OPINION

Dr. Besnik Rama: VANAF, nxënësit dhe ne 

Uroj dhe besoj që rezultatet e nxënësve të jenë pasqyrë reale dhe t’i shërbejnë vërtet përmirësimit të procesit të të mësuarit.

VANAF (vlerësimi i arritjeve të nxënësve në arsimin fillor) është vlerësim i jashtëm. 


E shoh të nevojshme ta theksoj që në fillim se ky vlerësim i jashtëm, që realizohet nëpërmjet testimit sipas rregullores përkatëse, ngjason me provimet kombëtare të arsimit bazë dhe me ato të maturës shtetërore, për nga testi i standardizuar dhe administrimi i procesit të testimit e vlerësimit, por nuk është provim kombëtar që finalizohet me notë për çdo nxënës. 


Testi i VANAF është i integruar për njohuritë e nxënësve në lëndët “Gjuhë shqipe”, “Matematikë” dhe “Dituri natyre”. Në këtë kuptim, VANAF nuk penalizon asnjë nxënës të klasës së pestë, sepse qëllimi i tij nuk është rezultati që arrin çdo nxënës, por vlerësimi i njohurive dhe i kompetencave kyç, të fituara nga nxënësit në arsimin fillor, në tri lëndët përkatëse. Njëkohësisht, ky vlerësim kombëtar synon të vlerësojë aftësitë e nxënësve për të mbajtur qëndrime aktive ndaj njohurive dhe përvojës së fituar në shkollë, si dhe për të parë nevojat për ndërhyrje apo përmirësime të mëtejshme të komponentëve bazë të procesit të të mësuarit. Rezultatet e të nxënit të klasave të pesta janë tregues të suksesit të arsimit fillor. Matja e tyre orienton politikëbërjen për të përmirësuar cilësinë e arsimit përmes kurrikulës zyrtare, zhvillimit profesional të mësuesve, forcimit të drejtimit dhe infrastrukturës shkollore. 


Këto janë arsye pse në VANAF marrin pjesë të gjithë nxënësit që ndjekin klasën e pestë, pra nuk është vlerësim i jashtëm me një numër të caktuar nxënësish.



NXËNËSIT


Të gjithë sytë tanë drejtohen te nxënësit që i nënshtrohen VANAF-it. Kështu ndodhi një ditë më parë. Data 21 maj u njoftua prej kohësh dhe nxënësit e dinin këtë, sepse mësuesit i vunë në dijeni menjëherë. Mënyra se si u përcoll te nxënësit zhvillimi i VANAF, i vuri ata në siklet që në fillim, sepse mësuesit nxituan t’u kujtojnë se duhet t’i përkushtohen testimit që të dalin sa më mirë, të nderojnë veten, mësuesin, shkollën, prindërit, a thua se VANAF ishte “llogaridhënie” e nxënësve për kohën nga caktimi i datës dhe deri ditën e plotësimit të testit. Vogëlushët u përballën me kërkesa të përditshme të mësuesit të tyre (këta të fundit kishin presionin e drejtorit të shkollës). 


Pra, nxënësit i shoqëroi stresi që u krijoi shkolla, ndaj dje ata erdhën edhe me njëfarë pasigurie, frike, mungese besimi në vetvete dhe, pse jo, me ankthin si do të ishte testi dhe a do të arrinin ta mbushin atë me pritshmëritë që kanë mësuesit dhe prindërit. Nxënësit punuan dje të lirë, të qetë, të pavarur. Dolën nga testimi më të çliruar se në mëngjes, kur hynë nëpër salla. Por jam i sigurt se gjatë gjithë kohës ata, për fat të keq, i shoqëroi “hija” e mësuesit: “Si të kam thënë: të dalsh sa më mirë!”. Kishte raste që nxënësit që kishin dëshirë ta vazhdojnë testin, u lanë të punojnë përtej 90 minutave. Dhe u veprua shumë mirë.



