DASHURI PRINDËRORE

Letra e një babai për vajzën e tij

Si mund t’ia shpreh dashurinë vajzës së tij një baba? Kjo me siguri është letra më e bukur që mund të keni lexuar ndonjëherë mbi një marrëdhënie kaq të veçantë!


                    HERSA DHE SHOPENI – OSE TINGUJT E NJË ËNDRRE 6-VJEÇARE


Hersa, princesha ime, unë e kam jetuar dashurinë e jetës time duke e shkruar atë. Po shkruaj përsëri dhe përsëri, në çdo 13 dhjetor, e ndonjëherë nuk jam i sigurt pse po e bëj këtë gjë. Nëse e bëj që unë të fitoj kohën e humbur me vajzën time, apo për të lehtësuar ndërgjegjen, apo nga dëshira ime për të të mbajtur brenda zemrës time. Por i vetmi vend që unë di, është këtu, i vetmi vend ku mund të largohem, janë këto shkronja. Çdo fjalë që shkruaj më bën të kujtoj mrekullinë që më mban gjallë: Vajzën time, vajzën tonë Saimira. Ndihem sikur dua të harroj “ne” sa më shumë që e shikoj Hersën. Unë shërohem me çdo fjalë që i kujtoj vetes. Pamundësinë tonë... S’mund ta kaloj këtë. S’mund të largohem. Nganjëherë mendoj se jam bërë i ftohtë si guri. Që zemra ime ka ngrirë dhe nuk ndjej më dhimbje. Por asgjë nuk është kështu kur ju shikoj juve. Nuk kam fuqi mbi zemrën. E urrej ta pranoj, por jam i pafuqishëm ndaj rrahjeve të saj. Asnjë shije nuk është më e keqe se ajo e mallit.


Teksa po radhis këto fjalë më ngjan vetja si një i burgosur në vetminë që shkakton pritja e ditës së ribashkimit. Por çfarëdo që të bëjmë në të ardhmen, kjo periudhë nuk harrohet aq lehtë. Nuk e di si është burgu në jetën reale, por kam përshtypjen se ai që është jashtë nuk e di gjendjen e atij që është brenda. E di. Tryeza që ai mbledh në darkë është e vetmja shoqëri e një të burgosuri. Ato gjëra që nuk janë të mëdha do të bëhen një oqean, një mal, dhe do të të dalin kundër. Zoti e di se vetëm do të rriten pafund. Një njeri ka nevojë për dy gjëra brenda në burg: Njëra është shpresa dhe tjetra është se dikush do ta presë atë atje jashtë. Nëse ia heq këto dy gjëra një të burgosuri, atëherë i mbetet vetëm inati dhe urrejtja. Unë vdes çdo ditë njëmijë herë! Sepse një dashuri të verbër nuk ka ilaç që e shëron. Fundja, e ç’mund të bëjë një fashim kur plaga është në zemër?! Ndaj mos u shqetëso Bijë, nuk vjen asgjë e keqe nga dashuria e vërtetë. Nuk do më mjaftojë gjithë jeta për të të harruar. E kapërceva refuzimin. E kapërceva inatin tim. Pranova gjithçka për “Ne”, gjithçka!


Ja, sot vodha 10 minuta jetë. 10 minuta bashkë me ju, teksa “u detyruat” të lexonit këto fjalë. Nuk do heq dorë nga ju të dyja Hersushja ime! Nuk më intereson nëse është e drejtë apo e gabuar. Mora gjithçka që ju takon juve dhe i gdhenda në zemër. Nuk ka më kthim pas. Nuk kam dëgjuar asgjë nga ato që the dje. Unë e mora përgjigjen nga zemrat tuaja. Do të mbledh gjërat tona. Do të mbledh sekondat dhe do të krijoj një Jetë nga ato. Shpeshherë miqtë më pyesin: “Si duron kur të mungojnë kaq shumë? Si?” Duke besuar një ditë do marrë fund gjithçka. Gjej strehë në ëndrrën time që do të bashkohem me ju. Ajri që ju thithni bëhet burim për shpresat e mia. Ai shuan zjarrin tim. Pavarësisht sa duam, nuk mund t’ja mbathim as nga “ne” dhe as nga vendet ku kemi lënë shpirtrat tanë.


