Reflektim

Fiqiri Çifliku: Testi, vlerësimi sipas performancës dhe kualifikimi i vërtetë

A duhen përjashtuar mësuesit që vlerësohen dobët? A vlen pagesa për performance në arsim? Refleksione për diskutimet për procesin e kualifikimit të mësuesve.

Me shkresën Nr. 660/1, datë 25.01.2024, MAS ka njoftuar se provimi i kualifikimit për mësuesit e kategorisë II dhe III do të zhvillohet më 11 maj. Mësuesit kanë kohë të regjistrohen në ZVAP deri në 27 shkurt 2024. Për shkallën e I-rë të kualifikimit, mësuesit përveç portofolit duhet të përgatisin edhe orët e hapura, sipas profileve nga 1 deri 26 prill 2024.


Si çdo herë në këtë periudhë gjithë fokusi është rreth këtij procesi e më tej “ritmi” bie, duke i lënë vend rutinës me trajnime sporadike jo me atë çka duhet të zotërojë një punonjës arsimor në shkollën ku jep mësim. Duket si një proces kaotik ku secili mund të vendosë në dosjen e tij profesionale certifikata me kredite, thjesht për të përmbushur detyrimin ligjor,pa mbajtur parasysh përshtatjen e nevojave për trajnim me karakteristikat e mjedisit të shkollës, vizionit të saj dhe objektivat afatshkurtra apo afatmesme të vendosura në planet e shkollës. 


Në një shkrim të ditëve të fundit Z.FatmirVejsiu, ekspert i mirënjohur i arsimit, ka nënvizuar se: “Mësuesi kandidat në provimin e kualifikimit duhet të provohet se si e orienton nxënësin për ta zgjidhur ushtrimin”.


Sigurisht është ide e mirë pasi modelet mund të krijojnë një fond për mësuesit e për nxënësit, por kurrsesi nuk mund të ndryshojnë qasjen e një mësuesit të formuar në një mjedis shkollor të caktuar. Modele sot mund të gjenden online pafund, mjafton të kërkosh në rrjet, çështja është sa e mundur është që këto modele të përshtaten me nivelin e klasës dhe me specifikat që paraqet mjedisi shkollor.


Në këtë linjë Z. Vejsiu i ka mëshuar idesë se vlerësimi “dobët”, është arsye e mjaftueshme që mësuesit t’i rrezikohet vendi i punës.


Zgjidhje ekstreme dhe si gjithmonë kanë efektet e tyre, por a duhet të jetë procesi i kualifikimit filtri që do të “skarcojë” mësuesit të cilët vlerësohen “dobët” …, personalisht jam kundër idesë dhe më poshtë po listojë disa arsye;


Së pari, provimi i kualifikimit duhet të shihet si proces trajnimi në vendin e punës i cili përfshin zhvillimin e aftësive dhe njohurive të nevojshme për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e një pozicioni të caktuar dhe jo si një filtër ndëshkues. Jo vetëm që ka ndikim të pallogaritshëm në rritjen profesionale por përveç të tjerave rrit nivelin e stresit tek pjesëmarrësit. Pra përtej arsimimit të marrë në fakultet i cili ka kulmuar me marrjen e titullit “Mësues”,në këtë proces mësuesi duhet të përfshihet në trajnime, eksperiencë pune, dhe aftësi të tjera që janë të nevojshme për të kryer detyrat e caktuara, i orientuar, mbikqyruar dhe i vlerësuar ritmikisht nga drejtori i shkollës, nga stafi i ZVAP-së apo strukturat e tjera drejtuese të arsimit parauniversitar.


Së dyti provimi i kualifikimit nuk mund të shihet si instrument vlerësues i sistemit të arsimit të lartë, për të deleguar “fajin”. Më një vlerësim të tillë në vendosim përballë rezultatet që studenti, sot mësues apo drejtues, ka marrë gjatë viteve të arsimit të lartë, duke e kurorëzuar me diplomën përkatëse. Në një mënyrë apo një tjetër nëse shihet kështu shihet si proces që nxjerr në pah nivelin e programeve që formojnë mësues.


Së treti, nëse e shohim provimin për fitimin e shkallës së kualifikimit si filtër skualifikues atëherë degjilitimojmë procedurat për tu bërë pjesë e sistemit arsimor për më shumë se 13 vite, nga 2011 e në vijim:


  • Procesin e praktikës profesionale që mentorohet nga mësuesit më të mirë në shkollat tona;
  • Provimin e licencës që zhvillohet në mënyrë elektronike pranë QSHA;
  • Portalit “Mësues për Shqipërinë”, proces i cili të vendos përballë testimit të njohurive.


Së katërti, në shumë zona dhe sidomos ato të thella ndjehet mungesa e mësuesve dhe sigurimi i tyre sipas profileve përkatëse është një sfidë më vete. Ndërkohë që reagimi pas pesë, dhjetë apo 20 vitesh ndaj mësuesve që në testim vlerësohen mjaftueshëm është pak i vonshëm pasi në dorën e tyre tashmë kanë kaluar disa breza.


Të gjitha sa më sipër forcojnë arsyetimin se përpjekja jonë e përbashkët duhet të jetë fuqizimi i mësuesve që kemi sot në sistem apo në pritje, me gjithë problematikat që mund të reflektohen në disa raste. Duhet gjetur një formulë se si ky proces të jetë konsistent dhe i fokusuar në formimin e steriotipeve të caktuara të punës me nxënësit.


A është stimuli financiar, pagesa sipas performances, i artikuluar së fundi si “çelësi i suksesit”. Kategorikisht jo, e gjykoj si një masë diskriminuese dhe shumë të rëndë nëse aplikohet në sistemin arsimor për një arsye të vetme: “pabarazi në trajtim për mësues dhe për nxënës”; Dakord mësuesi e ka pranuar kushtin, kur ka nënshkruan kontratën e punës, po për nxënësin kush e mban përgjegjësinë,duke mos u ofruar të njëjtën cilësi arsimi, në gjithë territorin, të paktën sa i takon metodologjisë dhe teknikave të mësimdhënies, pa u futur tek infrastruktura fizike, laboratorët etj. Është absurde të vlerësosh mësuesit dhe ca më shumë të theksosh që një do e paguaj me pak se një tjetër për shkak të performacës. A thua po prodhojmë detale, sende apo produkte fizike dhe kush prodhon në shumë e më shpejt duhet të paguhet më shumë. Kjo ide nuk duhet as të përmendet dhe ca më shumë të zbatohet pasi nuk mendoj se do të jetë motori që do të shtyjë para zhvillimin profesional të mësuesve.


Shteti (MAS) duhet të marrë në dorë, me shumë sinqeritet, pjesën e kualifikimit të stafit mësimor në vendin e punës, duke përdorur resurset akademike, universitetet dhe stafin më të mirë të mësuesve të organizuar në grupetad-hoc, për të vlerësuar nevojat për trajnim në çdo entitet dhe më tej të përgatisë module të caktuara për të balancuar mësimdhënie në çdo shkollë dhe për çdo fëmijë.


Lë të shohim sa me seriozitet do të vijojë trajnimi i 4000 mijë mësuesve gjatë vitit 2024, për të vlerësuar efekti e tij në rritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.


“Suksesi nuk është fat. Është një lojë mundi dhe durimi”


Le të diskutojmë sa më shumë, për të mos u ndodhur gjithmonë para faktit …



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,531 Lexime
2 muaj më parë