Model

Orë digjitale në lëndën Letërsi XI

Kjo orë mësimi e mbështetur mbi tekstin digjital në lëndën Letërsi XI është realizuar nga mësuesja Aleksandra Janaqi në shkollën “Sami Frashëri”. Gjatë orës së mësimit u përdorën materialet multimediale që ndodhen në tekst.

Ora digjitale është zhvendosur në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet. Kjo shkollë është shkolla më e mirë në Tiranë sipas kartës së performancës. Ne jemi me mësuesen Aleksandra Janaqi e cila do të realizojë orën e hapur bazuar në tekstin digjital Letërsi XI, botimet shkollore Albas.


Temat e mësimit për këtë orën 90 minutëshe janë: Analizë “Zonja Bovari” dhe koment “Ëndërrimet e Emës”. Nxënësit e kanë lexuar veprën dhe janë të gatshëm për të bërë analizën e saj. 


Puna është organizuar në grupe, nxënësit janë shumë aktiv dhe vihet re një komunikim i lirshëm me mësuesen, flasin dhe argumentojnë mendimet e tyre duke e bërë orën e mësimit të larmishme. 

Plan ditar 

Koha 90’

Java e VII


Fusha:
Gjuhët dhe komunikimi

Lënda:
Letërsi


Shkalla:
V

Klasa:
11

T
ematika: Epoka e realizmit

Situata e të nxënit:
Nxënësi kupton se si përvojat letrare ndikojnë duke ndërtuar përvoja personale, vlera dhe qëndrime, që vlejnë më vonë në perceptimin e botës.

T
ema mësimore: Ora 1 - Analizë “Zonja Bovari” Ora 2 -  Koment “Ëndërrimet e Emës”


Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyç:
Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit Kompetenca e të menduarit Kompetenca personale Kompetenca qytetare Kompetenca digjitale    
 

Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave të fushës sipas temës mësimore:
Nxënësi/ja: • diskuton në grup në mënyrë konstruktive, duke dhënë dhe marrë informacion; • njeh dhe vlerëson veprën e Floberit për kontributin e saj në letërsinë realiste e sidomos për lëvrimin e romanit psikologjik; • aftësohet në analiza letrare për të kuptuar teknikat e shkrimit; • diskuton rreth vlerave, strukturës dhe rëndësisë së “Zonjës Bovari”. • fiton aftësi për të kuptuar fragmentin e dhënë dhe për të zbërthyer mekanizmin e brendshëm të funksionimit të veprës; • përdor njohuritë gjuhësore për të vlerësuar gjuhën e tekstit letrar; • zgjeron  njohuritë mbi ndërtimin e tekstit (përdorimin e mjeteve gjuhësore dhe stilistike); • demonstron shkathtësitë e fituara gjatë komentit të fragmentit.  
 

Fjalë kyç:
Mjedis Marrëdhënie Stil Metodë natyraliste Subjekt psikologjik Bovarizëm Objektivizëm Impersonalizëm Ëndrra Muaj mjalti Ironi Jeta bashkëshortore Lidhte Shkëputej

Burimet:
Teksti i letërsisë, Libri digjital, Fjalor i gjuhës shqipe, Foto, Kompjuter, Tabelë, Shkumës, Fletore etj.


Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare:
Gjuhë shqipe, Gjuhë e huaj, Arte, Histori, TIK

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve
Bashkëbisedimi, stuhi mendimi, lexim i drejtuar, punë në grup, ditar dypjesësh. punë me grupe ekspertësh, ditari dy-trepjesësh, diskutim i drejtuar, punë e pavarur, një pyetje-shumë përgjigje.  

Organizimi i orës së mësimit

a. Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme: bashkëbisedim, stuhi mendimi

(10 – 15 min) - Në këtë fazë të orës së mësimit u kërkohet nxënësve të sjellin në kujtesë zhvillimin e letërsisë në kontekstin horizontal dhe vertikal. Kjo realizohet përmes pyetjeve të mëposhtme:

• Ç’kuptojmë me të studiuarit e letërsisë në aspektin horizontal dhe vertikal?

• Cilat janë periudhat letrare të studiuara deri në këtë moment në letërsi?

• Realizmi dhe përfaqësuesit.

