"Kur dituria matet me metër, humbet shkolla" nga Fiqiri Çifliku
Shkrimi kritikon vlerësimin formal të mësuesve që shpesh reduktohet në shifra e burokraci, duke harruar ndikimin real në nxënës. Autori kërkon një qasje të vazhdueshme, bashkëpunuese dhe zhvilluese, jo “metër” ndëshkues vjetor, por analizë të përhershme për rritje cilësie.
Një drejtor, me metër në dorë, hynte çdo mëngjes në klasë. Maste tavolinën, maste dërrasën, maste edhe hapat e mësuesit. Pastaj shpallte rezultatin: “Ky mësues vlen 1.75 metër!” Këtë bënte edhe me mësuesit e tjerë. Nxënësit qeshnin, mësuesit heshtnin. Sepse askush nuk guxonte t’i thoshte se dituria nuk matet me metër, por me dritën që ndez në mendjet e fëmijëve.
Në shkollat tona, vlerësimi i mësuesit shpesh kthehet në një ritual formal. Drejtori, si në fabulën e “metrit”, e mat punën e mësuesit me kritere të ngurta, duke harruar se cilësia e mësimdhënies nuk matet me një numër (nga 1 në 4), por me ndikimin që veprimtaria e tij ka në edukimin dhe kultivimin e mendimit kritik, krijues dhe përgatitjen e nxënësit për situata reale. Sigurisht kjo vjen si traditë për mënyrën si e kemi bërë dhe bëjmë vlerësimin e mësuesit, punonjësit apo edhe nxënësit...nëse do të thellojmë diskutimin.
Në këto kushte natyrshëm më lind pyetja: A ka vlerë vlerësimi formal vjetor i punonjësit arsimor?
Në teori po. Sepse synon të krijojë një pasqyrë të përgjithshme të performancës, të dokumentojë progresin apo të vendosë objektiva për vitin tjetër. Por, në praktikë ndodh shpesh që vlerësimi bëhet mekanik dhe kthehet në ritual burokratik. I përmbledhur në një periudhë të caktuar në fund të vitit nuk pasqyron më realitetin e punës së përditshme. Ka edhe më keq, kur përdoret si mjet kontrolli, ndëshkimi dhe jo zhvillimi.
Vlerën e mësuesit nuk mund ta përfaqësoj vetëm një shifër. Shifrat janë të dobishme për orientim, por janë të verbra për thelbin e shkollës. Këtë e di çdo njeri që ka hyrë qoftë edhe një ditë në klasë. Një shifër nuk mat marrëdhënien me nxënësit, krijimtarinë, etikën profesionale, ndikimin afatgjatë apo punën e padukshme.
Formati aktual i vlerësimit krijon klimë toksike. Shumë shpesh, kur vlerësimi formal vjetor bazohet në shifra, përdoret për krahasim midis mësuesve duke i futur ata në “garë” mes tyre, atëherë ai nuk nxit rritje profesionale, por vetëm frikë, fshehje të problematikave, individualizëm dhe mungesë bashkëpunimi. Shkolla nuk është ndërmarrje prodhimi karrigesh apo shitje paketash turistike. Nuk ka vlera monetare, nivele arkëtimi apo nivele shitjeje të përcaktuar. Brenda ka njerëz, nxënës, kolegë apo prindër.
Në thelb, nëse ajo çfarë duam të matim ka të bëjë me zhvillimin profesional, me krijimin e një klime të shëndetshme, bashkëpunim të ndërsjellët që duhet të kulmojë me rritje të cilësisë së mësimdhënies, atëherë vlerësimi duhet të jetë proces, jo momenti kur drejtori kap lapsin ndëshkues. Po, po, ndëshkues... Shpesh kthehet në një luftë të ethshme midis mësuesve dhe drejtuesve. Për ta ilustruar, po sjell procesin e kualifikimit të mësuesve. Udhëzimi i fundit e bën edhe më të dukshme këtë kontradiktë. Mësuesi, për t’u përfshirë në shkallën e parë të kualifikimit, duhet të ketë vlerësimin “shumë mirë”. Ndërkohë, ai ka detyrimin të marrë pjesë në kualifikim për shkallën përkatëse, pavarësisht se vlerësimi mund të mos pasqyrojë realisht punën e tij. Kjo krijon një kurth burokratik pasi mësuesi gjykohet mbi bazë formale, por nga ana tjetër i kërkohet të zhvillohet profesionalisht në mënyrë reale. Një paradoks që e kthen procesin e kualifikimit në garë të detyruar, jo në rrugëtim të lirë zhvillimi.
Sigurisht që dikush me të drejtë mund të pyes: Po si mund të veprojmë? Personalisht, mendoj se qasja moderne për menaxhimin e sistemit arsimor duhet të fokusohet të analizat javore dhe mujore të evidentimit të rasteve problematike apo pengesave dhe korrektimit të tyre sa herë që evidentohen. Siç thuhet “ta ruajmë shtamën pa u thyer”. Nëse presim fundit e vitit për të vlerësuar punës e mësuesit dëmi është bërë. Analizat mujore dhe evidentimi i rasteve besoj se funksionojnë më mirë pasi konsiderohet si një proces i vazhdueshëm, jo i përqendruar në një ditë të vetme. Ka në fokus situata reale dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve në kohën e duhur, jo në fund të vitit kur gjithçka ka kaluar. Krijon mundësi për të nxitur dialogun duke evituar paragjykimet për të siguruar kulturë bashkëpunimi, mjedis pozitiv pune dhe jo garë.
Dua të shtoj gjithashtu se në bazë të kodit të punës apo kontratës kolektive, që rregullojnë edhe marrëdhënien e punës, vlerësimi i kujdesshëm duhet të kryhet në fillim të punësimit të një mësuesi në sistemin arsimor, pra gjatë kohës së provës ose po e përfshijmë gjithë vitin e parë të punës, meqë kemi të bëjmë me një sektor delikat dhe punë me fëmijë.
Mendoj se Ministria e Arsimit duhet të shoh në vijim si qasje të re formatin e vlerësimit që zbatohet sot në shkolla, duke evituar vlerësimin si një “gjykim vjetor”, duke garantuar një proces të përbashkët reflektimi të vlerësimit të drejtuesve dhe stafit të shkollës.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Datat e Provimeve Kombëtare të Arsimit Bazë për vitin shkollor 2025-2026
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe