Kritikë gjuhësore: përdorimi i gabuar i trajtës “fëmiu”
Në shkrimin “Kritikë gjuhësore: përdorimi i gabuar i trajtës ‘fëmiu’”, autori Mentor Hajrizi, ligjërues dhe redaktor gjuhësor, sqaron se forma e drejtë është “fëmija”, jo “fëmiu”. Ai thekson rëndësinë e përdorimit të saktë të gjuhës standarde si shenjë respekti ndaj gjuhës amtare.
Nga Mentor HAJRIZI
Ligjërues dhe redaktor gjuhësor
Në gjuhën publike dhe në komunikimin e përditshëm, shpesh vërehet përdorimi i pasaktë i formës “fëmiu i tij ose fëmiu i saj”. Kjo trajtë haset madje edhe në ligjërimet e politikanëve, gazetarëve, këngëtarëve, analistëve, mësuesve, psikologëve dhe profesionistëve të tjerë.
Në fakt, forma “fëmiu” është e gabuar, sepse nuk përputhet me sistemin morfologjik të gjuhës shqipe. Trajta e drejtë është “fëmija”, e cila përdoret në varësi të rasës dhe numrit, sipas kontekstit të fjalisë.
Trajtat e sakta të emrit "fëmijë":
• Njëjës: "fëmijë", "fëmijës", "fëmijën", "fëmija";
• Shumës: "fëmijë", "fëmijëve", "fëmijët".
Shembuj të përdorimit të drejtë:
1. Fëmija triumfoi në garat e diturisë.
2. Fëmijës i erdhi babai nga kurbeti.
3. Dhurata e tij e lumturoi fëmijën.
4. Fëmijëve u ndriti gazi në fytyrë.
5. U gëzuan fëmijët.
Fjala "fëmijë" është emër i gjinisë mashkullore dhe ruan të njëjtën trajtë si në njëjës, ashtu edhe në shumës. Ky emër i përket fushës leksikore që lidhet me moshën e hershme të njeriut dhe përdoret gjerësisht në diskursin familjar, arsimor dhe shoqëror.
Përfundim
Gabime të tilla, ndonëse të zakonshme në ligjërimin publik, duhen shmangur në përdorimin standard të shqipes. Përdorimi i drejtë i trajtave të emrave nuk është vetëm çështje formale, por edhe shenjë nderimi ndaj gjuhës amtare dhe kulturës kombëtare.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
DIGJITAL apo DIXHITAL?
Gabime në përdorimin e trajtave të shkurtra në gjuhën shqipe