Intervistë

“Do të më mungojë zilja e mësimit, gumëzhimet e shkollës...”

“Shumë gjëra do të më mungojnë: zilja e mësimit, përshëndetjet dhe fytyrat e qeshura të kolegëve, fëmijët që mësova për kaq shumë vite, gumëzhimet e shkollës.”

Mësuesja e biologjisë në shkollën “26 Nëntori” në  kryeqytet, Miranda Mimani, del në pension dhe për këtë nxënësit i kanë përgatitur një surprizë. E pritën me buqeta me lule dhe i treguan se sa shumë e vlerësojnë mësuesen e tyre. Për të vitet kanë kaluar shpejt dhe ende nuk e di se çfarë do të bëjë ditën e parë që do të zgjohet  në mëngjes dhe nuk do të shkojë në shkollë.


Janë ditët tuaja të fundit në punë si mësuese, si ndjeheni tani?

Ndihem keq, për faktin se do të ndahem nga kolektivi im i mrekullueshëm dhe nga nxënësit e mi.


Çfarë do t’iu mungojë nga puna juaj?

Shumë gjëra do të më mungojnë: zilja e mësimit, përshëndetjet dhe fytyrat e qeshura të kolegëve, fëmijët që mësova për kaq shumë vite, gumëzhimet e shkollës.


A kanë ikur shpejt këto vite për ju?

E vërtetë! Kanë kaluar shumë shpejt vitet. As vetë nuk arrij ta besoj që jam unë ajo që do të dalë në pension.


A do donit të vazhdonit sërish punën?

Pse jo? Do ishte shumë bukur, por e pamundur.


Cila ka qenë periudha më e bukur gjatë këtyre viteve si mësuese?

E tërë periudha që kam punuar si mësuese ka qenë e bukur, por koha që mua më është ngulitur në mendje, ka qenë periudha që punoja në shkollën e mesme part-time, apo siç quhej shkollë nate.


A keni ndonjë kujtim të veçantë nga këto vite pune? Cili?

Siç thashë dhe më parë, kam kujtime shumë të bukura kur punoja me shkollën e natës në vitet ‘80. Nxënësit e mi ishin të rritur, punonin ditën dhe natën vazhdonin shkollën e mesme. Një pjesë e tyre ishin prindër dhe megjithatë nuk e harroj përkushtimin që kishin për mësimet, seriozitetin me të cilin mësonin. Megjithëse një pjesë e tyre mund të ishin më të mëdhenj se unë, ata e respektonin shumë figurën e mësuesit.


Nxënësit ju bënë një surprizë, çfarë ndjetë në ato momente?

Surpriza që më bënë nxënësit, me rastin e daljes në pension më lumturoi pa masë. Ajo ishte një shenjë respekti ndaj meje. U ndjeva krenare që nxënësit e mi ishin ndjerë mirë në orën e biologjisë. Nuk mendoja se ata më vlerësonin kaq shumë. I falënderoj nga zemra për mirënjohjen e tyre dhe ju uroj suksese!


Çfarë do të bëni ditën e parë që do të zgjoheni në mëngjes, por nuk keni për të vajtur në shkollë?

Ha ha ha (qesh). Këtë ende nuk e kam menduar, por besoj se kafen e mëngjesit do ta pi ngadalë.

(Portali Shkollor)

11,056 Lexime
7 vjet më parë