Letra

Letra, Ministrja Nikolla iu përgjigjet maturantëve

Maturantët i dërguan një letër ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla pak ditë më parë ku i kërkuan informacion të detajuar mbi maturën shtetërore. Ministrja iu përgjigjet maturantëve

Maturantët iu drejtuan me një letër Minsitres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ku i kërkuan një informacion të plotë dhe të detajuar mbi maturën shtetërore. Sipas maturantëve udhëzimet zyrtare e deklaratat publike lënë vend për krijimin e paqartësive e për këtë arsye maturantët ndiejnë nevojën për t’i paraqitur një kërkesë për të marrë një informacion zyrtar në lidhje me një sërë pyetjesh.

“Çfarë vlere kanë provimet me zgjedhje? Sipas udhëzimit, provimet me zgjedhje janë vetëm dalëse dhe nuk do të ndikojnë në mundësinë për t’u pranuar në universitet.  A do të thotë kjo se nuk ka rëndësi nëse provimet kanë profil shoqëror apo shkencor sepse nuk ka asnjë pikësim diferencues midis të dyjave?

Nxënësit që kanë zgjedhur lëndë të profilit shoqëror mund të aplikojnë për degë shkencore dhe anasjelltas pa asnjë ndryshim në koeficient? Sa rëndësi do të kenë lëndët me zgjedhje të zhvilluara nga nxënësit gjatë tri viteve mësimore? A do të aplikohet ndonjë formulë ku përfshihen elementë të ndryshëm sipas koeficientit përkatës dhe a do të ketë ndonjë koeficient për lëndët me zgjedhje? Në vitet e mëparshme pjesë e formulës kanë qenë dhe koeficientët e shkollave. Si do operohet këtë vit dhe a do ketë diferencim midis shkollave të mesme?

Si do realizohet përzgjedhja nga universitetet e mbi çfarë kriteresh? Nga çdo universitet janë shpallur kriteret e pranimit si mesatarja dysheme apo përqindja që zënë grup-lëndët. Megjithatë ajo çka nuk është cilësuar është mënyra e aplikimit dhe si do bëhet përzgjedhja, pra hapat në të cilat do kalojë procedura dhe garantimi i transparencës.

Si do zhvillohet provimi i gjuhës angleze me zgjedhje? Në udhëzimin e parë thuhet se gjuhët e huaja me zgjedhje (pra dhe anglishtja) do zhvillohen në nivelin B2. Më pas, në udhëzimin e fundit, i cili u bë publik pak para se të plotësonim formularin A1, për anglishten ishte bërë një ndryshim. Provimi do zhvillohet sipas metodës TOEFL Junior. Problemi qëndron te fakti që në tre vitet shkollore nuk kemi punuar me këtë metodë. Gjithashtu paqartësia jonë është se nuk dihet si do procedohet për të realizuar seksionin “listening” duke marrë parasysh mungesën e kushteve nëpër shkolla”, shkruajnë maturantët në letrën e tyre drejtuar ministres së Arsimit.

Lindita Nikolla,ministre e Arsimit dhe Sportit iu është përgjigjur maturantëve duke theksuar se shqetësimi i tyre është krejt i natyrshëm, por dhe i ka siguruar që gjithçka do të qartësohet në ditët në vijim.

Sipas ministres Nikolla, është e vërtetë që Matura Shtetërore referuar ligjit të ri për arsimin e lartë nuk do konsiderohet si një provim hyrës në institucionet e arsimit të lartë, por si një provim dalës. Megjithatë, këto provime, janë pjesë e programit të studimit të Maturës Shtetërore (MSH) dhe si të tilla edhe pjesë e përllogaritjes së mesatares së notave të të gjithë ciklit të studimit. 

Bazuar në ligjin e ri për arsimin e lartë, kriteret përhyrjen në një Institucion të Arsimit të Lartë i vendosin vetë Institucionet e Arsimit të Lartë. Për sa kohë numri më i madh i këtyre institucioneve  kanë vlerësuar se do të marrin për bazë, si një ndër kriteret hyrëse notën mesatare, natyrshëm që edhe provimet me zgjedhje, si pjesë përbërëse e notës mesatare, do kenë rëndësinë e tyre.  

