Intervistë

"Letërsia nxit imagjinatën dhe zbukuron shpirtin"

“Di që profesioni i mësuesit përfshin edhe artistin, edhe psikologun, edhe sociologun edhe filozofin, edhe … prindin … këdo. Dhe kur kaq shumë portrete përfshihen brenda një të vetmi, pse do zgjidhja një profesion tjetër?”

Tek ajo i gjen të gjitha, që nga nëna e dashur dhe mirëkuptuese me fëmijët e saj e deri te mësuesja e përgatitur, ambicioze që e pranon se kohët kanë ndryshuar e nxënësit gjithashtu. Edhe ajo është rritur profesionalisht, njeh mirë natyrën e nxënësve dhe di ti vlerësojë, e kur bëhet fjalë për notën nuk fal, ama di edhe të “luajë” lojën e nxënësve, por pa lejuar aksionin e lojës të kapërcejë kufijtë. Quhet Mimoza Verzivolli dhe aktualisht është mësuese letërsie në shkollën “Ernest Koliqi”. Prej vitesh ushtron këtë profesion, herë si mësuese e herë si drejtuese, herë në shkolla publike e herë private, për të është e rëndësishme të jetë pranë nxënësve të saj. Kur e pyesim për mendimin e parë të çdo mëngjesi thotë: “... më oshëtin në veshë, Migjeni  “…deri kur kështu ma!”, natyrisht në një kontekst tjetër, në kontekstin e një mungese stabiliteti prej vitesh në punën me programet e lëndës së gjuhës dhe letërsisë, pasi e ndjej fort që, nëse ka lëndë që e vuan më shumë reformën me tekstet e shkollës së mesme, është pikërisht gjuha dhe letërsia shqipe. Nëse duam të mendojmë për nxënësin dhe raportin e tij me leximin, duhet të zgjedhim t’ia bëjmë të dashur tekstin, veprën, autorin.”


Mësuese e letërsisë dhe drejtuese prej shumë vitesh, çfarë ju ka dhënë ky profesion?

Më duhet t’i ndaj këto dy profesione, që lidhen me njëri - tjetrin vetëm për faktin se ushtrohen në ambientet e shkollës, dhe po shpjegoj ç’më ka dhënë profesioni i mësuesisë. Për mua akoma sot, pas kaq vitesh, mbetet një profesion i mrekullueshëm, që pak njerëz mund ta perceptojnë si të tillë. Më ka dhënë kënaqësinë të  ndaj me nxënësit e mi gjithë raportet e mia me letërsinë si një lëndë shkencë- art, ku arsyetimi shkencor shkrihet me përpunimin e shijeve të larta estetike dhe ku edukimi përmes veprës letrare,  shndërrohet në mision  parësor.


Çfarë ju është dashur të sakrifikonit për të?

Ёshtë e vështirë të shpjegohet kjo, po të kemi parasysh që unë profesionin tim e jetoj në çdo çast më shumë si kënaqësi se sa si sakrificë. Por, nëse duhet të them se çfarë kam parapëlqyer të bëj, duke lënë mënjanë shumë të tjera, kanë qenë orë të tëra pune mbi tekstet mësimore, në kushtet kur mund të shijoja më shumë vepra madhore të së shkuarës dhe të aktualitetit bashkëkohor, apo kam kaluar fundjava pa numër larg familjes, për të qenë me nxënësit e mi jashtë shkolle në aktivitete të ndryshme, që natyrshëm lidhen me procesin e edukimit përmes letërsisë por edhe lëndëve të tjera; apo kam humbur orë mbështetjeje të fëmijëve të mi gjatë studimeve të tyre, për t’u marrë me korrigjimet e punëve të nxënësve të mi deri në imtësi, për t’i ndihmuar ata që të mos anashkalonin asnjë detaj nga vepra letrare pa e shijuar atë në pafundësi. 


Letërsia në vetvete, çfarë është për ju?

Letërsia si lëndë për mua është më kompleksja, më e gjëra, më e forta për t’i mbijetuar një mjedisi që rend drejt zhvillimeve marramendëse të teknikës, një shkencë që nxit imagjinatën, po aq sa zbukuron shpirtin dhe përmbush fantazinë. Ndërsa letërsia, si tërësi e veprave letrare që nga format e para të krijimtarisë letrare e në vazhdim, duke u shtrirë edhe në të ardhmen e pakohë, është fryma, është veprimi, është arsyetimi, është një botë që gjallon përmes shumë botëve, është jeta në tërësinë e saj, shpalosur përmes jetëve të personazheve për t’i dhënë dëshmi shpirtërore ekzistencës së njerëzimit; janë zërat e së shkuarës projektuar në ardhmëri.


Si është ndërtuar marrëdhënia juaj me nxënësit ndër vite, shumë prej tyre tashmë janë të rritur?