• G.Flober – ku mbështetet estetika e tij?


Vepra përfaqësuese e Floberit është romani psikologjik “Zonja Bovari”

Subjekti i romanit mund të përmblidhet në një fjali me tri veprime: Ema Bovari, e shoqja e Sharl Bovarisë, e tradhton dy herë të shoqin, ia prish gjithë pasurinë e pakët që ka e në fund helmon veten.


Një nxënës që ka lexuar veprën ndërton shkurtimisht subjektin e romanit.

• Ku qëndron e veçanta e këtij subjekti?

• Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet personazheve?

• A mund t’i rendisim ata sipas rolit dhe karakteristikave që kanë në roman?


Personazhi Karakteristikat
   
   
   
   
   


b. Ndërtimi i njohurive të reja: lexim i drejtuar, ditar dy-trepjesësh, bashkëbisedim, punë në grup (25-30 min) E veçanta e subjektit të tij lidhet me karakteristikën e veçantë që rrëfehet me detaje mbi situata që nuk tregojnë veprim, por shprehin gjendje, ndryshe quhet subjekt psikologjik, ku veprimi, ngjarja, ndodhia, domethënë subjekti, zhvendosen brenda personazhit, duke dalë jashtë tij vetëm në të rrallë, si shfaqje e asaj që ndodh përbrenda


Subjekti psikologjik

• shpreh gjendje

• ngjarja zhvendoset brenda personazhit 

• nuk tregon veprim


Mësuesi/ja ndan klasën në dy grupe dhe me anë teknikës lexim i drejtuar evidenton veçori të romanit dhe të stilit të Floberit. Nxënësit shënojnë karakteristikat në ditarin dypjesësh.

Duke qenë se kemi të bëjmë me një roman realist, mësuesi/ja u tërheq vëmendjen nxënësve në elemente të romanit realist (mjedisi, personazhet, koha, mënyra objektive e rrëfimit etj.) duke u kërkuar të vënë në dukje specifikën e mënyrës si i ndërton Floberi.


Personazhet Mjedisi

Personazhet janë heronj të një epoke të palavdishme.

Romani e vendos subjektin e tij në provincë, aty ku konservatorizmi ushqehet me thashetheme e ku liria e individit shihet si krim që duhet dënuar me vdekje.


Shoqëria e provincës përbëhet nga njerëz me horizont të ngushtë, meskinë të vetëkënaqur, pa ideale ose projekte për jetën.


Floberi e paraqet këtë atmosferë në mënyrë të përpiktë e rreptësisht objektive, pa e zbukuruar aspak dhe pa ndërhyrë në të. Ky lloj përshkrimi “i pafajshëm” e bën kritikën e tij më të fortë se çdo lloj satire.


Personazhet zhgënjehen për shkak të mënyrës se si e shohin jetën (Ema vdes, sepse, përveçse me realitetin, asaj i duhet të ndeshet me botën
mashkullore, me tregtarë, me noterë dhe me dashnorë egoistë, të cilët i japin goditjen vdekjeprurëse.)


Përshkrimi i mjedisit bëhet me detaje të hollësishme.

Bovarizmi: prirja e Ema Bovarisë për të ëndërruar dhe për t’u zhgënjyer pafundësisht
nga realiteti, njihet me termin bovarizëm.    

 
Floberi përqendrohet në përshkrimin e ndjenjave të brendshme të personazhit dhe të psikologjisë së tij.

 

Zonja Bovari e ripërtërin romanin realist të promovuar nga Balzaku, Dikensi, Thekeri, Gogoli e Stendali, duke krijuar traditën e një realizmi të ri, i cili qëndron më pranë realitetit dhe logjikës së personazheve.

 


Duke iu referuar specifikave të stilit të Floberit, mësuesi/ja me anë të metodës diskutim i drejtuar u kërkon nxënësve të ilustrojnë secilën prej tyre me shembuj nga romani.

• Heronj të zakonshëm: Ema, Sharli, Rodolf, Leoni etj. (njerëz të zakonshëm që nuk bëjnë asgjë të veçantë…) 

• Përshkrim psikologjik: përqendrimi te përjetimet dhe ndjenjat e personazhit (fragmente nga romani) 

• Pse quhen heronj të një epoke të palavdishme?