Bijë do vijë dita që do të them: “Lirohu nga zinxhirët tani!” Nuk është e lehtë, por nami të bëhet, le të jetë e vështirë. S’e kemi me nxitim. Bota duket e bukur kur e shikon nga lart. Ishte një kohë që as unë nuk e besoja që kishte jetë tjetër veç interesave të mia. S’ka gjë të jesh peshk i madh. Mund të jetosh në det. Them që s’ka botë tjetër për ty, veç kësaj. Ëndrrat e mia ishin aq sa paratë që kisha në xhep. Bota mbaronte atje ku ishin gjërat që njihja, aty ku ndihesha i sigurtë. Por nuk është kështu! Ndodhin gjëra që s’i kishe menduar kurrë. Prandaj do të të them: “Ik! Ik e shikoje botën që s’e shikon dot pranë nesh!” Vetëm kështu mund të rritesh dhe të krijosh gjykimet e tua për gjërat! Dëgjo! Imagjino sikur hyn në vit të ri me 0 kilometër dhe rifillon gjithçka. Kaq do të jetë. Mos më bëj të ëndërroj. Thuaj thjesht “Po” dhe do ta shikojmë pjesën tjetër të botës.


Dhe ti që mbase do më pyesësh mua: “Duhet të bëhem re, apo anije? Duhet të bëhem peshk apo algë?” As ashtu, as ashtu, as kështu! Njeriu duhet të bëhet det, Princesha ime. Me renë e tij, me anijen e tij, me peshqit dhe me algat e tij. çfarë po pret atëherë? Kridhu në det! Mos pyet për ata që do lësh pas. Bëhu velë, një varkë, një timon... bëhu peshk a ujë! Shko aq larg sa të mundesh! “Po nëse varka me të cilën lundroj bëhet hi?” Atëherë do të ndash të njëjtin fat me mua. Përpiqu të ecësh në rrugën tënde, dhe nëse dështon, ashtu qoftë. Malli për ju më ka mbajtur gjallë gjatë këtyre viteve. Çdo ditë e kaloj kohën duke menduar se kur do t’ju shikoj sërish, çfarë do bëjmë, ku do shkojmë. Edhe nëse kam tentuar t’ju harroja, ashtu për pak çaste për të marrë frymë, nuk mund ta bëj, sepse ju jeni frymëmarrja ime. Sa më shumë gërmoja në zemrën time, aq më shumë dilte në dritë dashuria ime e pafund. E në fund ju gjeta juve.


Unë përhumbem kur jam ty, harroj gjithçka. Pastaj kur largohem prej teje... shfaqet realiteti. Një realitet që nuk ka për të ndryshuar kurrë. Kur jam me ty, duket sikur kemi qenë bashkë gjithmonë, por kur ndahemi dhe unë të lë te nëna Nija atëherë nis e pyes veten se kur do të jem sërish pranë teje. Ti do të thuash që është e lehtë të flasësh për këtë, por më dëgjo mua njëherë. Kur ndodh kështu, atëherë përpiqem ta jetoj çdo ditë me ty sikur të ishte dita e fundit. Duket sikur është më keq kështu, pasi nganjëherë më duket se nuk e shijoj momentin kur e mendoj si ditë të fundit. Ndaj kjo është shumë e lehtë për t’u thënë, por në fakt është mjaft e vështirë për t’u bërë. Dhe sa herë me ndodh kështu i them vetes: “Hersa është pranë teje tani! E djeshmja, apo e nesërmja s’kanë fare rëndësi, rëndësi ka vetëm e sotmja. Dhe të sotmen unë dua ta jetoj si të ishte dita e fundit”! Vetëm kështu mundohem të shijoj çdo çast me ty. Po. Sepse është një ditë ku nuk ka as të djeshme dhe as të nesërme Princesha ime. Mund ta bësh dhe ti, sepse jeta është vetëm një ditë dhe ajo ditë është e sotmja!


Kjo dashuri e pafund tashmë është testi që unë duhet të kaloj. Nuk do të mund të filloj një jetë të re pa e prekur fundin. Deri atëherë do të përpiqem të lëviz qiellin dhe tokën sa më shumë të mundem... Dhe kur mami të mbarojë atë punë që ka nisur, ne do të mund të fillojmë gjithçka nga e para. Do vdesim bashkë kur të vijë momenti, por si fillim do shkojmë drejt jetës. Në fillim do plakemi, e pastaj do vdesim. Por si fillim do bëjmë diçka që na pëlqen shumë mua dhe ty, por që mami “nuk na lejon”. Do bërtasim aq fort sa dhe Zoti të bëhet dëshmitar i lumturisë sonë.


