NXËNËS MODEL

Dita Ndërkombëtare e Ushqimit, nxënësit e "Mileniumi i tretë" zhvilluan "Panairin e bamirësisë"

Nxënësit e shkollës "Mileniumi i tretë", Kosovë, janë bërë bashkë për një kauzë të mirë. Në Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit, ata ndërmorën një nismë mjaft të bukur dhe të veçantë: realizuan "Panairin e bamirësisë".

Këta janë nxënësit e shkollës "Mileniumi i tretë", Kosovë, të cilët janë bërë bashkë për një kauzë të mirë. Në Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit, ata ndërmorën një nismë mjaft të bukur dhe të veçantë:gatuan ushqime, i shitën ato dhe paratë e fituara do t'i dhurojnë për bamirësi. 


Kjo ditë në kujtimet e nxënësve dhe mësuesve të shkollës "Mileniumi i tretë" është shtypur me shkronjat më të arta. Me ndihmën e prindërve dhe mësueseve, nxënësit ia dolën që Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit ta shënjojnë në një mënyrë shumë të veçantë. Duke gatuar ushqimet e tyre të preferuara dhe duke i sjellë ato në shkollë, krijuan një mozaik të përsosur ngjyrash e shijesh. Fëmijë që kënaqeshin me shijen e ushqimeve e që krenoheshin me veten se po kontribuojnë për fëmijët në nevojë.

Ndërkohë që shisnin produktet e tyre ushqimore dhe grumbullonin monedhat, zemra u zgjerohej kur “kasa” mbushej. Çdo para që shtohej, te ta paraqiste një mundësi më shumë për fëmijët në nevojë.


Një mirënjohje e pafundme për prindërit të cilët njëzëri u përgjigjën me PO dhe ndihmuan me përgatitjen e ushqimeve. Një mirënjohje tjetër për nxënësit e kësaj shkolle, të cilët Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit e shfrytëzuan për një nismë humane. Të gjitha paratë që mblodhën, ata i dhuruan për bamirësi. Akte të tilla meritojnë vëmendje, sepse "Kur jemi të bashkuar jemi më të fortë!"


(Përgatiti P. Shtini; Portali Shkollor)

2,985 Lexime
4 vjet më parë