“MËSUESJA QË LA GJURMË TEK UNË”

"Mësuesi ideal, vjen, sa herë ne kemi nevojë për të"

"Mësuesja ime e klasës së parë, ishte një grua nga ato që klasifikohen si zonja të pamjes, elegancës dhe mendjes. Ajo vinte gjithmonë erë të mirë. Gjithmonë me një kostum gri. Me forma të rregullta dhe me një zë qetësues. E prerë, e saktë..."

Më lejoni të mos e quaj letër këtë që po ndaj me ju, por një rrëfim përpara çdokujt prej jush, një rrëfim që ju shpie në të kaluarën po aq sa dhe në të ardhmen. 


Shpesh jam pyetur për mësuesen e klasës së parë. Sa dhe si e mbaj mend atë! Në të vërtetë do të flas siç më sillet në kujtesë dhe ashtu shkurt siç janë vegimet e fëmijërisë, veshur me tis natyrshmërie. 


Sot e kësaj dite përpiqem të gjej ndikuesin më të madh në mua, por nuk e gjej kaq herët në jetën time. Ai ka ardhur më vonë, besoj  në kohën e gjimnazit.


Unë buzëqesh me kurajon e kujtesës, pasi e mbaj mend mirë mësuesen e klasës së parë dhe shijen e jashtëzakonshme prej saj. Po po e quaj të jashtëzakonshme, pasi një fëmijë i vogël ndjen dhe sheh forca të mbinatyrshme te mësuesi i tij, aftësi prometeane dhe prirje humanizmi deri në kufijtë e njësimit me nënën apo atin. 


Duke kujtuar, konstatoj fatin tim të mirë në mësimdhënës që na kanë rritur. Dhe kjo punë vërtet është çështje fati, pasi mësuesi mund të jetë një profesionist i mirë, por nuk mund të të rastisë domosdoshmërisht një mësues që do të mbahet mend nga ti. Ka plot prej tyre që kalojnë para meje si figurantë, sikundër ka plot për të cilët ruhet admirimi. Por ndonjë e kapërcen edhe këtë, duke qenë pse jo një prijës shpirtëror.


Në këtë moment pyeteni veten dhe ju se kë mbani mend nga shkolla juaj? A është aty mësuesi juaj ideal? Përpiquni të sillni në vëmendje situatat përkatëse dhe nëse ato ju bëjnë optimist, ai (mësuesi) ka qënë aty pa bujë dhe pa lajka.


Çfarë rëndësie merr sot kjo vëmendje dhe kjo kujtesë? Pse duhet një nxënës të fokusohet te projektimet e mira mësues - nxënës dhe tek personalitete që përcjellin modele inspiruese? Po duhet më shumë se kurrë. Se në ditët e sotme, nxënësit më shumë kohë kalojnë me mësuesit, sesa me prindërit. Mblidhni minutat, orët dhe ditët e përbashkëta, ku përballë është mësuesi. Nëse kjo kujtesë ju streson ai nuk është mësuesi juaj, nuk është i duhuri, ama nëse ju vraponi për të shkuar të nesërmen aty, dhe dëgjoni emrin tuaj të shqiptuar nga ai, ai është mësuesi juaj. Sot më shumë se kurrë nxënësi ka nevojë për dikë që t’i vërë dorën në sup dhe ta ndalë me zë të ulët: përpiqu të mos e bësh këtë. Sot realiteti po njeh sfida të pakthyeshme dhe mjaft luftarake, në mes të të cilave nxënësi gjendet i pambrojtur dhe pa përvojën e jetës. Mësuesi i mirë ia mëson këto. 


Unë e di që shumë si unë zbulojnë çdo ditë fakte e dëshmi që na lënë me gojë hapur, që shumë si unë kujdesen të dinë se çfarë fshihet pas një zgjimi jo të mirë tek një fëmijë. Po po fëmijë, jo thjesht nxënës. Le t’i shohim në radhë të parë si fëmijë. Ky është mësuesi i vërtetë, quajeni pa frikë po të doni edhe ideal. Se që ta themi kështu troç dhe ta pranojmë, mësuesi ideal është aty në turmë…


Mësuesi idel është ai që ju bën të ndiheni aq shumë njerëzorë, që shtrin dorën e paqes, ka sy të mprehtë edhe për bulizmin më të thjeshtë, sheh në dëshira fëmijësh dhe kujtohet ta pyesë gjithmonë nxënësin për opinionin e tij rreth diçkaje. Mësuesi ideal kalon pa zhurmë pranë jush, duke ju zgjuar papritur respektin për të. Mësuesi ideal ka vepra, jo fjalë. Ai këshillon përmes ngjarjeve duke i sjellë ato tek nxënësi si fjalë të urta. Një mësues i tillë nuk krijon ura, ai i shmang fare ato. Një mësues ideal e di fare mirë se kush je ti, dhe nuk nxiton për të të krijuar hapësirën tënde. Një mësues i tillë duhet ta kuptojë hallin tuaj që sa vjen e kthehet në një ankth mëngjesi.

