
Dosja që vendos fatin: Një thirrje nga shkolla, jo nga zyra
Në një shkollë me numër të ulët nxënësish, mësuesit e rrezikuar nga “lëvizja paralele me detyrim” përballen me pasiguri: edhe pse me përvojë dhe të diplomuar, ata konkurrojnë me dosje për të ruajtur vendin e punës, ndërsa penalizohen edhe financiarisht.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Në një shkollë ku po përgatiten për “lëvizje paralele me detyrim” pasi numri i nxënësve ka rënë, mësuesit me përvojë, të diplomuar në sistemin 3-vjeçar me kohë të plotë apo në atë 4-vjeçar pa shkëputje nga puna, përveç penaliteti me pagesën, konkurrojnë përmes dosjes për të qëndruar në vendin e tyre të punës ose jo. Deri këtu gjithcka duket në rregull, tek e fundit shkaku është i qenësishëm. Pikërisht këtu fillon stresi dhe padrejtësia pasi, një kolege që ka përfunduar studimet me sistemin e Bolonjës, duke marrë diplomë Bachelor-Master-Licencë, nuk përfshihet në garë, nuk dorëzon asgjë. Është e para në listë, pa konkurruar. Drejtuesja e shkollës këtë e konsideron “të drejtë”.
Është e drejtë, vallë, kur njëra palë matet me rregulla e dosje, e tjetra përjashtohet nga çdo filtër? Kur rregullat zbatohen me përzgjedhje, jo me barazi? Si mund të pranojë arsimi një logjikë ku përvoja mbetet peng i formës, e jo i përmbajtjes?
Kjo nuk është çështje procesi, është çështje mbijetese profesionale. Një dorë e padukshme që rendit, përjashton dhe zhvendos, pa transparencë dhe pa ndjeshmëri. Kur dosja nuk është mjet vlerësimi, por pretekst për largim të papabarabartë.
Ndërkohë, burokracia vijon ngre barrikada edhe aty ku nuk ka nevojë. Kërkohen vërtetime shtesë për certifikata si APTIS, megjithëse dokumenti e thotë qartë: “pa afat skadence”. Janë të voglat që bëhen të mëdha, jo nga përmbajtja, por nga mënyra si përdoren për të vendosur kush qëndron dhe kush jo.
Edhe fakti që një diplomë e dytë universitare, përfshirë master profesionalë apo shkencorë në fusha të ndryshme të shkencave humane me 60, 90 apo edhe 120 kredite, të cilat përfaqësojnë vite të tëra angazhimi intelektual dhe përkushtimi akademik, nuk marrin minimalisht të njëjtën peshë sa një certifikatë e trajnimit të shkurtër apo një dëshmi gjuhësore, që shpesh nuk përkthehen as në aftësi reale komunikimi në klasë. Pse hesht sistemi përballë këtij absurdi? Dhe kujt i shërben kjo peshore që mat mësuesin në mënyrë aq sipërfaqësore?
Në gjithë këtë rrëmujë, mësuesit nuk po kërkojnë favor. Po kërkojnë ndershmëri, drejtësi dhe një sistem që i dëgjon e nuk i hedh tej si numra në tabela exceli për raportim bombastik në rrjetin facebook apo në mediahanet e katundit tonë. Sepse nuk jemi në garë për tituj, por për të ruajtur dinjitetin e një profesioni që po e braktis edhe vetveten.
Kush do ta ndalë këtë degradim? Ose më saktë, kush do të mbajë përgjegjësi për atë që tashmë po ndodh çdo ditë, në çdo cep të këtij thesari që dikur quhej arsim?
Nuk ka dosje që mat dashurinë për dije. Por ka shumë dosje që shkurtojnë jetën e mësuesit në sistem.
Po e mbyll se u bëra i "besdisur", po e mbyll me shprehjen e Adamantios Korais - “Një shtet që nuk ka për bazë arsimin është një ndërtesë e ngritur mbi rërë.”
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
QSHA: Modele testesh për provimet e klasave të 9-ta
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe