BOTIM I RI

“Kafsha e zemrës”, vjen në shqip kryevepra e nobelistes Herta Müller

Shtëpia botuese “Albas” sjell botimin e saj më të ri në këtë prag panairi të librit në Tiranë. Vjen në shqip romani “Kafsha e zemrës” nga shkrimtarja gjermane, Herta Müller, fituese e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2009.

Me përkthim të Anna Kove, “Albas” sjell në shqip romanin fitues të çmimit “Nobel”, “Kafsha e zemrës” të autores gjermane Herta Müller. 

Personazhi kryesor, një studente e komunitetit shvab gjatë regjimit të Çausheskut në Rumani, tronditet nga vetëvrasja e Lolës, njërës prej shoqeve të saj të dhomës. Akoma më e ankthshme bëhet gjendja, kur i bie në dorë ditari i saj. Kjo vdekje e mistershme do të bashkoje përjetë katër miq: personazhin kryesor, Kurtin, Edgarin dhe Georgun, të cilët së bashku do përpiqen t`u bëjnë ballë përndjekjeve, spiunimit, dhunës dhe mungesave të panumërta. Absurditeti i jetës në diktaturë dhe qëndrimi i paepur disident ecin krah për krah në këtë roman, i cilësuar si kryevepra e nobelistes Herta Müller. 


Romanin “Kafsha e zemrës” të Herta Müller do të mund ta gjeni tashmë në librari, ndërsa ai do të jetë pjesë e stendës së shtëpisë botuese “Albas” gjatë Panairit të Librit Tirana 2019. 

Herta Müller – nobelistja e letërsisë për vitin 2009


Lindur më 17 gusht 1953 në qytezën Nickidorf të Rrethit Timishoara (Rumani), shkrimtare e gjuhës gjermane, por që trajton në librat e saj makthin e krijuar nga regjimi diktatorial në Rumaninë e periudhës komuniste, Herta Müller është e bija e një ish-oficeri të ushtrisë gjermane, shpronësuar nga bolshevikët. E ëma e shkrimtares vuajti vite me radhë internimin. Herta Müller ndoqi studimet për gjermanistikë në Timishoara. Miqësia me anëtarët e Grupit të Veprimit Banat (Aktionsgruppe Banat), ku bënin pjesë studentë dhe shkrimtarë me shtetësi rumune e prejardhje gjermane, që mbanin qëndrim kundërshtues ndaj regjimit komunist, e shtynë në qendër të vëmendjes së Securitatea-s (Sigurimi). Si pasojë e mospranimit për të bashkëpunuar me Sigurimin, Herta Müller u pushua nga puna dhe u dërgua me forcë, për “riedukim”, në një “mjedis punëtor të shëndetshëm”, në ndërmarrjen “Teknometal”. 

Më vonë punoi si përkthyese, edukatore dhe mësimdhënëse e gjermanishtes. Biografia e saj gjendet pjesërisht në vëllimin “Mbreti përkulet dhe vret”. Herta Müller debutoi me vëllimin "Niederungen" - "Trevat e ulëta", në vitin 1982, pas një përballjeje të ashpër me censurën, që ia cenoi ndjeshëm dorëshkrimin. Dy vjet më vonë, libri pa dritën e botimit në Gjermaninë Perëndimore ashtu siç e pat shkruar autorja. Në vitin 1987, Herta Müller dhe bashkëshorti i saj i atëhershëm, shkrimtari dhe mendimtari Richard Wagner, mërguan në Gjermani. 

Herta Müller është anëtare e Akademisë Gjermane për Letërsi e Poezi dhe ka qenë e propozuar për Çmimin Nobel qysh në vitin 1999. Ndërsa ajo e fitoi atë dhjetë vite më vonë, në vitin 2009, për veprat e saja rreth jetës në Rumani, Evropën Juglidore pas Luftës së dytë botërore, dëbimin e pakicës gjermane në pjesën rumune në Banatë, si dhe për esetë e mbi traumat e luftës dhe ikjen e saj në Gjermani.


(N. Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

2,329 Lexime
4 vjet më parë