MARSI

Jo vetëm 7 Mars - njihuni me propozimin e mësuesit Evans Drishti

Le ta shpallim muajin Mars si muajin e edukatorëve dhe të nënave të përkushtuara, muajin e kërkimit të dijes dhe transparencës, muajin e kërkimit të kulturës!... Le të mos ngelet ky 7 Mars dhe ky 8 Mars thjesht festa të një dite, por të disa ditëve me radhë, ku atmosfera të mos jetë e cunguar dhe e kufizuar.

Për të gjithë lexuesit e nderuar që rezervojnë nga koha e tyre e vyer për të lexuar shkrimet e këtij portali, një titull i tillë dhe për rrjedhojë edhe ky shkrim do ju vijë “disi ndryshe” pse jo edhe “befasi”, për vetë faktin se menjëherë drejtojnë pyetje të tilla si: “Ç’lidhje ka 7 Marsi tani?”, ose “Kemi kohë për festimet e 7 Marsit” apo “Jemi akoma në Shkurt, do edhe pak të vijë Marsi!” …

Jemi mësuar që zakonisht përmendjen e festave të ndryshme ta lexojmë apo ta shohim vetëm në ditët përkatëse të datës së shënuar, dhe “ajo ditë” natyrshëm merr një tjetër ngjyrim, sado e zakonshme të jetë mënyra e festimit, thuhen ato “gjëra klasike” që janë për t’u thënë, rreshtohen “si zakonisht” ato lëvdata apo urime klasike dhe “e nesërmja” vijon në rutinën e saj, sikur s’ka ndodhur asgjë apo jeta na sjell rrjedhën e zakonshme. Prandaj është e rëndësishme të kuptojmë se “e natyrshmja” dhe “rutina” mund të ndryshojnë vetëm nëse jemi “ne” ata që i sjellim si “të ndryshme”. 

Prandaj me këtë rast shpreh falënderimet dhe mirënjohje për “Portalin Shkollor Albas” që na mundëson herë pas here të ofrojmë të tilla “ndryshueshmëri” që padiskutim na gjallërojnë dhe na ripërtërijnë përditshmërinë tonë profesionale.


“Kishte ardhur atë ditë në orarin e zakonshëm, por jo si zakonisht. Një tjetër zell e kishte mbërthyer, një tjetër emocion, një tjetër kënaqësi që i jepte vizioni dhe botëkuptimi që do të reflektonte te nxënësit e tij, menjëherë sapo të hynte në klasë. Më rënien e ziles, që natyrshëm lajmëronte nisjen e një ore mësimore, ku sipas rasteve për disa do të sillte bezdisje e për të tjerë kënaqësi, prezenca e tij në atë klasë dhe fisnikëria që e karakterizonte që në paraqitje reflektoi dukshëm te nxënësit, të cilët e prisnin me padurim, për vetë faktin se ia njihnin tashmë natyrën e tij “të hareshme” dhe “plot surpriza të çastit” dhe një gjë e tillë i bënte ata të dashuroheshin së tepërmi edhe pas asaj lënde edhe pas atmosferës që krijohej. S’e pëlqente klasiken dhe rutinën, prandaj nisja dhe komunikimi mund të vinin krejt natyrshëm në varësi edhe të emocionit të reflektonin nxënësit e pranishëm. I pari veprim i tij ishte “një shëtitje e shkurtër, por mjaft domethënëse me shikim hetues” të atmosferës dhe shikimi i tij çudibërës mbërrinte në sytë e secilit prej nxënësve, madje disi edhe therës. Pasi bindej në vetvete se të pranishmit ishin aty edhe fizikisht edhe shpirtërisht atëherë plaste batutën e parë “Ju e dini, se edhe ju dua edhe ju respektoj të gjithëve” dhe natyrshëm, reagimi si përgjigje e tyre në formë korale ishte “Edhe ne, profesor, ju duam dhe ju respektojmë!”. Dhe do mjaftonte ky komunikim i parë për të sjellë një mbarësi në atë proces… 