Besoj se çdo mësues që merr përsipër të drejtojë një nxënës në punën e tij jo vetëm në të mësuarit e lëndës, por edhe në zhvillimin e aftësive të tij krijuese (nuk përmenda këtu qëllimisht: të mësojë një nxënës!) dhe gjatë kësaj pune, orientohet nga përgjegjshmëria dhe serioziteti, paanshmëria dhe etika profesionale në komunikim, ndërton marrëdhënie perfekte me nxënësin dhe me detyrën e tij. Unë jam pjesë e atij grupi mësuesish që besoj fort se shkolla është ambient formimi dhe edukimi qytetar, që formëson individët e së nesërmes dhe e nesërmja seleksionon, duke “fshirë” të paaftin dhe duke lënë të mbijetojë atë që është i zoti. Pas çdo portret - nxënësi që kam patur gjatë jetës sime, unë kam përfytyruar imazhin e një njeriu të zot të së ardhmes. Dhe ky përfytyrim i ka paraprirë ndërtimit të marrëdhënieve të mia me ta. 


A ruani komunikimin me nxënësit pasi mbarojnë shkollën?

Nuk besoj se përbëj ndonjë përjashtim kur them se ruaj komunikim me nxënës që kanë mbaruar shkollën. Madje marrëdhëniet me ta janë edhe më të qëndrueshme e më interesante: nuk ka frikë note, nuk ka ngarkesa paragjykimi, nuk ka interesa të tjera veç mirënjohjes dypalëshe: unë u jam mirënjohëse, pasi kanë qenë pjesë e ditëve të mia të së shkuarës plot ambicie e shqetësime, plot arritje dhe emocione, plot angazhime e herë-herë edhe trishtime; kurse ata i janë mirënjohës përkushtimit tim, çdo segmenti – frymë  që është shpenzuar për ta, madje u janë mirënjohës deri edhe qortimeve të mia. Kjo panoramë merr ngjyra të bukura vetëm kur nxënësit kanë mbaruar shkollën e mesme dhe e shohin mësuesin nga një perspektivë e re.


Si i keni vlerësuar nxënësit ju, a i kanë ruajtur rezultatet edhe në universitet?

Siç e thashë edhe më sipër, jam tipi i mësuesit serioz dhe kërkues dhe, siç mund të merret me mend, jotolerant në vlerësim. Kam synuar gjithmonë që nxënësi të jetë jo thjesht riprodhues i njohurive, por analitik e krijues; të zhvillojë mendimin e tij të pavarur përmes një shprehësie sa më të zgjedhur; të lexojë shumë dhe jo materiale të gatshme interneti apo parathënie veprash, që gjithsesi do ta linin mendimin e tij të cunguar në nivel kopjimi; të studiojë thelbin e gjërave dhe të nxjerrë vlerësime personale. (Shkolla “Ernest Koliqi”, ku jam sot, me filozofinë e saj të punës, ma ka përforcuar akoma më shumë këtë qëndrim).  Në  këto kushte, kam patur gjithmonë besimin që nxënësit do të formoheshin si duhet dhe rezultatet e tyre do të ishin gjithmonë në nivelet e vlerësimit tim. Dhe në fakt kështu ka ndodhur. Ata, si edhe unë, kemi marrë rezultate të qëndrueshme në arritjet e përbashkëta tonat.


Cila është ajo shprehje që një nxënës jua ka thënë dhe ju ka mbetur në mendje?

Janë shumë shprehje që më kanë befasuar dhe vazhdojnë të më mbeten në mendje. Po përshkruaj vetëm njërën nga ato. Vazhdimisht e përcaktoja veten time si mësuese që hyja dhe dilja nga klasa vetëm me emrin, jetën, veprën (analiza, komente, studime etj.) e një autori të caktuar dhe e tërë dita ime e punës ishte mes jetësh të të tjerëve që projektoheshin në jetën time. Dhe më shumë se kurrë ky mendim m’u përforcua kur një ish nxënëse e imja, sot studiuese e psikanalizës, më tha: “Zysh, përgjatë gjithë studimeve në universitet (dhe ajo ka studiuar në Francë), më këndonte në veshë interpretimi yt i “Dranjës” së Martin Camajt dhe dashuria ime për Camajn, duhet ta besoni, m’u ushqye nga ju”. Sikur një e qindta e këtij përcaktimi të jetë e vërtetë, për mua është shumë.


Si silleni me nxënësit “çapkënë” (të prapë) ose ndryshe nga të tjerët?