NE 


Mësuesit vrapuan të sigurojnë teste dhe i punuan me nxënësit e tyre, edhe me dëshirën që testi i radhës të përmbante sa më shumë kërkesa nga ato që përdorën për të ushtruar nxënësit, të cilët më shumë i lodhi porosia e përditshme “Mësoni që të dilni sa më mirë!” (se u mbeti gozhdë në tru për javë të tëra), sesa përqendrimi dhe vëmendja në ato çfarë zhvillonte mësuesi me ta. U tha, çfarë u tha, dhe u bë çfarë, u bë deri pardje, dje u bë testimi i VANAF. Menjëherë pas tij, reagimet tona nuk munguan në grupe kolegësh, në telefonata, në kafene dhe, sidomos, në rrjetet sociale. Interesimi i parë dhe më i madh yni: Si ishte testi? Mendimet erdhën e vazhdojnë të vijnë nga mësues e të tjerë. Në thelb, “opinionistët” janë ndarë në dy kampe: a) testi ishte i vështirë, b) testi ishte normal. Pra, ne po skanojmë testin. Disa, madje, e quajnë të papranueshëm atë, edhe pse ka shumë që thonë: “Nuk e kam parë ende testin, por, me sa dëgjova, ishte shumë i vështirë”, “Kishte shumë kërkesa dhe ato ishin të papërshtatshme për nxënësit e klasës së pestë”, “Test që nuk plotësohet brenda 90 minutave as nga ata që e kanë hartuar”, “Si mund t’u kërkosh nxënësve të klasës së pestë t’i nënshtrohen testit kombëtar, kur kemi mbi një vit situatë pandemie”, “Nuk është normale t’i lëvizësh fëmijët e vegjël në shkolla e qendra banimi të tjera për t’i marrë në provim” etj. Është normale që testi të jetë objekt debatesh dhe gjykimesh nga kushdo qoftë. Por fjala kryesore u duhet lënë specialistëve të fushës. Përtej kësaj, sido që të jetë testi, atij i nënshtrohen të gjithë nxënësit. Kërkesat në test hartohen sipas niveleve dhe aty duhet ta gjejnë vetën të gjithë nxënësit. A ishte i tillë testi i djeshëm? PO. Çfarë nuk na pëlqen neve? Nuk është si testet që bëjmë ne. Nuk ka kërkesa si ato që u bëjmë nxënësve ne. 


Nuk ngjan me testet me të cilat ushtruam nxënësit për parapërgatitje. Ka kërkesa shumë të vështira. Po e ritheksoj: kërkesat e çdo testi hartohen sipas niveleve të të nxënit dhe për të gjithë nxënësit, përfshirë nxënësit me arritje të shkëlqyera, të cilët duhen vënë para sprovës. Testi dje e arrinte këtë gjë. Nuk kemi arsye pse ta drejtojmë gishtin drejt testit. E mira është ta shohim e ta kuptojmë mirë testin dhe gishtin ta kthejmë nga vetja, kolegë mësues. 


Testi i VANAF, ashtu dhe testet e provimeve kombëtare të arsimit bazë e të maturës shtetërore, por dhe PISA etj. duhet të na shërbejnë për të ndryshuar sjelljen tonë në klasë, sepse ne jemi zbatues të kurrikulës zyrtare dhe nga ne varen rezultatet e të nxënit nga nxënësit. Lipset ndryshimi i rolit tonë: Sa të lirë jemi për zbatimin e kurrikulës. A zgjedhim burimet dhe mjediset e të nxënit? A jemi krijues dhe drejtues të situatave reale të të nxënit? Sa aktivë i bëjmë nxënësit për zhvillimin e njohurive të reja dhe të kompetencave, si dhe në procesin e ndërtimit, zbatimit dhe vlerësimit të tyre? Sa interes tregojmë ne për t’i përfshirë nxënësit në veprimtari praktike, që ata të nxënë duke vepruar e ndërvepruar? Pse përqendrohemi në nivelet e njohjes, kuptimit e riprodhimit dhe nuk i vëmë nxënësit në situata reflektimi dhe vlerësimi?Sa i aftësojmë nxënësit për mendimin kritik, interpretimin, arsyetimin, gjykimin dhe vlerësimin? Këto duhet të jenë disa nga “ethet” tona dhe jo si do të jetë (si ishte) testi. 


Uroj dhe besoj që rezultatet e nxënësve të jenë pasqyrë reale dhe t’i shërbejnë vërtet përmirësimit të procesit të të mësuarit.



Nga Dr. Besnik RAMA


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,831 Lexime
2 vjet më parë