja me fëmijët me nevoja të veçanta. Kisha mungesë informacioni, por me kalimin e kohës duke marrë pjesë në trajnime dhe me informacionet që kam lexuar, e gjej veten më mirë dhe e përballoj më mirë”- është shprehur ajo.
Sakaq, Qendra e Trajnimeve dhe Projekteve Albas do të vazhdojë të jetë më afër mësuesve duke ofruar trajnime të tjera me kredite për modulet e akredituara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
(N.Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
QTPA: Trajnim në 21 dhjetor për modulin “Raporti i progresit dhe arritjeve të nxënësit”
QTPA: Trajnim në 21 dhjetor për modulin “Zbatimi i kurrikules, puna praktike dhe situata konkrete në realizimin e kurrikulës në arsimin fillor”
Albas ofron trajnime me kredite për modulet e akredituara nga MASR