Intervistë

I përzgjedhuri nga Obama Foundation, Egzon Gashi: Lidershipin tim do ta fokusoj tek arsimi në Kosovë

Egzon Gashi është përzgjedhur në programin e Liderëve të Evropës për 2022 të Fondacionit Obama, dhe është cilësuar si njeri i dalluar nga revista Forbes. Çfarë mendimi ka ai për arsimin në Kosovë dhe si do të mund t’i ndihmonte të rinjtë për një të ardhme më të mirë? Lexoni intervistën më poshtë.

Si kanë qenë vitet e studimit për ju? Cila është fusha që keni studiuar, dhe në cilin universitet? Si keni arritur të qëndroni i motivuar gjatë kësaj kohe? 


Kur i fillova studimet në nivelin universitar, fokusi im ishte kryesisht politika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kam studiuar shkenca politike në Universitetin Rutgers në Shtetet e Bashkuara dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit në Angli.


Përvoja ime në universitet ishte shumë pozitive, dhe ajo që më motivonte ishte njohja me njerëz të rinj dhe mësimi i gjërave të reja. Megjithatë, kur jam pranuar në organizatën Teach For America në Shtetet e Bashkuara, fokusi im u zhvendos nga politika në arsim. Pas eksperiencës sime si mësimdhënës për dy vjet në Memphis, Tennessee me programin Teach For America, doja të kisha një ndikim në arsim.


Për të shtyrë përpara punën time të re në arsim, më vonë kam studiuar në Universitetin Johns Hopkins në fakultetin e edukimit. Jam përkrahës i mësimit gjatë gjithë jetës dhe besoj se përkushtimi i duhur është ajo që është më e rëndësishme për suksesin në shkollë.



Pse vendosët të ktheheni nga Amerika në Kosovë? Çfarë aspiratash keni pasur dhe a mendoni se i keni arritur ato? 


Vendosa të kthehem në Kosovë për të zhvilluar organizatën Teach For Kosova. Pas përvojës sime si mësimdhënës me Teach For America, dëshiroja të zhvilloj një organizatë të ngjashme në Kosovë. E dija gjithashtu se ekzistonte një rrjet global i organizatave të ngjashme në të gjithë botën dhe doja që Kosova të ishte pjesë e tij.


Pas gati katër vitesh, aspiratat e mia mbeten të njëjta – shpresoj të zhvilloj dhe të punoj me një grup udhëheqësish të rinj në Kosovë për të përmirësuar sistemin tonë arsimor dhe për të siguruar që çdo fëmijë në Kosovë të ketë qasje në arsim cilësor. Unë synoj ta bëj këtë përmes programit Teach For Kosova, ku çdo vit ne rekrutojmë rreth 20 liderë të rinj në Kosovë që fillimisht bëhen mësimdhënës për një periudhë dyvjeçare dhe më vonë avokues të përjetshëm për një sistem arsimor më të mirë.



Na trego disa karakteristika që keni arritur të vëreni te mësimdhënësit e Kosovës, ndryshe nga ata në SHBA. Çfarë do u sugjeronit mësimdhënësve në Kosovë të bëjnë njësoj sikur në mësimdhënësit në SHBA?


Mendoj se është më e dobishme të krahasohen sistemet arsimore sesa të krahasohen mësimdhënësit. Edhe pse ka dallime të mëdha mes sistemeve edhe brenda Shteteve të Bashkuara, ekziston një ide e përgjithshme që mësuesit rekrutohen në bazë të meritokracisë. Në Kosovë, për fat të keq shpesh nuk është kështu.


Përtej kësaj, mësimdhënësit në Shtetet e Bashkuara nënshtrohen në vlerësime të vazhdueshme të performancës, diçka që përsëri nuk ndodh në Kosovë. Unë besoj se nëse Kosova fokusohet në rekrutimin e drejtë të mësimdhënëve dhe vlerësimin e ndershëm të performancës së mësimdhënëve, sistemi ynë mund të përmirësohet shpejt dhe në mënyrë dramatike.



