TAKIM ME LIBRIN

FTUAR NË RRETHIN E DHJETË/ Takim me Flutura Açkën

Një takim mbresëlënës ai i mbasdites së djeshme, ku temë kryesore ishte ajo e identitetit të shqiptarëve në raport me historinë e shkuar dhe të sotme. Frymëzim për këtë bisedë u bë romani i fundit i Flutura Açkës...

Një takim mbresëlënës ai i mbasdites së djeshme, ku temë kryesore ishte ajo e identitetit të shqiptarëve në raport me historinë e shkuar dhe të sotme. Frymëzim për këtë bisedë u bë romani i fundit i Flutura Açkës e FTUAR NË RRETHIN E DHJETË. 

Në romanin e Açkës prishet linja e rrëfimit të një romani tradicional. Fati i personazheve kryesore kryqëzohet me fatin e historisë së kombit të tyre, duke i dhënë romanit sa freski letrare aq edhe elemente historike. Kjo realizohet edhe me kthimin përmbys të alegorisë, (figura kryesore në Komedinë hyjnore), e cila i shërben autores si një detaj letrar për të strukturuar rrëfimin e saj. Nga alegoria kemi kalimin në paralelizëm. Siç tha dhe vetë shkrimtarja për mëkatet e politikës shqiptare nuk mjaftojnë 9 rrathë, ndaj asaj i duhej të shtonte dhe rrethin e dhjetë si një gjetje artistike. Kujtimet nga koha e diktaturës kanë një funksion kryesor - për të justifikuar apo për të vërtetuar veprimet e mëpasme apo fatin tragjik të shqiptarëve që vuajnë për shkak të mëkatarëve politikanë. Më të mirët, më të aftët dhe më të ndershmit detyrohen ta gjejnë fatin e tyre larg Atdheut.

Pavarësisht nga rrëfimet e shumta me ngjyresa historike, ndjeshmëria , ndjenja e dashurisë është e pranishme në roman dhe autorja e rrëfen këtë përmes personazheve të saj. Kemi disa ndjesi apo emocione me karakter negativ (si frika, frustrimi, nënvleftësimi i vetes, komplekset në edukimin seksual etj) dhe me karakter pozitiv si, dashuria në kuptimin më universal të saj. 


Ky takim u gjallërua mjaft edhe nga biseda që u zhvillua rreth vështirësisë dhe kurajës që iu duhet grave shkrimtare për të shkruar një letërsi të sinqertë. Censura shtetërore dikur, censura shoqërore sot e veçanërisht autocensura, janë dukuri negative, me të cilat duhet të përballet shkrimtari (pavarësisht nga gjinia) për të realizuar një letërsi të vërtetë.

2,233 Lexime
5 vjet më parë