LETËR PËRSHËNDETËSE

Letra e fundvitit për ju...

Është bërë zakon që në fundvit maturantët e shkollës Nikola Koperniku të marrin një mesazh dashurie e lamtumire. Këtij viti ishte tepër i veçantë...

Eshtë mësuesja, e dëgjoni? Po ju përshëndet. Tani, me pelerinën e ikjes mbi supe ju jeni paksa konfuzë: Po thotë mirëmëngjes, mirupafshim, apo... Ju duhet të zgjidhni mes përshëndetjeve...

Në fakt po ju flet me zërin e zemrës dhe po ju thotë:

-Ju qoftë udha e mbarë, ju qoftë jeta e bardhë...

Këtë vit ne nuk do të jemi më me ju. Ju kanë transferuar, e dini? Do të shkoni në tjetër shkollë, në tjetër sallë, në tjetër qytet. 

Po ju përcjellim me këtë letër lamtumire, që në fakt do të jetë mësimi i fundit, në ditën e fundit. 


E dimë që bashkë me tri vitet dhe gjithë sa ju kemi dhënë do të mbetemi gjatë te ju. Do jemi mësueset tuaja, për aq kohë sa do të jetojmë në kujtesën tuaj, për aq kohë sa frazat tona do t’ju përziehen në përvojat e ditëve dhe nuk do të dini të ndani nëse i keni lexuar diku apo kujtesa lojanake jua risjell të ngrohta që nga vitet e bukura të gjimnazit. 


Por kujtimet pikante nuk harrohen lehtë. Koha si një gjyqtare e rreptë e pakorruptueshme do të vlerësojë se sa e rëndësishme është ajo që keni marrë nga ne, sa themele të forta kemi hedhur në kulturën dhe qytetarinë tuaj.


Mendja njerëzore seleksionon dhe mban, shpëton dhe arshivon në një database permanent i cili do t’ju gjenerojë ide në vitet që do të vjnë. Gjithçka e panevojëshme, fjalë, përvoja, njerëz kalojnë në jetët tona si retë pa pikëla shiu. Po ky nuk është rasti ynë të dashur nxënës. Qëllimi i bashkëjetësës sonë tre vjeçare ka qenë të lëmë një shenjë te ju, një shenjë të dukshme që ndryshon vazhdimisht ngjyrë e formë, por që në përmbajtje është e njëjtë: të formojmë njerëz të bukur. Dhe ia kemi dalë. 


Kur ulemi bashkë, kur ju urojmë për 18 vitet e jetës, kur flasim me ju, kur kërkojmë mendimet tuaja, nën zë i pëshpërisim vetes: Ia kemi dalë, kemi formuar njerëz të bukur që do të rrezatojnë spektrin e ngjyrave të shpirtit Dhe bashkë me të, edhe pak nga ne...Ky është qëllimi final i mësimdhënies: të krijojmë të bukurën. Është e vështirë të jesh i bukur. 


Të jesh i bukur do të thotë të jesh Klajdi, nga fjala e artikuluar me drojtje të ndërtosh platforma elokuente ku shqipja këndon përveçse gjallon. 

E bukur është Miela që hapin e butë të nisjes e ktheu në hapin dinjitoz të njeriut që di të dalë në ballë të çdo situate.

Është Olivia, që butësisë saj i shtoi dozat e mendimit të bukur, të ëmbël dhe të sinqertë. 

Është Albi. Djali i rrëmujshëm i ftohtë, i cili zbuloi oqeanin që mbante brenda vetes dhe ua fali të gjithëve. U pasqyruam në ujërat e tij dhe gjetëm veten 16 vjeç. 

Pa është Megan, nga fjala e kursuer, derdhi me bujari dhe dritë mendime që dalluan dhe shndritën në tri vite. 

Pastaj thesaret i gjetëm te Klerti. Qetësia e mençurisë së tij flinte nën vështrimin e fortë. Klerti dhe pasuria e tij e rrallë. Me shpirtin e bukur diti të zbukurojë jetët tona. Me shpirtin e bukur diti të na i bëjë të gjithëve të bukura këto vite. 

Po këto të dyja ai i shihni? (Armanda dhe Irsjela). Përpëliteshin mes dy gjuhëve dhe nuk dinin se cilën të zgjidhnin: greqishten mendjemadhe apo shqipen kokëfortë? Ishin të bukura, por i mësuam të përdorin bukur fjalët tona. Të derdhin ëmbëlsinë e tyre në shqipen tonë të egër. 

Pastaj sollëm furtunën brenda Estit. Djalin që flinte e zgjuam pëundimisht dhe e zgjuam bukur. Aq sa tani na dhemb kjo ikje e tij, si një tradhëti e pathënë. 


Ju bëmë të bukur, jo të mirë. Të mirë është pak. Të mira ishin Klea dhe Tea ndërsa zgjidhnin problemet e ditës së tyre. Por të bukura u bënë pasi mësuan të përdorin argumente dhe t’u përgjigjen gjithë pyetjeve, të jenë të gatshme për udhën e ditëve plot zhurmë. 


Të shkosh drejt objektivit tënd, para së gjithash do të thotë të ndjehesh i përfshirë, të jesh pjesë në një bashkësi, pjesë aktive, të hysh në trupin e dikujt, të ndryshosh mënyrën tënde të jetesës, të riformatosh vështrimin ndaj jetës. Të jesh Geri që pa përtej horizontit të një dite mjegullore, të jesh Andi që zgjeroi konturet e hapsirës së tij dhe na futi të gjithëve në të, të jesh Arioni që u duk sikur u rrit papritur, thua ne s’ishim aty ndërsa ndodhte kjo. 


Bashkë ndërtuam një marrëdhënie. Studiuam për të ditur e jo për të patur. Nuk vendosëm orare fikse dhe nuk ndamë kënaqësinë nga lodhja. Sytë që shkëlqejnë dhe mendja brilante janë një turbinë pyetjesh që kërkojnë përgjigje. Disa nga ju e kanë kapërcyer këtë metamorfozë, të tjerët me siguri në vitet që do të vijnë. Ne ju kemi gatitur. Por ama të jesh mësuesi që ka provokuar këtë ndryshim është një thesar që ju na e bëtë dhuratë e ne do ta mbajmë tërë jetën. I bukur bëhesh nuk lind. 


Mësimi i fundit për ju është një rrëfenjë:

Ndërsa endej në fushë, pula gjeti një margaritar. E pa dhe e hodhi tej, sepse ashtu i vogël, i fortë, i pacoptueshëm nuk mund të gëlltitej.

Do t’ju ndodhë të gjeni margaritarë mes barishteve e mes gjembaçëve. Eliminoni vizionet dhe iluzionet e panevojshme. Dija nuk është një burim i mirë jo i kufizuar, dija është sasi, por është sasi e pafundme. Ajo merr veshje të ndryshme, por mbetet thesar. Përhapeni thesarin tuaj kudo që të mundeni. Vetëm në këtë mënyrë kultura fiton kuptim. Përmirëson jetën.


Koperniku është një emër i madh. Shpresojmë që ju ta bëni të nderuar atë nesër. Koperniku është thesari që ju dhe ne mbartim e na mbart. 


Kaq, mësimi mbaroi. Kam vetëm një detyrë për në shtëpinë e së ardhmes suaj: Për 20 minuta, vetëm, pa telefon, pa kompiuter, pa televizor, në një dhomë pa dritë, me sy brenda vetes, dëgjoni zërin e heshtjes..Aty jemi ne. 


Udhë të mbarë!



Shkolla Nikola Koperniku

5,799 Lexime
4 vjet më parë