Pohimi i mësueses

Gabimet janë pika të një nisjeje, jo të një arritjeje të keqe

“Pohime si ai i mësueses së klasës së 10 është themelore që t'i dëgjojnë jo vetëm nxënësit me vështirësi në konceptimin dhe shkrimin e eseve bazike ndërlëndore. Duhet të jemi gjithëpërfshirës: këto deklarata vlejnë për të tërë”

Në klasë të dhjetë mësuesja e historisë deklaroi para nxënësve:

-Unë nuk di anglisht. Kuptoj shumë mirë, por nuk mundem të flas….

Kur e pyes se përse e bën këtë ajo më përgjigjet: 

-Kjo jam unë. Ia them hapur nxënësve që kam probleme me memorizimin e anglishtes.  Për mua është siklet i madh. Po. Herë pas herë përpiqem, por nuk ia dal. Përpiqem...vërtetë.... Kjo do të thotë që nuk arrij ta bëj timen deri në fund. 

Pas kësaj bisede të thjeshtë, pyetja më vjen shumë natyrshëm: 

-Po përse ia thua këtë  nxënësve?

-Sepse është e rëndësishme ta dinë që ne nuk jemi perfektë dhe që, me sa duket, nuk kemi për t’u bërë kurrë të tillë. 


Ndërsa përballem me pohime të tilla, nis të reflektoj mbi raportin e saktësisë dhe gabimit në sjelljen dhe veprimet e nxënësve. Është fakt që adoleshenca lulëzon e stigmatizuar me zhvillimin e furishëm personal dhe hormonal, ndërkohë që shpesh herë jemi të vetëdijshëm se lufta e prindërimit për të siguruar perfeksionin tek fëmija kapitullon pa kushte para refuzimit dhe rebelimit me të cilën adoleshentët i bëjnë rezistencë këmbënguljes së tyre (le ta pohojmë, shpeshherë të paarsyeshme). Ky raport lançon argumentin e mësueses në fjalë si një rregullator në marrëdhënien me individët e kësaj moshe, të cilët para së gjithash kanë nevojë të sigurojnë besimin në vetvete. 


Pohime si ai i mësueses së klasës së 10 është themelore që t'i dëgjojnë jo vetëm nxënësit me vështirësi në konceptimin dhe shkrimin e eseve bazike ndërlëndore. Duhet të jemi gjithëpërfshirës: këto deklarata vlejnë për të tërë.


Shpesh kemi parë nxënës të shpejtë, preçizë, intuitivë të bien në gabime, por duke qenë të paaftësuar për të rënë në gabime, atëherë nuk e pranojnë dhe më keq akoma nuk pajtohen dot me të qenurit poshtë, qoftë edhe për një farë kohe. Nxënësit që nuk janë të mësuar me gabimet, kur ngecin në një “dhe si dreqin bëhet kjo?” gurtësohen. Kjo gjë, jo pak raste ka sjellë forma të ndryshme  reagimesh, ndonjëherë edhe agresiviteti dhe depresioni. Ajo që ne na intereson është motivimi për t'i risjellë në elasticitetin e moshës së tyre. 

Të ringrihen.

Gjithmonë.

Ja pikërisht për këta nxënës, mësuesja bën pohime të tilla para klasës, për të cilat thotë se shpeshherë prindërit i ka pasur skeptikë. Prindërit e dinë mirë që motivimi bën diferencën dhe kështu që punojnë mbi autostimën më shumë se mbi të tjerat. E në fakt është e rëndësishme të kuptojnë se gabimi është një moment refleksioni dhe jo “Ti ke gabuar. Pikë”. 


Të gjithë mund të gabojmë. Është fat që ndodh kështu, sepse është e vetmja gjë ndoshta që na bashkon, që na bën njerëzorë. 


Të edukosh duke u nisur nga gabimi mund të jetë e vetmja rrugë për t’u ndierë pjesë e një grupi në një moment determinues, i cili vjen para përmirësimit. Të shohësh çfarë ndodh pas një gabimi është drejtimi efikas për t'iu qasur nxënësve pozitivisht. Është e pastajmja për të kuptuar të rëndësishmen, është pozitiviteti për të superuar dhe për të zotëruar prioritetin. 

-Në klasë, ndoshta gaboj, ndoshta jo, por e bëj shpesh,-vazhdon mësuesja- përfitoj nga çdo rast për t’i kujtuar secilit nxënës se ku mund të impenjohet për t’u përmirësuar. 


Por jo vetëm në matematikë apo letërsi. Mund e duhet të përmirësohen edhe duke shfaqur përgjegjësi, apo mirësjellje ndaj të tjerëve, duke demonstruar qetësi nëse mbeten pas, duke mos ia prerë fjalën shokut. Vlerë është përmirësimi në rregulla, në të kuptuarit e tyre, në  të qenurit racional në organizimin e një aktiviteti, në shpejtësinë e kalkulimit etj. 


-Nuk humbas kurrë, pothuajse kurrë, rastin- vijon mësuesja-  për t'i rikujtuar nxënësve që të gjithë kemi qëllime për të arritur. Të dish të zgjidhësh saktë në një kohë rekord një ekuacion të vështirë matematike, kjo nuk të përjashton nga nevoja për përmirësim në fronte të tjera.


Sigurisht që përvoja e mësueses na derivon vlerësimin se pikërisht kjo gjë, i jep kurajë atij që ndien vështirësi deri në kockë dhe i jep masën e modestisë atij që nuk i njeh ato.

Një klasë ka gjithmonë nevojë të konsiderohet si grup, të kalibrohet, të respektohet e të gjejë diçka të përbashkët. Nëse mendohemi mirë, të qenurit bashkë për të mësuar është njësia matëse e shkollës. Të qenurit të aftë për të gabuar e për t’iu riparuar është njësia matëse e rritjes personale. Në shkollë kjo duhet të ndodhë çdo ditë, për të gjithë, edhe për mësuesit.


Shkolla duhet të përmirësohet nga shoqëria, përndryshe, çfarë motivi ka për të ekzistuar?

Është bukur kur gabimi bëhet mundësi për të gjetur rrugën e drejtë. Kështu duhet të jetë për të përballur vështirësitë. 


Sigurisht në jetë ndodh të hasësh vështirësi të cilat nuk i kapërcen dot. Edhe kjo është pjesë e lojës. Duhet të mësojmë të dorëzohemi ndonjëherë. Por këto janë përjashtime. 

Në klasë është një punë e përjavshme jo e sistemuar, por sistematike: kur ndodh, ky është moment. 


Unë besoj shumë sepse, siç edhe mendoj çdo ditë, shkolla është gjithçka nga e cila mësohet, nuk mund të jetë e shkëputur  nga qenia njerëzore. Ndërsa si prindër duhet të bëjmë pjesën tonë për të ekzaltuar qëllimet e arritura dhe t'i mësojnë  se gabimet janë pika të një nisjeje dhe jo të një arritjeje të keqe.


(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)



5,139 Lexime
2 vjet më parë