ANALIZË

Majlinda Keta: Mësimi online, realiteti dhe mundësia

Të gjithë bashkë që punojmë në arsim kemi pasur një shans për të ridimensionuar besimin publik tek puna jonë pasi kemi hyrë pothuaj në çdo familje shqiptare në këtë kohë karantine, si asnjë pushtet tjetër në këtë shtet.

Mjaftuan këto dy kriza nga fatkeqësitë natyrore, ajo e tërmetit por dhe pandemia COVID19, me dëmet e tyre në jetë njerëzore dhe mirëqenien e së përditshmes tonë, që dimensioni konceptual mbi klasën, shkollën, universitetin, mësimin online, por dhe vlerësimin e dobishmërisë që kanë për njëra-tjetrën, t’i sjellin ATO totalisht të ndryshuara për punonjësit në sistemin e edukimit po aq sa për publikun shqiptar. 


Realiteti që po përjetojmë ende është shumë kokëfortë përballë mundësive që kishim dhe nuk e shfrytëzuam si në konceptimin me standard të infrastrukturës didaktiko shkollore të digjitalizuar po ashtu edhe të aftësimit progresiv të mësuesit, fëmijës/nxënësit/studentit në koherencë me kohën. 


Ndaj hapi i parë nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ që duhet të ndërmerrnin për sistemin arsimor (në dy Ligje të Arsimit Parauniversitar të ndryshuara dhe strategjitë përkatëse dhe Ligjin për Arsimin e Lartë) duhet të ishte përfshirja në ligj e “shkollës digjitale” dhe “universitetit digjital”. Përfshirja në ligj do të detyronte gjithë komponentët e edukimit të vetëzhvilloheshin për jetësimin e tij në kohën dhe mënyrën që e parashikonte ligji. 

COVID 19-ta për vendet me sisteme arsimore të dimensionuara kundër analfabetizmit digjital po debatojnë, perfeksionojnë “Shkolla digjitale pozitive” apo “Universiteti digjital pozitive”, pasi janë duke fuqizuar standardin ETIK përkundrejt problematikave që shfaq edhe shkolla apo universiteti digjital.


Kështu, ne duhet të shqyrtojmë realitetin: 


Sa përqind e hapësirës mbulohet nga internetit në gjithë vendin dhe zgjidhja se çfarë do bëhej aty ku nuk mundet; 

  • Të dhënat se sa prej mësuesve, pedagogëve tanë zotërojnë laptopë e tableta; 
  • Të dhënat se çfarë pajisjesh janë përdorur në komunikimet me familjet e nxënësve deri më atëherë dhe sa mund të jenë të gatshme për mësimin online, sa ato mundësojnë që çdo fëmijë të ketë pajisjen e komunkimit. Çfarë vështirësish krijohen kur familja ka më shumë se një fëmijë;
  • Cila do të ishte platforma zyrtare që do të përdorej në nivelin parauniversitar pasi në atë universitar duhej të ishte zgjidhur nga udhëheqësia e tyre, por që duhej të ishte monitoruar e kontrolluar në gatishmëri nga Ministria; 
  • Sa përqind e programeve mësimore janë mbështetur nga shtëpitë botuese fituese nga Alterteksti edhe përmes librit digjital dhe çfarë peshe zënë ndaj të tërës; 
  • Sa përqind e programit mësimor pranon të kondensohet dhe deri në çfarë mase në kushtet e një mësimi online.


Mësimi online vazhdon dhe ai tashmë është realitet në çdo familje shqiptare. 

Pandemia i shpërtheu kufijtë për të na vënë në kushte emergjence por nga ana tjetër na mbylli kufijtë për ta zgjidhur vetë situatën me të keqen më të vogël të mundshme. Arsimi duhet tashmë të jetë në fund të zgjidhjeve të tij me disa skenarë: 


Së pari, karantinës humane duhet t’i bashkëngjisim institucionalizmin në funksion dhe deklarimin publik të udhëheqësisë për mirënjohjen për luftëtarët e luftës me të, përmes mësimit online falë vullnetit dhe rolit të misionarit që jo pak prej nesh ja nënkuptojnë ENDE vetes ndërsa shërbejnë në arsim. 

Së dyti, tashmë identifikimi i nevojave, të lindura rrishtazi atje ku nuk kemi shkuar ende me mësimin online, duhet te këtë një plan B, konkret në mbështetje nominale dhe vendore nga qeveria. 

Së treti, mund të normohet juridikisht, në kushte të kësaj fatkeqësie natyrore, rishikimi i formës së provimeve për finalitetet në nivelet e ndryshme. Për mua, provimet e shkollës nëntëvjeçare mund të mbështeten në notat e realizuara deri më tani. 


Si rekomandime do të veçoja: 


  • Shkolla e mesme, të mbyll vitin me vlerësimet e kryera nga mësuesit gjatë gjithë vitit për lëndët. Matura shtetërore pranon adoptimet e mëposhtme.
  • Për rastet e aplikimeve të nxënësve për bursa dhe aplikime të fituara për studimeve jashtë vendit dhe kur kusht është Matura Shtetërore 2020, kjo e fundit, organizohet nën rreptësi të kushteve anticovid nga Ministria e Arsimit.
  • Nxënësit/ Studentë që do të aplikojnë për studime në universitetet shqiptare në muajin shtator t’i nën shtrohen provimeve pranuese në fakultete sipas grafikëve të ndërtuara nga Ministria dhe programeve të bashkë hartuara mes universiteteve dhe programit të Maturës Shtetërore. 
  • Universitetet të vendosin përmes Senateve online mënyrën e përshtatjes së sistemit të vlerësimit në këto kushte duke kujtuar se ky leksion/ seminar online ka një efikasitet më të mirë se studimet universitare me korrespondencë, që në vite kanë dhënë diploma të barabarta me studimet me shkëputje nga pune në një eksperiencë shumëvjeçare në Shqipëri. 


Në konkludim të ideve dhe analizave të mija mbi këtë realitet të ri të edukimit në Shqipëri besoj se të gjithë bashkë që punojmë në arsim kemi pasur në shans për të ridimensionuar besimin publik tek puna jonë pasi kemi hyrë pothuaj në çdo familje shqiptare në këtë kohë karantine, si asnjë pushtet tjetër në këtë shtet. Duhet të vijojmë të përmirësojmë instrumentet dhe mënyrat tona për maksimizuar suksesin në kushte “lufte”.  


Shkolla, universiteti duhet të jetë në ballë të luftës me injorancën digjitale. Duhet të jenë promotorët e demokracisë dhe etikës digjitale. Kjo nuk është sfidë vetëm në kushte karantine, kjo është sfida me të ardhmen e fëmijëve dhe të brezave në këtë vend. Mësuesit, pedagogët mund tá udhëheqin këtë. 


Hygoja i madh na kujton:  

“Liria fillon aty ku mbaron injoranca, sepse tí japësh liri injorantit është sikur tí japësh armë të çmendurit”. 

  

Analizë nga Dr. Majlinda KETA


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,256 Lexime
1 muaj më parë