Unë jam vetë mësimdhënës. Rri e mendoj a mundet që një mësues të shkruaj për një mësues?

Po, vazhdoj ende të shkruaj për atë se si duhej të ishte më e mira në mua. Unë besoj se nuk jam si mësuesja ime e klasës së parë. E kujtoj atë grua. Mësuesja ime e klasës së parë, ishte një grua nga ato që klasifikohen si zonja të pamjes, elegancës dhe mendjes.

Ajo vinte gjithmonë erë të mirë. Gjithmonë me një kostum gri. Me forma të rregullta dhe me një zë qetësues. E prerë, e saktë, aq sa kur vinte pranë meje kisha emocion.

Eh, pastaj mbante një stilolaps të kuq, me një të kuqe të bukur që nuk gjendej rëndom asokohe. Ishte tepër e kujdesshme aq sa edhe foto që ne bënim çdo vit si klasë, kishin kujdesin e saj që ne të ishim në pamjen më të mirë. 

Qytetarinë e saj e mbaj mend ende. Se kurrë s’të kthente kurrizin. Kujtoj se si bisedonte me zë të ulët duke mos të të vënë në siklet. 

Ajo qëndronte në mes të klasës, lëvizte nëpër rreshta dhe nuk mbetej bangë në të cilën ajo nuk përkulej me hijeshinë e saj, për të parë detyrat e bëra.

Nuk mbaj mend asnjëherë, që ajo të ketë refuzuar ndonjë nxënës, për shkak se ishte veshur më keq se të tjerët, apo për faktin se nuk mund të kishte ca gjëra që ca të tjerë i kishin.

Ndonëse e admiroj, unë sot nuk jam bërë si ajo. Unë mora disa gjëra nga idealja ime. E dini se si!?

Unë e dua mësuesin pa përparësen e bardhë, ja ashtu si zysh Sadetja. E dua me aromë të mirë, me flokë të rregullt, e dua me ritëm të saktë e të fortë të sintaksës. E dua të flasë pastër gjuhën tonë. Të ngrejë dhe të ulë zërin, të zgjojë fëmijën nga letargjia. Të qëndrojë aty në mes të klasës dhe të rrëfejë çdo ditë një histori të vogël jete…. Pastaj le të shpjegojë e nëse ata se kuptuan…. Le ta hedhë shkumësin dhe le të tregojë një histori tjetër…të ulet në një cep tavoline, të shohë pakëz nga dritarja dhe pas saj, në atë pikë, të shohë dhe syri i nxënësit të vet. Të jetë i gjerë… Por të mos jetë perfekt. S’ka pse të jetë i tillë, se kështu e tremb nxënësin. Mësuesin tim dua ta shoh si diçka që duhet ta arrijë patjetër, por edhe ta besoj se mund ta arrij.


Dikur, teksa fillova të lexoja librat e parë në mungesë të kinematografisë dhe të shembujve botërorë, fillova të mendoja se unë mund të isha një mësimdhënëse fantastike. Më gëzon fakti që e ndoqa këtë udhë…dhe kam kërkuar idealen në udhën time, jo perfeksionin. Çdo ditë kam qenë në zhvillim…

Sikundër unë, ndonëse nga kënde të ndryshme, si kolegë, prindër, nxënës, të gjithë e ëndërrojnë një mësues ideal. Provoni të pyesni veçanërisht çdo fëmijë: Çfarë do donit të kishte tjetër mësuesi juaj, dhe do kuptosh që zotëron një përgjigje, e cila vazhdimisht kërkon një figurë, tek e cila fëmija sheh se përmes saj nuk mund të ndryshojë botën, por të modelojë të ardhmen. Unë jam e bindur që kaq e thjeshtë dhe e rrëmujshme është e gjitha kjo që ne kërkojmë, edhe përmes mësuesit të parë apo të fundit. Mos u lodhni kaq shumë miqtë e mi; mësuesi ideal është aty, sepse ai vjen sa herë ne kemi nevojë për të.


Adriatike Lami, Drejtore e shkollës “Wilson”, Specialiste e arsimit parauniversitar


(Portali Shkollor)

8,013 Lexime
6 vjet më parë