Lëndët me zgjedhje të zhvilluara gjatë tri viteve të fundit, kanë të njëjtën rëndësi siç kanë të gjitha lëndët e tjera në përllogaritjen e notës mesatare. Nga kriteret e ardhura nga Institucionet e Arsimit të Lartë, nuk rezulton që do ketë formulë për llogaritjen me koeficent të notës së lëndëve me zgjedhje.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nuk ka kriter apo koeficent diferencues në mes shkollave, por nuk përjashtohet mundësia që vetë Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), në varësi të politikave të tyre për rekrutimin e studentëve dhe specifikave të programeve të studimit, të bëjnë diferencime në mes shkollave të ndryshme. Kriteret e vendosura nga IAL-të, janë bërë publike në faqet e tyre zyrtare.

Të gjithë kandidatët për ndjekjen e studimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, në programet e ciklit të parë, atyre të integruara dhe programet profesionale, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online. Kandidatët në momentin e aplikimit me formularin e aplikimit do të zgjedhin 10 (dhjetë) programet e studimit, në të cilat dëshirojnë të vazhdojnë studimet. Të dhënat personale të çdo maturanti në lidhje me rezultatet e tri viteve të studimit dhe të provimevetë Maturës Shtetërore do t’i dërgohen secilës prej IAL-ve ku ju keni zgjedhur programin e studimit. IAL-të do të kryejnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve fitues në bazë të këtyre të dhënave. Kandidatët që kanë notë mesatarë më të ulët se 6 (gjashtë) kanë të drejtë të vijojnë studimet e tyre vetëm në programet e larta dyvjeçare.

Të gjithë maturantët, të cilët për provimet me zgjedhje të MSH-së 2016, kanë zgjedhur gjuhën e huaj Anglisht, këtë vit do t’i nënshtrohen provimit TOEFL Junior Standard Test, në nivelin B2 CEFR. Në bazë të marrëveshjes ndërmjet Education Testing Service Global BV dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, testi i provimit me zgjedhje të gjuhës së huaj Anglisht, “TOEFL Junior Standard Test”, do të hartohet dhe do të vlerësohet nga ETS Global. Gjatë të tri viteve të shkollës së mesme, të gjithë maturantët që kanë studiuar anglisht në shkollë, e kanë zhvilluar këtë lëndë në nivelin B2. Testi që ata do t’i nënshtrohen, përputhet pikërisht me këtë nivel njohurish dhe aftësish që ata i kanë fituar në shkollën e mesme. 

Lidhur me pjesën e seksionit “Listening”, informojmë se do të ofrohen të gjitha kushtet për sigurimin e një cilësie të lartë në zhvillimin e këtij provimi. Agjencia Kombëtare e Provimeve, do të marrë të gjitha masat për të verifikuar dhe garantuar që mjediset ku do të zhvillohet ky provim dhe veçanërisht pajisjet audio, të jenë në standardin e duhur. Ky provim u krijon mundësinë maturantëve pjesëmarrës të pajisen me një dëshmi të njohur ndërkombëtarisht, duke sjellë jo vetëm një standard të ri vlerësimi, por edhe një përfitim ekonomik për ta dhe familjet e tyre.

Lidhur me parashikimin në Rregulloren e MSH–së 2016 se, nuk ka proces të rivlerësimit të testit, kusht i vendosur që prej vitit 2009, ju informojmë se në rregullore parashikohen garancitë e mëposhtme për të siguruar një vlerësim të saktë: Vlerësimi kryhet nga mësues të certifikuar. Çdo vlerësues firmos në testin që vlerëson dhe mban përgjegjësi për vlerësimin që bën. Për të shmangur çdo lloj gabimi të mundshëm në rregullore është parashikuar që çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, pra vlerësohet nga dy vlerësues të pavarur nga njëri- tjetri. Rakordimi i vlerësimeve të dy vlerësuesve të pavarur, bëhet në fund të çdo dite vlerësimi edhe nga një vlerësues i tretë. Pra vlerësimi kalon nëpër një filtër të trefishtë. Kjo bëhet me qëllim për të shmangur çdo lloj gabimi të mundshëm “njerëzor”. Në rastet kur ka gabime në pyetjet me alternativa apo gabime të tjera teknike, nga AKP-ja, pranohet korrigjimi i tyre. Ju keni të drejtën që të kërkoni kopjen e testit të vlerësuar dhe të ndiqni të gjitha shkallët e ankimimit administrativ.

2,408 Lexime
7 vjet më parë