Matura Shtetërore

Hapat që duhen ndjekur për në universitet

Maturantët kanë përfunduar të gjitha provimet dhe janë njohur me rezultatet e arritura. Tani është momenti kur ata duhet të jenë të vëmendshëm dhe të ndjekin të gjithë hapat e nevojshëm për regjistrimet në universitet.

Maturantët duhet të ndjekin me vëmendje të gjitha informacionet që publikohen nga institucionet arsimore si dhe nga universitetet. Kjo për të bërë të mundur që ata të vijojnë studimet e larta, e për këtë duhen parë kriteret e universiteteve, kuotat etj. 


Nga data 5 korrik deri në 15 korrik maturantët do  të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit për në universitet.


30 korrik deri në 04 gusht bëhet aplikimi për në raundin e parë në portalin U-Albania. Fituesit shpallen brenda datës 28 gusht. 


30 gusht deri në 12 shtator bëhen 7 faza 48 orësh dhe regjistrimi në sekretari. Ndërsa data 13 shtator është një datë që i dedikohet çregjistrimit.


15 shtator deri në 20 shtator bëhet aplikimi për në raundin e dytë në portalin U-Albania. Fituesit e kësaj faze shpallen brenda datës 25 shtator.


27 shtator deri në 6 tetor bëhet regjistrimi në sekretarinë mësimore, ndërsa data 7 tetor është e vetmja datë çregjistrimi.


09 tetor deri 13 tetor bëhet aplikimi për në raundin e tretë në portalin U-Albania.


15 tetor deri në 18 tetor bëhet aplikimi për maturantët jo fitues, ndërsa regjistrimet bëhen me 19-20 tetor.

Pyetje dhe përgjigje


Çfarë do të thotë kriter mbi mesataren?

Me Kriter mbi Mesataren, do të shprehet lloji i mesatares/eve të cilën programi i studimit ka përfshirë në formulën e llogaritjes së pikëve.

Mesataret ndahen në disa lloje, sipas peshës që zënë në formulat e secilit program studimi.

Disa nga llojet e mesatareve janë:

Mesatare VKM e cila shprehet si mesatarja aritmetike e Mesatares së Përgjithshme të Gjimnazit dhe Mesatares së Maturës Shtetërore.

Mesatare aritmetike e shkollës së bashku me maturën shpreh mesataren e thjeshtë të llogaritur nga notat e shkollës së mesme së bashku me të maturës.

Mesatare VKM * Koefiçent Profili shpreh mesataren e VKM të shumëzuar me koefiçentin e profilit të gjimnazit të caktuar nga Universiteti.


Çfarë do të thotë pesha e një kriteri?

Me peshë, do të kuptohet përqindja që zë kriteri në formulën e përllogartjes së pikëve të atij programi studimi.


Çfarë janë kriteret me gruplëndë dhe jo grup lëndë?

Kriteret me gruplëndë janë një grup lëndësh të cila, së bashku, përbëjnë një përqindje të caktuar të formulës.

Shembuj me gruplëndë mund të jenë:

Kriter me gruplëndë “Fizikë”, i cili përfshin në përllogaritje (në rast se maturanti e ka zhvilluar) edhe lëndët Fizikë e thelluar, Fizikë e avancuar ose Shkencë.

Kriter me jo gruplëndë do quhen lëndët të cilat, të vetme, përbëjnë një përqindje të caktuar të formulës së programit të studimit.


Çfarë nënkupton “ndikon” në kriteret mbi lëndët?

“Ndikon” nënkupton që mungesa e një lënde llogaritet me notë 0, ndërsa e kundërta nënkupton që llogariten vetëm lëndët që janë zhvilluar.


Çfarë janë kriteret mbi koefiçientët?

Kriteret mbi koefiçentët sipas profileve shprehin koefiçentin e caktuar nga Universiteti mbi profilet e gjimnazit.  Koefiçentët mund të jenë për Program studimi, për Fakultet, ose në rang Universiteti.

Koefiçentët e profileve për një Program studimi, vlejnë vetëm për atë program, dhe jo për programet e tjera.

Koefiçentët e profileve për fakultetin vlejnë për të gjithë programet e studimit të atij fakulteti.

Koefiçentët e profileve për universitetin, vlejnë për të gjithë programet e studimit të atij universiteti.


Çfarë janë kriteret e tjera?

Kriteret e Tjera, janë fusha të përdorura nga Universiteti, për të shprehu Kritere të llojeve të tjera (si p.sh prani e një konkursi pranimi), ose, për të qartësuar maturantët lidhur me mënyrën e llogaritjes së pikëve apo me proçedurat që duhet të ndiqen për aplikim në një program të caktuar studimi.


(Portali Shkollor)

52,912 Lexime
5 vjet më parë