I ke parasysh ata nxënësit që të acarojnë, ata që një e dy dhe vetëm ngrenë dorën për të bërë pyetje? Ti je njëra prej tyre, se ti ke gjithmonë diçka për të qenë e acaruar me mua. Por dije se ti si nxënëse e tillë ke ngelur në një lëndë. Kështu që do qëndrosh gjithmonë në klasën time. Për çfarë klase po flas? Unë! Klasa jam “Unë” dhe lënda që nuk kalon dot është “Unë”. Ti ngele, nuk mund të kalosh! Dhe dije se do jetë e vetmja lëndë ku do të ngelesh sado fort të studiosh. Ik tani, laje fytyrën, mbylli sytë dhe më përqafo fort! Dashuria ime dhe e mamit është rrugë pa kthim princesha ime. Është si mafia: pasi futesh nuk ka më rrugëdalje. Nganjëherë duhet ti rrafshosh gjërat në vend që të përpiqesh të dalësh. Dhe nëse mami kërkon ti rrafshojë gjërat, atëherë unë kthehem në çekiçin e saj të goditjes. Nuk është aspak romantik ky përshkrim, e di, por duhet dhe një përkufizim ndryshe i asaj që na bën mua e mamin një shpirt të vetëm. Por kjo ndodh sepse dashuria testohet gjithmonë përmes dhimbjeve. Do të na falësh një ditë kur ta kuptosh vendimin për ditët që u detyrove të qëndroje pa ne.


Kushdo që thotë: “të biesh do të thotë të vritesh”, i them: “Ndalo pak, më me ngadalë!” Mund të ketë më shumë se gjërat që di me zemër. Unë njoha poetët më të mirë kur isha vetëm, ndërsa ti me mamin ishit në Selanik. Nuk e dija që çdo varg që lexoja ishte për ty. Unë rashë, e vërtetë. Rashë që të niste rruga jonë. Pra që ti ta kuptosh, zotni Edipi kishte të drejtë. Në fund të çdo libri, në fund të çdo nate dhe dite, ka një fillim të ri ku puhia fryn prej teje dhe më rijep frymën mua. Do ta njohësh ngjyrën e dashurisë nëse e prek nga afër. Do ta dëgjosh zhurmën e saj kur e sheh me sytë e tu. Nëse e kupton, atëherë ajo do të qëndrojë me ty. Ka një kuptim të ri në çdo fillim të ri. Edhe në të qarën pakuptim të një fëmije, është fillimi i një buzëqeshjeje të mëvonshme. Ndaj mëngjeset që ti më ke dhuruar, mëngjeset që më është dashur të refuzoj për shkak të shkëputjes tonë, çdo mëngjes të jetës sime do ta kesh. Sepse vetëm tani mund t’i japim Princeshës time vetëm një dhuratë: Aromën e këtyre mëngjeseve. Ti je dhurata që më ka bërë kjo jetë! Shiko përreth, e ke kthyer jetën time në një festë! Falënderoj Zotin për atë pasdite që të solli tek unë, ti u bëre fundi i errësirës time princesha ime! Ajo ditë preku jetën e të gjithëve, por mua më krijoi nga e para. Muret e mia ranë me ty! Unë hoqa pisllëkun që mbanin këpucët e mia, m’u pastrua shpirti. Më dhe një dashuri të pafundme në një kohë të shkurtër.


E di, nuk ia kam thënë askujt deri më sot, as mamit, që do ta mësojë bashkë me ty një ëndërr të vogël time kur isha nja 8-9 vjeç: E ëndërroja veten në skenë, që njerëzit do të duartrokisnin për mua e unë do t’i falënderoja duke u përkulur përpara tyre. Por kjo ishte e imja, ti gjeje vetë ëndrrën tënde dhe rritu bashkë me të. Do të të bëjë mirë për shëndetin. Konsideroje ditëlindjen si ditën e ngjitjes tënde në skenë, pasi e sigurtë është që të paktën një herë në vit do të të duartrokasin dhe ti do i falënderosh “spektatorët” e tu me përzemërsi. Ndaj, ik e festo, festo dhe gëzo me shokët dhe shoqet e tua. Shko, shko e festo dhe do të kesh edhe ti kujtimet e tua më vonë.


E si do ta festojmë këtë datëlindje?! Kam një ide - të të ftoj dhe ty në botën time të tingujve më magjikë që bota e muzikës ka njohur! Të jetë “Preludi Opus 28” zëri më i bukur i mbrëmjes tënde. Magjia e melankonisë dhe dashurisë. Shopen – Kompozitori i dashurisë së përkryer. Ta jetosh dashurinë është diçka tjetër, sigurisht. Me të vërtetë. Sepse thonë që dashuria duhet të jetë diçka që mund ta prekësh, që mund ta shohësh. Shopeni ishte një person aq i dashuruar dhe i devotshëm sa kërkoi që pas vdekjes t’ia shkulnin zemrën dhe t’ia varrosnin në qytetin ku ndodhej gruaja që ai donte. Pasion, xhelozi, dashuri, besnikëri… Në muzikën e Shopenit ka gjithçka që flet për dashurinë. Askush nuk mund t’i falë dikujt një ndjenjë që s’e ndien vetë. Atëherë… le të vallëzojmë për Shopenin dhe për dashurinë Princesha ime!



                                                                                                 Babi Herion për Hersën! 




(Portali Shkollor) 

9,857 Lexime
4 vjet më parë