
SBASH pas seancës në Kushtetuese: Jemi pranë një vendimi të rëndësishëm për mësuesit
SBASH ka paditur në Gjykatën Kushtetuese një VKM që, sipas saj, ul padrejtësisht pagat e disa mësuesve me diploma para Bolonjës. Pas seancës, kryetarja Alma Lama foli për Portalin Shkollor. Bëhet fjalë për mbi 10 mijë mësues dhe vendimi i gjykatës pritet së shpejti.
Nga Nanila Allkja Biçaku
Në një zhvillim të rëndësishëm për mësuesit në Shqipëri, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar (SBASH) ka çuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e një pjese të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) që, sipas saj, krijon pabarazi dhe diskriminim në llogaritjen e pagave të mësuesve.
Pak ditë më parë, në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca publike mbi këtë çështje, e cila fillimisht ishte parashikuar të shqyrtohej vetëm në bazë dokumentesh, por u vendos që të zhvillohej me praninë e palëve.
Në njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese thuhet:
“Për nevoja të përcaktimit të fakteve, Gjykata vendosi ndryshimin e formës së shqyrtimit të çështjes nga seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në seancë plenare publike, me praninë e palëve. Për këtë shkak, seanca plenare publike do të zhvillohet në datën 26.06.2025, ora 10:00.”
Padia e SBASH synon të shfuqizojë pjesërisht VKM-në për mënyrën e llogaritjes së pagave, duke theksuar se vendimi penalizon një kategori të konsiderueshme mësuesish, konkretisht ata që kanë përfunduar arsimin para nisjes së Procesit të Bolonjës në fillim të viteve 2000. Sipas SBASH, VKM-ja në fuqi i trajton si të paplotë diplomat 3-vjeçare të arritura para Bolonjës, duke i klasifikuar ato vetëm si "bachelor", ndryshe nga diploma e plotë e mësuesit që njiheshin më parë. Si rezultat, këtyre mësuesve u janë reduktuar përfitimet në pagë.
Në lidhje me këtë situatë, kryetarja e SBASH, Alma Lama, ka shpjeguar për Portalin Shkollor:
“Në seancë në Gjykatën Kushtetuese, u përballëm me disa prapësime nga ana e Kryeministrisë ndaj ankimimit tonë për pagën e grupit. Pyetjet dhe përgjigjet me trupën gjykuese, me 8 gjyqtarët e pranishëm, treguan se ishte një çështje tepër teknike. U shpjegua qartë se si ulet paga e një mësuesi mjeshtër nga 140 në 100 për shkak të VKM nr.425, dhe si kjo ndikon direkt në përqindjet e pagës që lidhen me kualifikimet."
Lama theksoi se paga e mësuesve përbëhet nga katër komponentë, ndërsa paga e grupit, që është elementi i dytë, është reduktuar ndjeshëm, duke ndikuar në mënyrë të padrejtë sidomos te mësuesit mjeshtër. Sipas saj, për një mësues mjeshtër që më parë përfitonte 140 + 42 mijë lekë (30% e pagës së grupit), aktualisht paga përllogaritet si 100 + 30 mijë lekë, çka përkthehet në një humbje prej rreth 52.000 lekë në muaj.
“Nuk është vetëm çështje parash, por edhe çështje dinjiteti,” – tha Lama. – “Një mësues nuk mund të punësohet pa një titull profesional, siç e përcakton neni 57 i ligjit. Dhe në seancë u sqarua se VKM-ja e kontestuar është fokusuar vetëm në ligjin për arsimin e lartë, duke anashkaluar ligjin e arsimit parauniversitar dhe kriteret e punësimit si mësues.”
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte fakti që Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (ASCAP) kishte nxjerrë një udhëzim më 25 qershor, vetëm një ditë para seancës, për mënyrën e aplikimit të pagës së grupit vetëm për një kategori, Institutet e Larta Pedagogjike, duke injoruar një pjesë të madhe të mësuesve që kanë të njëjtën situatë.
“Bëhet fjalë për mbi 10.000 mësues që preken nga ky vendim, jo vetëm për një mijë,” tha Lama.
Për disa nga pyetjet e ngritura në seancë, SBASH do të dërgojë përgjigjet me shkrim brenda javës, si një mundësi shtesë për të forcuar argumentet ligjore.
“U duk qartë se përfaqësuesit e Kryeministrisë nuk e kishin kuptuar realisht se si funksiononte paga e mësuesve. Kishte një zonjë nga DAP-i që tha se e kishin bazuar tek ligji, por nuk kishin parasysh parimin e sigurisë juridike,” shtoi kryetarja e sindikatës.
SBASH po tregon angazhim të fortë për të mbrojtur të drejtat e mësuesve dhe për të adresuar padrejtësitë në sistemin e pagave. Vendimi për këtë çështje pritet të jepet pas dorëzimit të përgjigjeve me shkrim dhe shqyrtimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese. Ky veprim gjyqësor vjen në një kohë kur mësuesit janë të shqetësuar për kushtet ekonomike dhe kërkojnë që kontributi i tyre të vlerësohet në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600