… Komunikimi vijonte ëmbëlsisht dhe maturisht me secilin prej nxënësve, si për t’i bërë të kuptojnë se ekzistenca e secilit kishte një rëndësi parësore për të. Edhe pse të gjithë ishin të ndryshëm si për nga natyra ashtu edhe për nga temperamenti dhe përgatitja, besonte fuqimisht se çdonjëri prej tyre zotëronte dhunti të shumta, dhe një përqindje sado e vogël reflektonte dhe duhej të reflektonte edhe për lëndën e tij. Kjo “përkëdheli” u pëlqente të gjithëve, e për rrjedhojë vëmendja ishte e madhe në atë çfarë fliste. Natyra e tij dhe natyrshëm edhe aftësia profesionale ishte që të ulej në botëkuptimin e secilit, thuajse gërmonte diçka në gjetje të atij “misteri të shumëdëshiruar”, dhe s’dilte pa rezultat, madje vetë fëmijët habiteshin kur përballeshin me ato realitete që në fakt sillnin edhe karakteret e tyre të veçanta…


… Çdonjëri përgjigjej dhe aktivizohej, qoftë edhe me një përgjigje të shkurtër, qoftë edhe me një pyetje, qoftë edhe me një frazë, por secila prej tyre s’kishte dyshim se i jepnin një kënaqësi “të pallogaritshme”, pasi “mundimi” s’shkonte dëm”. Teksa shpjegonte me aq përkujdesje, s’mungonin ndodhi të shumta, të lidhura në të shumtën e rasteve edhe me temën që trajtohej. Kjo i bënte fëmijët “të ngriheshin” pasi një botë e re hapej përpara syve të tyre. Reagimet vinin të menjëhershme pasi “edukatori i tyre” seç kishte një ëmbëlsi që ta ngrohte shpirtin, edhe pse lënda në dukje ishte e vështirë. S’ishte shumë e nevojshme për të, të kishte minuta të shumta në dispozicion për shpjegim, pasi “esenca” dhe “thelbësorja” jepej konkrete dhe qartazi. Fëmijët e kuptonin se ku duhej të përqendroheshin dhe natyrshëm “tema e ditës” kuptohej që në klasë. 


Shënimet në tabelë karakterizoheshin nga një sistematikë e veçantë, jo vetëm për nga shkrimi, por edhe nga mënyra e paraqitjes logjike dhe të kuptueshme. Shpeshherë dëgjoheshin prej fëmijëve shprehje apo fraza të tillë si: “Ju lumshin duart!”, “Jeni i mrekullueshëm!”, “Ju jemi mirënjohës për angazhimin tuaj!” apo “Jemi fatbardhë që ju kemi mësimdhënës!”… Të tilla fraza vlenin sa për dhjetëra “peshqeshe” që mund t’i vinin në “datën e shënuar” të “7 Marsit”. Pasi ai ishte “për ta” dhe “në profesionalizmin e tij” dhe ishte mëse i vetëdijshëm se të tilla “vlerësime” vinin shumë të sinqerta, pas një preokupimi të lodhshëm për një përgatitje serioze për ta…


S’mungonin shpeshherë as dhuratat simbolike që u bënte fëmijëve qoftë si shpërblim i ndonjë përgjigjeje të saktë që vinte aq këndshëm dhe “joshëse” qoftë edhe “për ti blerë” zemrën dhe shpirtin ndonjërit që mendonte se “s’vlente”, si një shtysë e mirëfilltë për ta risjellë në “botën e dijes dhe të kulturës”. Por ndodhte edhe ndonjëherë, siç ndodhi edhe atë ditë, kur njëri prej nxënësve i dhuroi diçka shumë të veçantë, ishte pikërisht një punim i vetë nxënësit “në punim druri” ku mu në brinjë shënohej edhe emri i mësimdhënësit të tij. Të gjitha këto vinin si rrjedhojë e këtij raporti mjaft fisnik dhe njerëzor që mësimdhënësi kishte arritur të krijonte, tashmë prej kohësh, me fëmijët e tij….” 