• A ka elemente të ngjashme apo të ndryshme me romanet e Balzakut?

• Objektivizmi: trajtimi i shpirtit njerëzor me paanshmërinë e shkencave fizike.

             E vërteta – thelbi i veprës letrare.

• Impersonalizmi: kthimi në objektivitet me anë të papërcaktueshmërisë vetjake.

• Natyralizmi: ngjashmëria e veprës së artit me realitetin.

• Bovarizmi: prirja për të ëndërruar e për t’u zhgënjyer pafundësisht nga realiteti.

• Gërshetimi i rrëfimit me përshkrimin (sjellja e detajit në përshkrimin e personazheve dhe situatave.)

• Përdorimi i ironisë.

c. Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura: diskutim i drejtuar, puna në grup, ditari dy-tripjesësh 


Mësuesja përmes e-librit iu ofron nxënësve të njohin fragmentin duke i nxitur ata të zbulojnë mënyrat me të cilat mund ta lexojmë atë. (Ka disa nivele leximi, të cilat të mundësojnë jo vetëm të kuptosh në rrafsh horizontal ngjarjen, por edhe të depërtosh në rrafsh vertikal mbi kuptimin dhe domethënien e tij.) 


- Fragmenti është i ndërtuar me nëntë paragrafë, të cilët përcjellin ide që e bëjnë artistikisht më të plotë tablonë. Rrëfimi karakterizohet nga një kontrast që një herë trazon mendimin e lexuesit, duke ia zgjuar meditimin, dhe një herë tjetër zbulon ironinë e fshehur të Floberit. Detajet e zgjedhura përfshijnë në kurbën e tyre bukurinë e natyrës, fuqinë e ëndrrës, pritjet e mëdha, mediokritetin, zbrazëtinë, mungesën e poezisë, rrafshësinë e monotonisë etj. Horizontaliteti floberian përgatit vertikalitetin që do të vijë.

- Përballja e ëndrrës që Ema ka për jetën, nën ndikimin e romaneve romantike me vrazhdësinë e realitetit ku jeton pas martesës, shkakton kundërvënie shpirtërore, emocionale, psikologjike mes dy personazheve. Ka diçka donkishoteske në figurën e Emës, që buron nga mënyra e arsyetimit kontradiktor se ku shfaqen kufijtë mes letërsisë romantike dhe realitetit jetësor.


Punë e drejtuar në grup (10 -15 min)

Grupi I

Fokusohet në të kuptuarin e pjesës mbi gjendjen shoqërore dhe martesore të personazhit.

- Rrugëtimi psikologjik i Emës.

Ajo karakterizohet nga mbizotërimi i prirjeve romantike (le të rikujtojmë që romantikët shquhen për kundrimin e  jetës si përralla), por që Floberi këtë karakteristikë e shpërfaq si  kundërvënie mes përjetimit aristokrat të realitetit  (ëndërrimit virtual)  të Emës dhe faktit e të qenit gruaja e një mjeku fshati.


Nxënësit duhet të përqendrohen në detajet që përshkruajnë mjedisin për të dalluar elementet romantike; në ndjenjat, ëndrrat dhe dëshirat e saj.


Edukata e Emës Ëndrrat e Emës (ndjenjat, mendimet) Interesat/ shijet
  Të realizueshme Të parealizueshme Ema Sharli
         
         
         


Grupi II

Përqendrohet në elemente të strukturës. Nxënësve u sugjerohet të përqendrohen në llojet e paragrafëve. Karakteristikat e tyre.


Paragrafi Paragrafë meditues (detajet) Paragrafë përshkrues (detajet) Paragrafë rrëfyes (detajet)
Muaji i mjaltit      
Ema      
Sharli      
Aktivitetet bashkëshortore      


Nxënësit  diskutojnë  si  realizohet  me  anë  të  këtyre  paragrafëve  kundërvënia  e  personazheve. A kemi objektivizëm në këtë fragment? Ku duket ai (detajet)?

Mësuesi/ja nxit nxënësit të diskutojnë mes tyre si realizohet kjo kundërvënie duke u mbështetur në alternativat e dhëna në ushtrimin 7, f. 176.


