Opinion

Matura shtetërore në këndvështrimin e studentes

Je përpara zgjedhjes se çfarë drejtimi do t’i japësh jetës tënde, cilat janë preferencat e tua në lidhje me degën që dëshiron të ndjekësh në universitet

Matura shtetërore është një fazë që shënon përfundimin e tre viteve të gjimnazit dhe është hapi i parë drejt universitetit. Edhe pse e kam kaluar këtë fazë kur shkoj në vendin tim, një fshat i vogël në rrethinat e Elbasanit, interesohem për nxënësit që kanë për të kryer provimet e Maturës Shtetërore dhe më duket sikur në sytë e këtyre maturantëve shoh pasiguri e ndoshta edhe frikë.                     

Duke dashur të bëj një krahasim midis maturës që kam kaluar vjet dhe kësaj mature duket sikur ka ngjashmëri, por ka edhe ndryshime. Stresi dhe frika përpara provimeve të maturës shtetërore duket sikur është prezent në çdo vit, në çdo maturë dhe si një studente e cila nuk e ka të largët këtë periudhë mund të them se arsyeja pse ndodh kjo është prej rëndësisë që ka procesi i maturës shtetërore në të ardhmen e gjithsecilit.                                                                                                

Në përfundimin e kësaj faze je përpara zgjedhjes se çfarë drejtimi do t’i japësh jetës tënde, cilat janë preferencat e tua në lidhje me degën që dëshiron të ndjekësh në universitet. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë fakt, por si i bëhet në momentin kur nuk e ke të qartë se çfarë realisht dëshiron për të ardhmen tënde? Mendoj se kjo është një ndër arsyet pse maturantët ndihen të pasigurt dhe konfuzë.

Përveç kësaj në shkolla, ose të paktën në shkollën ku kam mbaruar unë gjimnazin, ekzistonte lënda e edukimit për karrierën e cila supozohet të ndihmojë maturantin të zbulojë aftësitë e tij dhe të qartësojë dëshirat e tij, por në të vërtetë kjo lëndë nuk ka ndikim tek nxënësit, nuk i ndihmon ata. Nxënësi përfundon gjimnazin dhe gjendet përpara plotësimit të formularit me 10 preferenca. Ai është i paqartë në synimet e tij dhe ndodh që shpeshherë të bëjë edhe zgjedhjen e gabuar duke mos dhënë më të mirën e tij më pas.

Krahas kësaj paqartësie, në rritjen e koeficientit të stresit tek maturantët ndikojnë shpeshherë edhe mënyra se si mësuesit, kryesisht të lëndëve matematikë dhe letërsi ushtrojnë trysni mbi nxënësit në mënyrë që këta të fundit të arrijnë rezultate sa më të mira. Është e rëndësishme arritja e këtyre rezultateve, por mendoj se të qënit nën trysninë e vazhdueshme të mësuesit nuk i ndihmon aspak nxënësit që të japin më të mirën e tyre në provime.

Ndaj mund të them se këta nxënës që janë në fazën e para provimeve të maturës janë të paqartë dhe të pasigurt në lidhje me procesin e Maturës Shtetërore dhe asaj çfarë do të duan të bëjnë me të ardhmen e tyre.

(Emanuela Pepa, studente, Fakulteti i Shkencave Sociale)

2,732 Lexime
7 vjet më parë