9 marsi i një viti më parë, s’përbënte në fakt asnjë datë të shënuar, por një ditë e cila shpërndau të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit në shtëpitë e tyre. Asgjë nuk kuptohej në atë kohë, thjesht flitej për një “virus” apo “epidemi” për të cilën “shpresohej” të ishte e përkohshme dhe shumë shpejt të ktheheshim në vendet e mëparshme. Por ja që s’ndodhi kështu!... Askush s’e priste se ajo datë do shënonte edhe pikënisjen e një “jete të re” me një “sistem të ri”…. Sapo kishim dalë nga atmosfera festive e 7 dhe 8 Marsit, dhe emocionet ishin tejet të freskëta, të gjitha edukatoret dhe nënat zbukuruara, të veshura s’ka më bukur, plot hijeshi, kundërmonin aroma të këndshme parfumerish, dhuratat e larmishme, pa llogaritur kuptohet edhe paratë e shpenzuara për ato dhurata, dhe natyrshëm kafenetë dhe restorantet e tejmbushura dhe tejngjeshura nga gumëzhitjet mëmësore dhe edukatore… 


Tashmë pas një viti përballemi me një tjetër realitet, një tjetër rrethanë… Pa ato grumbullime, pa ato gumëzhitje zërash, pa ato përqafime, pa ato fytyra të buzëqeshura… E megjithatë jeta vijon… Të gjithë kuptuam se jo gjithçka mbetet “e pandryshueshme”, të gjithë kuptuam edhe njëherë rolin dhe rëndësinë parësore që ka shëndeti në jetën e secilit prej nesh, kuptuam se “njeriu” është një qenie jetike dhe se duhet vlerësuar, kuptuam se pavarësisht kushteve dhe rrethanave mësimdhënia dhe mësimnxënia “duhet vijuar”… 


Megjithatë, ka edhe diçka që duhet të kuptojmë edhe më mirë, ta duam njëri – tjetrit dhe ta gëzojmë njëri-tjetrin, dhe për ta arritur këtë s’është e thënë të shpenzojmë para të shumta, mjafton edhe një buzëqeshje e pakursyer në përditshmërinë tonë, mjafton edhe një fjalë e mirë dhe e ëmbël që të jep gas dhe hare, mjafton një komunikim njerëzor, mjafton një fisnikëri dhe respektim i fjalës së dhënë, mjafton ta pranosh tjetrin dhe intelektin e tij, mjafton të pranosh se është dikush që mund të dijë diçka më shumë nga ti, mjafton të kuptosh se ka diçka që duhet të dish dhe të kuptosh më shumë nga ç’di, mjafton të mjaftohesh me atë që ke dhe ta ruash si “pasurinë tënde më të shtrenjtë”… 


Shumë të nderuar mësimdhënës! 


Çdo ditë e njeriut është dhe duhet të jetë një ditë festimi, pasi çdo ditë njeriu përpiqet të plotësojë qëllimet dhe objektivat e veta. Le të aspirojmë në jetën tonë dhe mos të mjaftohemi me pak! Le të kërkojmë “të ndryshmen” në natyrën tonë dhe ta reflektojmë atë pikësëpari në veten tonë e më pas edhe në rrethet tona! Le ta zhvillojmë veten përtej asaj “diplome” që zotëruam me aq sukses kur përfunduam vitet universitare! Le të kuptojmë se ekziston gjithmonë diçka më shumë nga ai tekst i ofruar në librin shkollor! Le të kuptojmë se “ditari” i përgatitur me aq rigorozitet është vetëm një pasqyrë tek e cila shohim përgatitjen dhe prioritetin tonë, por që nxënësi nuk është në atë “ditar”! Le të kuptojmë se përballja me realitetin është një shkollë më vete dhe për këtë duhet të “mbërrijmë” në natyrën e tjetrit! Le ta kuptojmë se komunikimi i çiltër dhe plot dëshirë sjell fryte të paimagjinueshme në integrimin individual dhe shoqëror! 


