Analizë

Evans Drishti: Si të reflektojmë nga rezultatet e PISA-s?

Sipas rezultateve të programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022”, Shqipëria është renditur në vendin e 62 ndër 80 vende që kanë marrë pjesë në testim. Por si duhet të reflektojmë nga këto rezultate për t’u përmirësuar? Disa sugjerime i jep mësuesi i gjuhë-letërsisë Evans Drishti.

Teksa shohim rezultatet e programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62 ndër 80 vende që kanë marrë pjesë në testim. 


Konkretisht: 

  1. Në matematikë Shqipëria merr vlerësimin prej 368 pikë nga 472 pikë, duke shënuar një rënie prej 69 pikësh krahasuar me “PISA 2018”;
  2. Në lexim Shqipëria u vlerësua me 358 pikë nga 476 pikë që është mesatarja e pikëve të mundshme, duke shënuar një rënie me 47 pikë krahasuar me “PISA 2018”;
  3. Në shkencë Shqipëria është vlerësuar me 376 pikë nga 485 të mundshme dukë shënuar një rënie me 41 pikë krahasuar me “PISA 2018”;


a- Një drejtim i mirëfilltë dhe profesional nxjerr padyshim edhe produkte admiruese. Nëse fëmijës së teknologjisë do i ofrojmë materiale të pakoncentruara, ai/ajo do tërhiqet / do distancohet menjëherë nga “të lexuarit” dhe me kohën humbet edhe dëshirën edhe vullnetin për “nxënie”.


b- Kemi të bëjmë me një pjesëmarrje në rang ndërkombëtar, për rrjedhojë nivelet e sistemeve arsimore janë të ndryshme në varësi të politikave që harton vetë shteti. Nxënësit pjesëmarrës dalin nga hapësirat shkollore për të konkurruar me bashkëmoshatarë të tyre që njohuritë i kanë marrë në të tjera kushte dhe rrethana, e mbi të gjitha me të tjera materiale lëndore.


c- Çdo lloj teksti i ofruar në mënyrë “të zbërthyeshme” është më i pranueshëm dhe më efikas për “përpunim”, që do të thotë: 

  • jepet në formë skematike subjekti i tekstit;
  • zbërthehen idetë e paragrafëve përkatës; 
  • shënjohen fjalët dhe frazat kyçe, duke mënjanuar standardin se vetëm fjalët e fjalorthit janë të tilla, përkundrazi, çdo fjalë që ka të bëjë me titullin dhe kontekstin përbën “fjalën kyçe”; 
  • paraqitet monologu dhe dialogu duke prezantuar karakteret e personazheve etj. 


d- Fëmija është në pritje të orientimeve të sakta dhe të drejta. Nga njëra anë është drejtoria e shkollës, e cila sipas një planprogrami pune dhe vëzhgimi “detyrimisht” organizon takime konsulte të herëpashershme me grupet e nxënësve pjesëmarrës në testime të tilla dhe në konkurse të larmishme, përfshi këtu edhe Olimpiadatat si dhe me mësuesit përgatitës. Të tilla takime rrisin akoma më shumë seriozitetin duke zbërthyer njëkohësisht hapat kryesore të zhvillimit të procesit. 


e- Drejtoria e institucionit arsimor ka për detyrë të krijojë hapësirat e mundshme të një përgatitjeje serioze dhe efikase të këtij procesi ashtu sikurse edhe të proceseve të ngjashme, duke u dhënë mundësi edhe mësimdhënësve edhe nxënësve të kuptojnë peshën dhe vlerën e një përgatitjeje të tillë. Që do të thotë:

  • hartimi i një plani pune ditor – javor – mujor brenda institucionit arsimor, duke nisur që nga fillimi i vitit shkollor, ku nxënësit marrin orientimet thelbësore për një përgatitje sa më dinjitoze; 
  • Ofrimi i materialeve udhëzuese në lidhje me testin përkatës; 
  • Bashkëveprimet krahasuese me testet ndër vite etj;

 

Natyrshëm që këto angazhime duhet të jenë brenda “normativës” apo “ngarkesës” ligjore që ka arsimtari, ose të ofrohet me mbështetje financiare.  