Ah, kjo po që është pyetje delikate! Duhet të pohoj që në këtë drejtim, nuk kam patur qëndrim konstant. “Më ka mësuar puna”- siç thuhet: në fillimet e mia, atëherë kur mendoja se shkolla nuk kishte tjetër veç letërsi dhe nxënësi nuk kishte detyrim tjetër veç mësimit, isha një mekanizëm funksional shumë korrekt, e ashpër  dhe shumë e kontrolluar në fjalë, në mënyrë që të peshoja fort aty ku godisja, madje ndoshta edhe mund të kem mërzitur ndonjë nga këta “çapkënët”; sot pas kaq vitesh, kur m’u rritën dhe fëmijët e mi dhe i kuptova më mirë interesat e kësaj moshe dhe vendin që zinte shkolla (letërsia) në tërësinë e dëshirave dhe kërkesave të tyre, u përpoqa të jem më elastike, deri sa m’u kthye në natyrë timen që të “luaj” me “lojën” e tyre, natyrisht pa e lejuar aksionin e lojës të kapërcejë kufijtë. Dhe shoh se funksionon mirë ky raport.


Gjimnazi është periudha ku të gjithë shkruajnë, a është e vështirë të veçosh ata që janë të talentuar nga ata që e zgjedhin shkrimin si mënyrë për të treguar diçka?

Jam dakord me ju që gjimnazi është periudha ku të gjithë shkruajnë, por talenti spikat, pasi talenti lidhet me formën, në mënyrë që forma të bëjë përmbajtjen e shkrimit. Nuk mjafton mendimi dhe shprehja e tij; duhet shënjuar mendimi dhe këtë mund ta bëjë vetëm ai që ka lexuar shumë, kur pjesa më e madhe sot e redukton fjalën në s.m.s të shkurtra, ai “lexuesi aktiv”, që nënvizon, që shkruan e rishkruan, që përpunon e lëmon çdo rresht, që u rikthehet fjalëve, deri dhe germave për të sjellë më të mirën, më të përsosurën e mundshme.  Këtë mund ta bëjë ai që e sheh shkrimin si mënyrë për të fituar dhe për të ngjallur kënaqësi dhe jo si detyrim për të marrë një vlerësim të radhës. Dhe këta nxënës, pas kaq vite punë, nuk është e vështirë t’i veçosh.   


A keni gabuar ndonjëherë në mendimin tuaj për një nxënës të caktuar?

Mendimi për një nxënës të caktuar është më i gjerë se sa vlerësimi me notë për përgatitjen e tij. Nxënësi është një kompleks mendimesh, veprimesh, sjelljesh e ndjesish, që nuk lidhen vetëm me mësimin, prandaj them se mendimi im për çdo nxënës lidhet me tërësinë e këtyre raporteve. Në këto kushte, përveç vlerësimit për përgatitjen në lëndën e letërsisë (ku unë jap një mendim timin), mendim tjetër të plotë nuk mund të ndërtoj. Kjo pasi nxënësit janë qenie në ndryshim, në zhvillim të vazhdueshëm, ndryshim që përcaktohet nga shumë rrethana dhe s’mund të  krijosh një mendim  për njërin apo tjetrin nxënës tamam në fillim të formimit të tij. Do ishte pa sens.


Kur niseni në mëngjes për në shkollë, çfarë i thoni vetes?

Haha... do jem e sinqertë: më oshëtin në veshë, Migjeni  “…deri kur kështu ma!”, natyrisht në një kontekst tjetër, në kontekstin e një mungese stabiliteti prej vitesh në punën me programet e lëndës së gjuhës dhe letërsisë, pasi e ndjej fort që, nëse ka lëndë që e vuan më shumë reformën me tekstet e shkollës së mesme, është pikërisht gjuha dhe letërsia shqipe. Nëse duam të mendojmë për nxënësin dhe raportin e tij me leximin, duhet të zgjedhim t’ia bëjmë të dashur tekstin, veprën, autorin.  Dhe kjo nuk varet vetëm nga mësuesi. 


Nëse do mund ta kthenit kohën pas, a do ishit bërë sërish mësuese?

Nuk e di, nuk i njoh as vështirësitë dhe as kënaqësitë që japin profesionet e tjera. Di që profesioni i mësuesit përfshin edhe artistin, edhe psikologun, edhe sociologun edhe filozofin, edhe … prindin … këdo. Dhe kur kaq shumë portrete përfshihen brenda një të vetmi, pse do zgjidhja një profesion tjetër?


Urimi juaj për “7 Marsin” cili është?

U them gjithë bashkëkolegëve të mi që të kapërcejnë kohën, të shohin përtej vetes, përtej momentit, përtej aktualitetit dhe, nëse duan që atje tej në horizontet e së ardhmes të gjejnë një dëshmi të ekzistencës së tyre, le të skalitin me durim kryevepra, sepse vetëm ato nuk vdesin. Dhe atëherë çdo ditë e vitit do të jetë 7 Mars urimi për ta. 


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)


17,654 Lexime
7 vjet më parë