“Massachusetts Institute of Technology”

Fjona Parllaku fiton bursë në universitetin më të mirë në botë

Fjona Parllaku u shpall maturantja më mirë e vitit 2016. Një vit më parë, ajo rezultoi fituese në të gjitha preferencat e saj për të vazhduar studimet e larta. Ajo dëshironte të studionte jashtë vendit, aplikoi dhe fitoi!

Fjona Parllaku u shpall maturantja më mirë e vitit 2016. Një vit më parë, ajo rezultoi fituese në të gjitha preferencat e saj për të vazhduar studimet e larta.


Për një vit ajo zgjodhi të studionte në një universitet privat në Tiranë në Programin e Inxhinierisë Elektronike dhe Komunikimit Digjital me bursë të plotë.


Ndërkohë, dëshira e saj ishte të studionte jashtë vendit, mundësisht në një universitet prestigjioz. Fjona zgjodhi të aplikonte në universitetin më të mirë në botë, “Massachusetts Institute of Technology” të cilin e ëndërrojnë miliona studentë të rinj amerikanë dhe nga i gjithë globi.


Në përfundim të vitit shkollor, në fillimet muajit Maj të këtij viti, 19-vjeçares i vjen lajmi që do e bënte me krahë në ato momente. Parllaku ishte pranuar në një nga universitetet më të mira në botë - MIT. Ajo është një ndër 24 studentet që janë pranuar me bursë të plotë në MIT nga e gjithë bota.


Vajza që kishte fituar me dhjetëra olimpiada matematike, brenda dhe jashtë vendit, u shpërblye me këtë mundësi, që e konsideron të rëndësishme për të ardhmen e saj. Ja çfarë thotë Fjona Parllaku në një intervistë për gazetën "Dita". 


Pse një inxhiniere?

Që e vogël kam qenë e apasionuar pas teknologjisë dhe lojërave elektronike. Me kalimin e viteve kurioziteti për të kuptuar më me hollësi si funksionojnë pajisje të ndryshme elektronike apo shpikje nga më të fundit rritej çdo ditë e më shumë.


Unë jam rritur me matematikën dhe fizikën, ato janë pasioni im. Lidhja ime shkencat ekzakte ndoshta më lidhi me Elektronikën më shumë sesa me fusha të tjera. Elektronika është e sotmja dhe e ardhmja.


Tregu premtues që ofron profesioni i inxhinierit elektronik, që në këtë degë është i ndërthurur edhe me mundësinë e aplikimit të teknologjive moderne, komunikimit dhe sisteme të tjera teknike që transferojnë informacione, ishin faktorë të tjerë që më shtynë të bëja këtë zgjedhje.


Krahas talentit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të arritur rezultate sa më të larta përgjatë gjithë viteve të studimit, ka qenë puna e vazhdueshme dhe sistematike ajo që e ka kurorëzuar me sukses çdonjërin prej viteve, që nga shkolla 9-vjeçare e deri në vitin e fundit të gjimnazit.


Në Shqipëri ka me qindra maturantë dhe studentë të shkëlqyer, që bëjnë sakrifica maksimale për të arritur më të mirën, për të patur një formim sa më cilësor, secili prej tyre mund të ishte në vendin tim.


Një gjë të tillë e ke të trashëguar nga familja. Sa kanë ndikuar ata në motivimin tënd dhe në dëshirën për ta dashur shkollën?

Në të vërtetë u jam më tepër se mirënjohëse prindërve të mi që kanë qenë një model perfekt për t’u ndjekur dhe që më kanë qëndruar pranë gjatë hapave më të rëndësishëm të formimit tim intelektual.


Por, për sa i përket zgjedhjes së degës, ata thjesht më kanë dhënë këshilla me shumë vlerë, duke u përpjekur të mos më imponojnë në asnjë formë mendimin e tyre.


-A e konsideron veten një gjeni? Duke marrë parasysh që në 13 vite shkollë keni marrë vetëm notën 10-të…

Nuk do ta quaja. Synimet e mia për të qenë sa më e suksesshme kanë qenë të qarta që në moshë të vogël. Gjithmonë jam përpjekur të mësoj shumë për të marrë maksimumin në një lëndë, në një provim apo në një projekt apo të arrija një nga vendet e para në një konkurs. 


Megjithatë, nuk mendoj që këto janë të mjaftueshme për ta quajtur veten gjeni. Që kur kam qenë e vogël kam patur dëshirë për të qenë një hap përpara programeve mësimore, sidomos në lëndën e matematikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse, me kalimin e kohës u bëra edhe pjesëmarrëse e olimpiadave në lëndë të ndryshme si matematikë, fizikë etj.


Mendoj se është puna sistematike burimi i të gjitha dhjetave gjatë këtyre viteve. Duhet ta theksoj, gjithashtu, që asnjëherë nuk duhet të kënaqemi me aq sa arrijmë. Është e rëndësishme që mos të rreshtim së kërkuari nga vetja, duke dalë ndonjëherë edhe përtej kufijve që mendojmë se jemi të aftë të arrijmë.


(Entela Resuli, Portali Shkollor)

3,641 Lexime
6 vjet më parë