MËSIMDHËNIA IDEALE

Ja si do të ishte një shkollë dhe mësimdhënie ideale

Në opinionin tim figura e mësuesit dhe të fituarit e respektit nga nxënësit e tij/saj, është një faktor i rëndësishëm si dhe një mënyrë e duhur për të promovuar dhe implementuar disiplinën pozitive...

Për të pasur një shkollë më të mirë, përveç financave dhe vullnetit politik një faktor i rëndësishëm është edhe vizioni dhe përkushtimi i drejtuesve, mësuesve, prindërve dhe fëmijëve. Shkolla jonë sot përballet me shumë sfida dhe një prej tyre që duhet përmirësuar është edhe disiplina në shkollë. Shkolla e duhur e shikon disiplinën pozitive si një mjet që i ndihmon nxënësit e saj të jenë të suksesshëm dhe të pranueshëm në shoqëri. Disiplina pozitive është qasje që promovon sjelljen e mirë duke u fokusuar në zhvillimin përgjithshëm të fëmijëve. Fëmijët kanë nevojë për drejtim, edhe kur ata gabojnë nuk duhen poshtëruar, por gabimi duhet parë pak dhe si oportunitet nga i cili ata nxjerrin mësime.


Nëpërmjet modelit, drejtimit, instruksioneve praktike, mbështetjes, fëmijët fitojnë aftësi dhe vlera që promovojnë sjelljen e mirë, besimin, respektin për veten si dhe karakterin. Një shkollë e mirë i ndihmon nxënësit e saj të zhvillojnë disiplinën, duke i edukuar të zbatojnë rregullat, duke i instruktuar se si të sillen si dhe duke i mbështetur për tu përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme. Nëse kjo disiplinë zbatohet atëherë do të promovohen aftësitë sociale, etika, komunikimi, por dhe rritet cilësia e nxënësve dhe studentëve. Për më tepër një shkollë e tillë i inspiron fëmijët të jenë të vullnetshëm dhe i bënë ata të kuptojnë që të arrish qëllimet duhet të punosh fort. Për të zhvilluar disiplinën pozitive ka disa mënyra dhe rrugë.


Në opinionin tim figura e mësuesit dhe të fituarit e respektit nga nxënësit e tij/saj, është një faktor i rëndësishëm si dhe një mënyrë e duhur për të promovuar dhe implementuar disiplinën pozitive. Një mësuese që fiton respektin e çdo nxënësi në klasë e ka dhe me të lehtë mësimdhënien, duke i drejtuar fëmijët drejt një të ardhme të suksesshme. Çfarë duhet të bëjë një mësuese që të fitojë respektin e nxënësve? -Një mësues që të fitoi respektin e nxënësve të tij duhet të ketë integritet, etikë, të jetë i qeshur , i sinqertë, i përgatitur për orën e mësimit por dhe i veshur si duhet për një edukator që pritet të edukojë. Fëmijët marrin nga sjellja e mësueses si dhe sjellja e saj reflektohet te nxënësit e klasës së saj. -Vendosja e rregullave dhe mëshimi te disiplina është një element shumë i rëndësishëm.


Nëse mësuesja thotë një gjë dhe nuk e përmbush dhe nuk mban fjalën kjo do zhbënte ndjeshëm respektin e nxënësve ndaj saj. Të qenët i drejtë, i besueshëm, të mbash fjalën, kanë një rol të rëndësishëm për të fituar respektin e nxënësve. Nëse mësuesja gënjen dhe kjo zbulohet nga nxënësit , kjo do e trondiste shumë respektin ndaj saj. -Asnjëherë nuk duhet të bëhesh palë me nxënësit. Sigurisht një marrëdhënie e mire është e rëndësishme, por mësuesja duhet të ketë autoritetin dhe nuk mund të ketë marrëdhënie me nxënësit siç ata kanë me njëri-tjetrin. Po ashtu nuk mund të sillesh sikur je prindi apo shefi apo të bëhesh shokë me ndonjërin prej nxënësve, por gjithmonë duhet të marrësh rolin e mësueses. 


Në sytë e tyre duhet të jesh mësuesja që respekton çdo fëmijë si qenie unike dhe e trajton me dinjitet dhe respekt. Respekti reciprok është primar. Nëse respekton e sigurt do të respektojnë dhe kjo do bënte shkollën dhe klasën, vendin ku fëmijët vijnë më kënaqësi. Mësuesit që janë të prerë dhe të drejtë në klasë zakonisht janë të respektuar nga nxënësit e tyre –Në ambientet e klasës apo shkollës fëmijët duhet të ndiejnë atmosferën demokratike. Kjo nënkupton që opinionet e tyre vlerësohen dhe merren parasysh. Në çdo aktivitet që bënë në klasë kërko ide nga nxënësit. Ata ndoshta kanë ide dhe mendime për të bërë aktivitetin më mirë. Fëmijët janë shumë të ndryshëm dhe kane interesa të ndryshme, informacione të ndryshme dhe kjo do ndihmonte për një aktivitet apo dhe mësim më të mirë.


-Është shumë e rëndësishme të gjesh pak kohë për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Kjo do të rriste respektin ndaj mësueses, por dhe ndihmon mësuesen të zbulojë anët e dobëta dhe të forta të çdo fëmije dhe kështu do të fitosh më shumë respekt. 


-Pavarësisht moshës së fëmijëve të gjithë kanë nevojë për pak humor dhe kënaqësi dhe kur kjo është prezentë në mësim dhe e ndërthur në mënyrë të drejtë me mësimin, mësimi është me efektiv. Mësim jo gjithmonë njëlloj, por ndonjëherë një mësim nëpërmjet lojës, apo veprimtarive praktike etj.. është më i pëlqyeshëm për fëmijët. Mësuesja nuk mund të ndryshojë kurrikulën apo përmbajtjen e lëndës, por mësimin nuk e ndalon njeri ta bëjë sa më atraktiv dhe të kuptueshëm për klasën. Një mësim në mënyra të ndryshme stimulon mësimnxënjen dhe shton respektin për mësuesen.



(Mimoza Sulaj)

4,146 Lexime
4 vjet më parë