ESE ARGUMENTUESE

Më shumë se kurrë sot, dua të jem një promete

Egërsia e botës sot, përmbushjen e një qëllimi të lartë, atë të çuarit të botës përpara, e bën të veshtirë, por dëshiroj te jem fija e shpresës mrekullibërëse, prometeania që do të shërojë sadopak plagët e shoqërisë njerëzore...

        Prometeu, perëndia që u dhuroi njerëzve zjarrin, armën sekrete, e cila do t'i bënte të ecnin përpara,qe plotësisht i ndërgjegjshëm se kjo do të zgjonte zemërimin shkatërrimtar të Zeusit e, megjithatë, përshkoi me guxim rrugën drejt humnerës së fatit të hidhur që e priste, i lumtur dhe aspak i penduar për sakrificën që kishte kryer në ndihmë te qenieve njerëzore. Që nga kjo periudhë, njerëzimi ka zbuluar mrekullisht nga gjiri i tij, figura të tilla me një guxim frikshëm të paepur, që kanë zgjuar shpresën te njerëzit dhe kanë ushqyer bujarisht zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë njerëzore me copëza të shpirtit, mendjes e zemrës së tyre.

       

     Gjithmonë, jemi përballur me sfida dhe probleme me rëndësi dhe peshë të atillë, që na është dukur e padurueshme dhe kanë vënë në provë aftësitë, durimin e kanë lëkundur besimin e shpresën tonë. Timoni, që na la në duar Prometeu, shumë kohë më parë, ndonjëherë nuk komandohet në mënyrën e duhur. E në këto çaste, më shumë se kurrë, kemi nevojë për dikë të aftë të marrë në duar timonin dhe të zbulojë me zgjuarsi si duhet ngarë, që të kalojë kryqëzimet plot rreziqe dhe të marrë kthesën drejt një rruge të qetë e të patrazuar. Në këto caste, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për një Promete. Misioni i perëndisë antike u krye. Dhe sot, kur në botë derdhen lot, kur ndeshim pafund vuajtje dhe vështirësi, kur egoizmi, xhelozia dhe etja për pushtet shpalosen përpara syve tanë me gjithë fuqinë e tyre, ka ardhur koha që shekulli ynë të zbulojë Prometeun e vet. Dëshiroj të jem unë ajo,  që do të riparoj  tullat dhe themelet tashmë të ndryshkura, të hedhura të forta nga Prometeu kohë më parë dhe të ndihmoj në ngritjen e një muri që ndan dijen,arsyen dhe virtytin, nga injoranca, padija dhe vesi.

        

      Që të jesh një Promete, duhet t`i duash shumë njerëzit. Duhet të ushqesh një dashuri pa kushte, të pastër e të sinqertë për ta. Unë s'e kam humbur kurrë besimin se qeniet njerëzore kanë një zemër të madhe, se e mira, që ka luftuar përjetësisht me të keqen, do të triumfojë mbi të. Jam ndjerë e lumtur kur kam qenë e rrethuar nga njerëz të lumtur. I kam vështruar me adhurim buzëqeshjet dhe kam dëgjuar me endje tingullin kumbues te së qeshurës së tyre, duke menduar gjithnjë se jemi te lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, bijtë e universit, te veçantë e të papërsëritshëm në llojin e vet. Jam lënduar thellë, kur i kam parë të vuajnë e të derdhin lot. Kam provuar gjithnjë dëshirën për të bërë dicka që të jap ndihmesën time. 

      

      Ndiej të digjet vrullshëm brenda meje, kurajo dhe dëshira për t'u rebeluar kundrejt forcave më te larta shtypëse, për të përmbysur cdo teori apo praktikë, që u mohon njerëzve të drejtat e liritë, që kanë lindur bashkë me ta.  Ndiej detyrimin të bind njerëzit per madhështinë e tyre, sot, kur njerëzimi po shfaq anën e tij të errët e të shëmtuar. Ndiej pathyeshmërinë dhe ndjenjën fisnike që gufon brenda meje, së bashku me dëshirën dhe vullnetin për të simbolizuar dikë, veprat e të cilit ngelen të pavdekshme sepse kanë dhuruar paqen e dritën që ndriçon dhe zgjeron dukshëm horizontet e mendjeve të qenieve njerëzore. Ndihem e frymëzuar nga Martin Luther King, i cili udhëhoqi komunitetin me ngjyrë drejt lirisë dhe nga Nënë Tereza, aktet e panumërta guximtare të bamirësisë të së cilës, janë dëshmi të shpirtit të saj tejet të madh dhe të butë. Ndihem e frymëzuar nga këta Prometenj të shekujve të mëvonshëm.

          

       Egërsia e botës sot, përmbushjen e një qëllimi të lartë, atë  të çuarit të botës përpara, e bën të veshtirë, por me dashurinë, kurajon, optimizmin, vendosmërinë e duhur dhe ndjenjën e vetësakrifikimit që fshihet brenda meje, bindem se realizimi i tij është plotësisht i mundur dhe i afërt. Dëshiroj te jem fija e shpresës mrekullibërëse, prometeania që do të shërojë sadopak plagët e shoqërisë njerëzore.           



PUNOI: EMIDA QAFA,  KLASA X-2,  GJIMNAZI “ ERNEST KOLIQI “

11,960 Lexime
5 vjet më parë