f- Nga ana tjetër është vetë drejtoria e institucionit arsimor që ka për detyrë të japë informacionin e duhur edhe familjarëve në lidhje me procesin në fjalë, duke i bërë edhe ata të jenë pjesë integrale e këtyre përgatitjeve. Kështu familjarët krijojnë vetëdijen dhe koshiencën e duhur për mbështetjen që duhet t’u japin fëmijëve në këtë drejtim. 


g- Për sa kohë që familjet do jenë jo vetëm të mirinformuar për procesin, por edhe përfshirës në këtë proces, apo edhe të ngjashëm, detyrimisht krijohet vetëdija dhe ndërgjegjësimi për mbështetjen që duhet t’u japin fëmijëve të tyre në këtë drejtim. Kjo mbështetje është vëzhgimi në mënyrë të vijueshme nga ana e tyre i fëmijës pjesëmarrës dhe stimulimi që duhet t’u japin për një efikasitet dhe produkt konkret. 


h- Stimulimi ka një peshë kyçe në mbarëvajtjen e këtij procesi, pasi ndihmon integrimin e fëmijës në hallka të ndryshme të zhvillimit shoqëror. Jemi të detyruar që fëmijëve t’u ofrojmë sa më shumë hapësira argëtuese si gjatë procesit shkollor ashtu edhe gjatë përditshmërisë së tij. Edhe në këtë rast mbetet detyrë si e institucionit arsimor, që të bëjë ndryshimet e domosdoshme të kurrikulave lëndore për t’u dhënë hapësirën e nevojshme angazhimeve social – kulturore të fëmijëve ashtu edhe e familjeve që të dinë t’ua plotësojnë kohën me ngjarje të larmishme që ndihmojnë zhvillimin intelektual të fëmijëve. 


i- Një tjetër element kyç ka të bëjë edhe me organizimin e “Panairit të librit” i cili tashmë duhet të dalë nga kornizat klasike të zhvillimit të tij vetëm në muajin nëntor dhe vetëm në Tiranë, duke lëvizur në një trajektore veri – jug – lindje – perëndim për t’ua bërë më të lehtë fëmijëve dhe familjarëve përfshirjen dhe përshtatjen me botën e librit. Duke i integruar fëmijët në këtë drejtim, qoftë edhe nëpërmjet fletushkave orientuese për fusha dhe kategori të ndryshme të shkencave natyrore apo sociale do kemi rezultate shumë herë më të kënaqshme dhe produktive. 


j- Vetë bibliotekat e shkollave dhe të qyteteve duhet të ndërmarrin organizime publike jo vetëm brenda institucioneve arsimore, por edhe në sheshe të qyteteve duke u ofruar edhe nxënësve edhe mbarë shoqërisë materiale me vlerë “të zbërthyeshme” dhe “të qartësuara” për të gjitha moshat. 


k- Mos të ngelemi gjithnjë në pritje të “lexuesve” brenda këtyre bibliotekave, por tashmë vetë bibliotekat të dalin përpara publikut duke prezantuar botën e magjishme që ofron “libri”. 


l- Në përmbyllje tashmë edhe të vitit 2023, ka ardhur koha e instalimit të mjeteve elektronike për zhvillimin e proceseve lëndore si një mundësi e artë e lehtësimit të “nxënies” si në matematikë, në lexim dhe shkencë ashtu edhe në lëndët e tjera. Procesi i “të shkruarit” me procesin e “të parit” duhen zhvilluar paralelisht. 


m- S’mund të pretendojmë të kemi efikasitet dhe rezultate pozitive, për sa kohë që nxënësin e kemi distancuar nga teknologjia, ndërkohë që vetë teknologjia është boshti kryesor i zhvillimit të sotëm global. 


n- A nuk është një kontrast i dukshëm fakti që kërkojmë me ngulmim t’ua heqim telefonat fëmijëve, ndërkohë që teknologjia është bërë pjesë integrale e zhvillimit global? A nuk është më efikase që paralelisht me telefonin dhe kompjuterin të zhvillojmë edhe procesin e të shkruarit, të dëgjuarit, të menduarit, të kuptuarit …?  


o- Për këtë, institucionet arsimore kanë për detyrë të ofrojnë “TRAJNIME” të vijueshme pa detyrime financiare, madje edhe me shpërblime në mënyrë që arsimtarëve t’u lehtësohet puna dhe angazhimi i tyre duke mënjanuar burokracitë e tepërta dhe duke u përqendruar tek thelbësorja. 



Nga Evans Drishti 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,100 Lexime
4 muaj më parë