Intervistë

Intervistë me Anën e "Miushit lexues" të librarisë Albas

Pasioni për librat e ka bërë atë të ndërmarri një organizim tejet të veçantë në edukimin e fëmijëve e të bashkëmoshatarëve të saj. Ana Dede, ose siç njihet ndryshe Ana e “Miushit lexues”, na rrëfehet në një intervistë për interesin dhe suksesin që ka pasur klubi i leximit në librarinë Albas.


Ana, prej pothuajse një viti organizon aktivitetin e klubit të leximit për fëmijë “Miushi lexues” në librarinë Albas. Si të nisi ideja për të krijuar këtë klub dhe çfarë mund të na thuash për ecurinë e tij (nga fillimi deri më tani), si i kanë pritur fëmijët takimet për librin, sa të interesuar kanë qenë ata?  


Ideja për klubin e leximit në fillim për mua ka qenë një shaka që bëra me shoqet e mia. Kur i kam thënë mamit, ajo me ofroi ta ndihmoja te klubi i leximit “Miushi lexues", që zhvillohet pranë librarisë Albas. Unë pranova me kënaqësi. Ne fillim nuk ishin shumë fëmijë, por gjithsesi ishte shumë qejf. Ne luanim lojëra dhe lexonim libra së bashku. Pak e nga pak filluan të vinin më shumë fëmijë dhe grupi i leximit u bë më i madh. Nga 3-4 fëmijë, ne kemi arritur në 10 -15 fëmijë.


Nëse do ndaleshim më konkretisht, si i keni zhvilluar këto takime? Sa fëmijë bëhen pjesë e leximeve/diskutimeve dhe të cilave grupmosha janë ata? 


Zakonisht grupet janë të moshave nga 7 deri në 13 vjeç. Në varësi të librave që ne lexojmë caktohet edhe data. Nëse lexojmë romane, atëherë ne shpenzojmë 2 të shtuna njëra pas tjetrës. Nëse kemi libra nga seria për shembull “klasikët e vegjël”, e bëjmë klubin e librit një të shtunë në dy javë, që fëmijët të kenë mundësinë ta lexojnë dhe ta kuptojnë librin më mirë.

A do të vazhdoni ta zhvilloni “Klubin e leximit për fëmijë” edhe gjatë verës?


Tani në verë është pak më e vështirë që të mblidhemi në të njëjtat data dhe orare, pasi një pjesë e mirë e fëmijëve është me pushime.


Po për të rifilluar takimet për librin keni vendosur diçka? 


Ne ende nuk kemi caktuar një datë ekzakte fatkeqësisht.


Po ndërkohë, çfarë u ke sugjeruar fëmijëve të klubit që të lexojnë gjatë kësaj periudhe? 


Unë jam përpjekur t’i shtyjë fëmijët të fillojnë të lexojnë literaturë nga autorët shqiptarë për fmëijë si librat e të mirënjohurit Bedri Dedja “Kalamajt e pallatit tim 1” dhe “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit". Po kështu, i kam rekomanduar edhe titujt “Legjenda Shqiptare”, “Gënjeshtra të bardha”, “Fillo me gëzue”, “Gjyshi në kornizë” etj. 



Përveçse për klubin që organizon, ne jemi kureshtarë të dimë më shumë edhe për Anën lexuese. Si je “lidhur” me librat dhe pasionin për t’i lexuar ata? 


Familja ime gjithmonë më ka inkurajuar të lexoj. Leximi ka qenë një pasion i imi që e vogël. Më pëlqen t’i përjetoj librat, por në të njëjtën kohë të kem edhe mundësinë ta zgjedh mënyrën si ta kuptoj.



Cili është libri yt më i preferuar dhe pse?


Kam shumë shumë libra të preferuar. Është e vështirë të them cili më pëlqen më shumë, por një libër shumë i bukur që ja rekomandoj të gjithëve është “Kopshti sekret”. Është një libër që flet për rrugëtimin e një vajze nga një person që gjithnjë donte dhe kërkonte më shumë, por kurrë nuk kishte mjaftueshëm në një vajzë që gjeti vetveten dhe zbuloi se dashuria e familjes së saj ishte e vetmja gjë që ajo donte.



Mbase shumë fëmijë nuk e kanë të qartë rëndësinë e librave dhe të leximit. Çfarë do u thoshe  atyre për të qenë sa më pranë librave dhe sa më larg ekraneve të ashtuquajtur të “zgjuar”?  


Leximi është një mënyrë për të mësuar si të shprehesh më qartë dhe më bukur. Kur një fëmijë lexon (pavarësisht se nuk e pëlqen librin) ai ose ajo arrin të mësojë rregullat e shkrimit, por edhe rendin e fjalëve dhe fjalive. Kam venë re se shumë prindër mendojnë se është faji i mësuesve që fëmijët kanë probleme me artikulimin e saktë dhe të qartë, dhe pavarësisht fakti qëndron që ka raste të tilla, por shumicën e kohës faktor negativ mendoj është qëndrimi para ekraneve dhe ekspozimi ndaj një zhargoni të përditshëm.



Ana, edhe pse je vetëm 14-vjeçe, dimë që ti merresh me shumë aktivitete, përveç shkollës (kur është e hapur). Mund të na thuash si është dita jote dhe si e menaxhon kohën për të gjitha?  


Unë përpiqem të vendos orare të sakta për çdo gjë përfshirë dhe aktivitetet ekstra. Është pak e vështirë në disa raste, por gjithmonë përpiqem pavarësisht se mund të duket shumë e rrëmujshme të menaxhosh ditën.



Dhe në fund, dëshiron të ndash një mesazh a këshillë për bashkëmoshatarët e tu? 


Pavarësisht se mund të mos ju pëlqejnë librat përpiquni që pak e nga pak të lexoni. Jo për të tjerët. Jo për t’u mburrur. Por për veten tuaj.

Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

880 Lexime
10 muaj më parë