Sot më shumë se kurrë është koha të sillemi më praktikë dhe dashamirës, ta përqafojmë jetën me të gjitha misteret e saj, ta kërkojmë të ndryshmen dhe risinë, sado e vështirë të na duket. 


Sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të flasim me kolegun e punës apo të zyrës, me mikun apo mikeshën, me nxënësin apo familjarët e tij… Të ndajmë shqetësimet që mbartim, momentet që na japin më shumë gëzim dhe harmoni…  


Le të lexojmë diçka, qoftë edhe një fjali, qoftë edhe një frazë, qoftë edhe një paragraf, qoftë edhe një shprehje… Ta ndajmë me tjetrin, qoftë ky kolegu ynë, nxënësi apo edhe prindi, pasi gjërat marrin kuptim vetëm kur ndahen me njëri-tjetrin…  


T’u shmangemi mesazheve të panumërta dhe “stresit” që na jep ideja për t’u kthyer përgjigje “të menjëhershme”, por t’u japim më shumë hapësirë bisedave, qoftë edhe nëpërmjet platformave “zoom” e të ngjashme me to, me miqtë që na duan dhe na vlerësojnë, me anëtarët e farefisnisë, me nxënësit tanë që interesohen në mënyrë të vazhdueshme … 


Le të flasim me kolegët për projekte të ndryshme dhe natyrshëm “të realizueshme”, përtej atyre bisedave “të zakonshme” dhe nganjëherë edhe “të rëndomta” të kafeneve… 


Le të diskutojmë me nxënësit për dëshirat dhe ëndrrat e tyre, t’u japim atyre mundësinë të forcojnë botën e tyre imagjinare, të kuptojnë “logjikën” e gjërave që i rrethojnë!… 


Le të gërmojmë pak në gjurmët e historisë, që të kuptojmë trashëgiminë tonë, dhe për rrjedhojë identitetin tone!… 


Le të përpiqemi ta flasim qartë dhe bukur gjuhën tonë, shqipen tonë, t’u shmangemi shkurtesave të pakuptimta dhe të panevojshme.. Të mos themi “flm”, por “Faleminderit!”, të mos themi “gz”, por “gëzuar”, të mos themi “ok”, por “Në rregull”, të mos themi “çao”, por “Mirë u takofshim”, të mos themi “Tung”, por “Tungjatjeta” që në fakt ka kuptimin “Tu zgjatë jeta”… 


Le ta shpallim muajin Mars si muajin e edukatorëve dhe të nënave të përkushtuara, muajin e kërkimit të dijes dhe transparencës, muajin e kërkimit të kulturës!... Le të mos ngelet ky 7 Mars dhe ky 8 Mars thjesht festa të një dite, por të disa ditëve me radhë, ku atmosfera të mos jetë e cunguar dhe e kufizuar, ku të shpallim projekte interesante që na shërbejnë neve, nxënësve tanë, familjeve të tyre dhe natyrshëm gjithë shoqërisë! Mos të harrojmë se edukimi nis që nga gjiri i familjes, për rrjedhojë edukatorët e parë të fëmijëve padyshim që janë vetë prindërit e tyre të mrekullueshëm. Le ta forcojmë akoma më shumë trinomim e pashtershëm “mësues – nxënës – prind” dhe do shihni se frytet do të jenë akoma më të dukshme!... 


S’është e nevojshme të presim ditën e shënuar të “7 Marsit” apo edhe të “8 Marsit” për t’u thënë mësuesve apo kolegëve “Gëzuar”, por të gëzoni dhe të gëzoheni çdo ditë nga frytet e punës suaj. Kjo është në dorën e secilit. 


Gëzojuni ditës dhe profesionit tuaj! 


Nga Evans Drishti 




Publikim N. Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,149 Lexime
1 javë më parë