Analizë

Koncepti bashkëkohor didaktik i trekëndëshit mësimdhënës-nxënës-prind karshi mësimit në distancë dhe online

"Të mësuarit në distancë ua ndryshoi rolin trekëndëshit mësimdhënës-nxënës-prind. Mësimdhënësit nga të qenurit “derdhës të diturive në skenë” kaluan në regjisor të diturive nga distanca. Ndërsa prindërit morën rolin e të nxënit të nxënësve-fëmijëve të tyre". Një analizë nga pedagogia Besiana Rexhepi.

       Në të gjithë botën përballë sfidave që ka shfaqur pandemia Covid 19, koncepti bashkëkohor didaktiko-mësimor nën autoritetin e plotë që ka pasur mësimdhënësi më parë, përfshirë dhe adaptimit të kurrikulës së fundit po vazhdon ta humbas rëndësinë që e kishte dikur, madje edhe tjetërsuar atë thuajse në “makinë elektronike”, të cilën mund ta dirigjojnë edhe faktorët e tjerë mësimor.


    Mësuesit e sotëm të obliguar të ju përshtaten ndryshimeve ad hoc si rrjedhojë e Corona Virusit mbesin me këto karakteristika duke i pasur këto role:


  1. Rol organizativ dhe operativ të orës mësimore përmes pajisjeve teknologjike dhe platformave digjitale: Zoom, Meet, Classrom etj;
  2. Nga paraqitja e plankonspekteve ditore në fletore pune- në ndryshim të programimit të tyre në mjete digjitale: word, power point, adobe reader etj;
  3. Përkufizues i kohës mësimore ashtu siç e lejojnë pajisjet teknologjike ose dhe energjia elektrike;
  4. Pasqyrë e vetvetes për të parë se ku gjenden me zhvillimin e njësive mësimore, përmes xhirimit të tyre nga mjetet digjitale;
  5. Kontrollues formal objektiv të orës dhe prezencës së nxënësve;
  6. Tjetërsimi i tyre nga të qenurit mësimdhënës klasik në atë virtual;
  7. Të imponuar të japin vlerësime edhe më jo reale seç i kanë dhënë në mësimin në klasë.


      Kundrejt kësaj shumë aktivitete mësimore vizualizohen, konkretizohen, por më shumë mekanizohen sesa vërtetë mësohen, gjë që pësojnë më shumë nxënësit, sidomos në lëndën e matematikës kryesisht.


       Koncepti bashkëkohor didaktik i rolit dhe angazhimit të nxënësit në të mësuarit në distancë dhe online e liron mësimdhënësin nga të mësuarit fizik në klasë, por e obligon nga të mësuarit nga largësia, ndërsa mësimdhënësit ua ndërron rolin nga të qenurit “derdhës i diturive në skenë” tek ai i regjisorit të diturive nga distanca. Megjithatë teknologjia nuk ngelet faktori kryesor i ndryshimeve të tilla, por dhe as faktori i vetëm poashtu, pasi ende vazhdojnë të bëhen hulumtime, testime se si mund të ecën një formë e të t’mësuarit të ashtuquajtura “Pilotë Projekte”, nëpër të cilat jepen vlerësimet funksionale rreth ndonjë reforme të caktuar mësimore, që ka të bëjë si me arsimin parauniversitar, njëjtë dhe me atë universitar.


   Në vazhdën e karakteristikave të nxënësve veçojmë si vijon:

1. Pavarësia dhe kreativiteti i nxënësve në të mësuar

2. Zhvillimi i të menduarit kritik 

3. Nxitjen e të mësuarit auto-didakt


     Duke përdorur pajisje teknologjike në dobi të të nxënit, padyshim se te nxënësit nxitet kureshtja e të mësuarit, fillimisht të pajisjeve të tilla dhe më pastaj të kërkimit, krijimeve vetanake, të menduarit kritik, si dhe nxitjes së të mësuarit auto-didakt duke mos pasur nevojë të madhe ndihmese për mësimdhënësit e tyre.


    Në anën tjetër koncepti bashkëkohor i prindërve në rrethanat e tilla padyshim se ka marrë një kahje më ndryshe, nga të qenurit i interesuar për sjelljen dhe suksesin e nxënësve, në të qenurit pjesëmarrës apo “nxënës” si dhe “mësues” në të nxënit e nxënësve-fëmijëve të tyre, krejt kjo si pasojë e gjendjes aktuale në të cilën ndodhet i gjithë globi.

Literatura:


• Tihomir Prodanoviq & Radisav Niçkoviq, Didaktika, Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore të krahinës autonome të Kosovës, Prishtinë, 1976.

• Besjana Rexhepi & Kastriot Veselaj, Prindërimi dhe Efektet e tij në Mësimdhënien Bashkëkohore, Lena graf, Prishtinë, 2020.

• Xheladin Murati, Arsimi përballë sfidave të Covid 19, Libri shkollor, Tetovë, Maqedoni Veriore, 2020.

http://ipkmasht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2015/11/K%C3%ABrkime-Pedagpgjike-9-2.pdf (kërkuar më 02.08.2020)



Nga Besjana Rexhepi, pedagoge


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,121 Lexime
4 vjet më parë