Grupi III

Përqendrohet në elemente të interpretimit me anë të teknikës Një pyetje ‒ shumë përgjigje sjell interpretime të nxënësve në lidhje me çështjet:

A ka të drejtë Ema:

- të ëndërrojë si një grua e porsamartuar;

- të kërkojë përgjigje shpirtërore nga i shoqi;

- të kërkojë që i shoqi të dijë e të bëjë gjithçka që asaj i shkon në mendje?

· A ekziston një kufi që njeriu u vë ëndrrave të veta? Pse?

· Si e gjykoni zonjën Bovari?


Fajtore / Të pafajshme As fajtore / As të pafajshme
Argumenti 1 Argumenti 2 Argumenti 1 Argumenti 2
       
       


Grupi IV

Përqendrohet në elemente të gjuhës dhe të stilit duke evidentuar me anë të ditarit trepjesësh:


Detaje të sjelljes së personazheve

Pranëvënie e caktuar e fjalëve (kuptimi dhe roli i tyre)

Foljet (koha, mënyra, modaliteti) (të fragmentit në përgjithësi ose të paragrafit të dhënë në libër).

 
Lidhte – shkëputej
Janë fjalë kyç, të cilat zbulojnë jo vetëm karakterin e personazheve, botën e brendshme shpirtërore, mënyrën  e  perceptimit  të  jetës,  këndvështrimin ndaj saj, por edhe marrëdhënien e ndërtuar në bazë të karakteristikave që bart secili prej tyre. Në një farë mënyre me anë të këtyre dy fjalëve kyç, autori projekton (i lë lexuesit të kuptojë) jo vetëm vazhdimin e ngjarjes, por edhe të imagjinojë fundin e saj. Me anë të analizës psikologjike dhe paraqitjes objektive të kësaj marrëdhënieje, lexuesi arrin të kuptojë shkaktarët e vërtetë të fundit të romanit. Lidhja e sipërfaqshme, shkëputja e brendshme.


Mendonte, të shijonte, hipur, ngjitesh, ngopesh, vështron, të prehej,  mbështetur,  të  mbyllej, do të kishte (dëshirë), të hapte (zemrën) etj.
 
Të rrafshëta, të zakonta, dosido ‒ emocion, shijim
ëndërrim.

 

 


Mësuesi/ja e drejton vëmendjen e nxënësve në këtë fazë në karakteristikën e fundit të stilit të Floberit: ironinë. Ironia e autorit i godet shpesh veprimet e personazheve, mënyrën e jetesës, të menduarin etj.

Nxënësit zbulojnë: 



Situata ironike

Shprehje gjuhësore ironike


Funksionin e tyre
 
Qëndis faturat

 
 
Mirëpo, a nuk është e domosdoshme vallë që burri të shkëlqejë në shumë drejtime?

 
 
Sharli e çmonte veten akoma më tepër që kishte marrë një grua si kjo...

 
 
... Kujtonte se Ema ishte e lumtur...

 

 


Në përfundim të kohës së dhënë për të punuar në mënyrë të pavarur nxënësit nxiten të jenë pjesë e gjallë e diskutimit mbi ëndrrat e Emës dhe veçanërisht zbërthimit të tekstit.

Pyetje – Si erdhi tek ju Ema?

Përgjigjja mes 3-4 detajeve

Vlerësimi

Përgjatë kësaj ore mësimi, mësuesi/ja mund të bëjë një vlerësim të vazhdueshëm me gojë mbi përparimin e nxënësve, me qëllim identifikimin e njohurive, interesave, aftësive apo shkathtësive që kanë fituar nxënësit në lidhje me tematikën e trajtuar gjatë mësimit. Ky vlerësim mund të shoqërohet edhe me shënime specifike për nivelet e të nxënit.


Detyrë shtëpie

• Përshkruani me realizëm portretin e prindërve tuaj në jetën të përditshme familjare dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin, duke u përpjekur të kuptoni çfarë pëlqejnë ata te njëri-tjetri dhe çfarë jo.

• Lexoni fragmentin dhe zbuloni karakteristika të tjera të personazhit.

(Portali Shkollor)

13,774 Lexime
5 vjet më parë