Profil

"Matematika stërvit trurin, palestra muskujt"

Një bisedë me profesorin e matematikës së shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në kryeqytet Sorkadh Malaj, i cili ndan me ne eksperiencën disa vjeçare në arsim dhe disa mësime jete pa formula.

Nuk i pëlqen të flasë për veten, megjithëse ka shumë për të thënë. Në bisedat e para telefonike flet prerë dhe qartë. Nuk ju përgjigjet pyetjeve për të cilat ai është i bindur se janë pyetje të bukura por përgjigjet nuk mund të jenë të tilla.


E takojmë profesorin e matematikës në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, Sorkadh Malaj, pranë Postës Qendrore. Biseda fillon thjesht dhe bukur, që në fjalitë e para ai fillon të na tregojë për Rrugën Çamëria, tregun që ndodhet në këtë rrugë. Duke biseduar, kërkojmë kafenenë ku mund të ulemi. Profesori na drejton në një rrugë që gjarpëron mes pallateve, është një lokal shumë të veçantë, në hyrje ka shumë pemë, zogjtë cicërojnë dhe për një moment të bë të harrosh që ndodhesh në qendër të Tiranës! Përpara na shfaqet një kafene dhe një ambient i ngrohtë, në të cilin ndodhen disa të rinj të përqendruar në ndeshjen e radhës që shfaqet në ekranin e madh. Ulemi në një qoshe dhe biseda vijon.

Profesori është nga Tepelena, dhe në familjen e tij janë tre vëllezër që ushtrojnë profesionin e mësuesit, dy ndër të cilët mësues matematike. Vëllai, mësuesi tjetër i matematikës, për të ishte një model dhe ai ndoqi rrugën e tij. Që kur u ul për herë të parë në bankat e shkollës e derisa u diplomua ka qenë një nxënës me rezultate të shkëlqyera. I kujton me shumë nostalgji mësuesit e tij për të cilët thotë se ishin shumë të përgatitur, kujton me detaje çfarë mësoi nga secili prej tyre. Kujtimet janë të freskëta, madje teksa ai i tregon, të krijon përshtypjen sikur këto ngjarje kanë ndodhur dje.

Ditët më të vështira për të ishin në periudhën e trazirave të vitit 1997, kur ai u detyrua të largohej nga vendlindja dhe të vendosej në Tiranë. “Ishte e vështirë, nuk i besoja askujt, nuk ua lëshoja dorën fëmijëve të mi për asnjë çast”, - thotë profesor Sorkadhi. U vendos në kryeqytet në një shtëpi trekatëshe, ai banonte në katin e dytë të saj me qira dhe me kushte jo të mira. Por, kishte një arsye pse duhej patjetër të banonte në këtë shtëpi. Përballë saj ndodhet shkolla “Fan Noli” në të cilën filluan të shkojnë dy fëmijët e tij, vajza dhe djali, 7 dhe 8 vjeç. Nga shtëpia ai mund t’i shikonte teksa kalonin rrugën dhe futeshin në shkollë. Kohë më parë ai kishte vendosur të ndante jetën me bashkëshorten e tij, e cila është në profesion ekonomiste, një grua e fortë dhe me autoritet. Të dy bënin pjesë tek ato çifte të cilët dëgjojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin.


Por në ato vite të vështira për të gjithë, ai nuk mundi që menjëherë të ushtronte profesionin e tij. Së bashku me bashkëshorten hapën një dyqan të vogël pranë Prokurorisë së Përgjithshme fitimet e të cilit rregulluan jetën e profesorit. Por, ai u rikthye në profesionin e tij të dashur, të cilin e ushtroi për vite me radhë, madje edhe në lëndë të ndryshme për të cilat studio shumë. Nuk arriti aty ku donte ai për shkak të sistemit, por ai e dinte që për të nuk ka asgjë të pamundur.


Prej 10 vitesh ai është mësues në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në kryeqytet.

Kjo është një shkollë e veçantë për shkak të nxënësve që e frekuentojnë këtë shkollë. Pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e komunitetit rom. Ai nuk bën diferencime, por thekson se disa nxënës kanë pasur më shumë mundësi, kanë frekuentuar kopshtin, më pas klasën përgatitore, parashkollorin, ndërsa disa të tjerë, kryesisht nga komuniteti rom nuk i kanë pasur këto mundësi. Këto vihen re menjëherë në klasë që nga mënyra e qëndrimit në bankë. Prandaj mësuesit e kësaj shkolle janë shumë të përkushtuar, punojnë fort për të arritur rezultate tek gjithsecili nxënës. Puna është e vështirë, por profesor Sorkadhi thotë se përkushtohet shumë dhe mbi të gjitha e bën këtë punë me shumë dashuri. Është i bindur se në asnjë punë nuk arrihet sukses nëse nuk punohet me dashuri. Thekson se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i shkollës me prindin për të pasur rezultate pozitive tek nxënësit.


“Në vende të ndryshme të botës Ministria e Arsimit dhe Sportit që është tek ne atje quhet ndryshe, është Ministria e Edukimit. Shkolla edukon. Nxënësit janë vazhdimisht duke u edukuar. Edukimi fillon në familje e vazhdon në kopsht, klasat parapërgatitore, shkollë....”

Disa besojnë se një nxënës që shkëlqen në matematikë, jo domosdoshmërish duhet të shkëlqejë në muzikë, apo një nxënës që shkruan bukur jo domosdoshmërish duhet të arrijë rezultate maksimale në edukimin fizik... Profesori nuk është dakord me këtë. “Një nxënës në një klasë të caktuar duhet të dijë për secilën lëndë atë që është përcaktuar në programin mësimor. Duhet të dijë të bëjë një pikturë të bukur, t’i bjerë një vegle muzikore edhe në rast se nuk i duhet, të shkruajë një hartim në orën e letërsisë... Këto janë të rëndësishme sepse pavarësisht nëse shkëlqen apo jo nxënësi të gjitha këto, ai do të përjetojë emocione, do të ndjehet ndryshe”.


Kur e pyesim për matematikën, një lëndë që për shumë nxënës klasifikohet si e vështirë, ai thotë: “Matematika stërvit trurin. Ashtu siç palestra stërvit muskujt”. Por si është një orë matematike për të? “Në xhep mbaj shkumës me të gjitha ngjyrat. Shkruajnë tabelë me një rend të caktuar dhe në fund të orës së mësimit gjithçka është në tabelë. Nuk e fshij tabelën dhe të shkruar përsëri, por e qëndis në atë formë që nxënësit t'i kënaqet syri dhe t’i fiksojë të gjitha në mendje .”


Profesor Sorkadhit nuk i pëlqen të flasë për veten, por kur e takon e kupton se ai bën pjesë në ata njerëz që kanë shumë për të treguar. 


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

2,790 Lexime
2 vjet më parë