Në një intervistë keni thënë se ish-presidenti Barack Obama është shembull për ju. Në çfarë mënyrash ju ka motivuar dhe cila është thënia e preferuar nga ai? 


Barack Obama është një lider që e kam admiruar që para se të bëhej President. Puna e parë e Presidentit Obama ishte si organizator në komunitet, ose dikush që i mbronte të drejtat e atyre që shpesh ishin më të margjinalizuar. Pasioni i tij për të ndihmuar njerëzit dhe ndjeshmëria e tij, e çuan deri në Shtëpinë e Bardhë.


Nëse do të më duhej të zgjidhja një thënie nga Barack Obama, ai do të ishte:


“Change will not come if we wait for some other person or some other time. We are the ones we've been waiting for. We are the change that we seek.” 


(“Ndryshimi nuk do të vijë nëse presim ndonjë person tjetër apo kohë tjetër. Ne jemi ata që po presim. Ne jemi ndryshimi që kërkojmë.”)



Çfarë mendimi keni për arsimin e tanishëm në Kosovë? Çfarë do mund t’i ndihmonte të rinjtë për një të ardhme më të ndritshme? 


Besoj se arsimi në Kosovë është zhvilluar pa një vizion të qartë dhe pa qenë fokusi kryesor të nxënësit. Për këtë arsye, përmes organizatës sime, shpresoj të punoj së bashku me liderë të tjerë të rinj në Kosovë për të avokuar për ndryshime në të gjitha nivelet e sistemit arsimor.


Vetëm kur kemi një grup të madh të liderëve me fokus në arsim, mund të fillojmë të shohim ndryshimin që duam. Teach For Kosova synon të luajë një rol të madh në zhvillimin e këtyre liderëve.



Kush mendoni se ka përgjegjësi më të madhe për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë?


E kam parë gjithmonë arsimin si një përpjekje kolektive nga gjithë shoqëria. Prandaj, na takon të gjithëve; mësimdhënësve, nxënësve, prindërve, komunave, shoqërisë civile dhe qeverisë qendrore të zhvillojmë dhe të punojmë drejt një vizioni koherent për arsimin.



Si ndiheni si i përzgjedhur për të qenë pjesë e programit të Obama Foundation për vitin 2022? Pas Fellowship-it gjashtëmujor për zhvillimin e udhëheqësisë së bashku me liderë të rinj në të gjithë Evropën, si mendoni se do ta ndihmoni arsimin në Kosovë?


Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme kur mora këtë lajm – kryesisht sepse Presidenti Barack Obama është dikush që e admiroj si person dhe si lider. Unë gjithashtu e shoh këtë si një mundësi për të përfaqësuar Kosovën ndërkombëtarisht dhe për të zgjeruar rrjetin e organizatës sime, Teach For Kosova.


Së bashku me liderët e tjerë në Evropë, shpresoj të siguroj që në nivel evropian të ketë një fokus nga udhëheqësit në arsim. Shpresoj të sjell investime të reja në Kosovë, liderë të rinj në Kosovë dhe të zgjeroj rrjetin tim dhe rrjetin e Teach For Kosova.



Nga revista Forbes, jeni përzgjedhur njëri ndër 30 njerëzit më të dalluar (30 under 30), për ndikim shoqëror në Europë. Çfarë do t’i këshilloje të rinjtë që dëshirojnë të arrijnë një sukses të tillë? 


Besoj se suksesi im, dhe suksesi i Teach For Kosova, është rezultat i pasionit që kam për programin, si dhe i pasionit që kam për të përmirësuar sistemin arsimor të Kosovës. Prandaj, këshilla që do të jepja është e njëjta këshillë që shpresoj që mësuesit t'u japin nxënësve në klasë. Suksesi do të vijë nëse gjeni diçka për të cilën jeni të pasionuar dhe punoni drejt saj me përkushtim si dhe me durim.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,644 Lexime
2 vjet më parë