Intervistë

Mësuesit shqiptarë, fisnikët e kombit

Në një intervistë për “Portalin Shkollor”, sociologu i njohur shqiptar Prof.Dr. Zyhdi Dervishi, mësuesit i ka quajtur fisnikët e rëndësishëm të vendit, ndërsa ka shpalosur mendimin se për këtë 7-marsi duhet të shpallet festë zyrtare.

Dita e 7-marsit konsiderohet si festa e shkollës, e arsimit dhe e arsimtarëve shqiptar. Është një festë që i përket dijes, por jo vetëm asaj! Është një festë që sintetizon sakrifica të jashtëzkonshme të popullit shqiptar. Veçanërisht të intelektualëve shqiptar për shkrimin e gjuhës shqipe ose më saktë për përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe. Asnjë popull në Europë në rrjedhën e historisë nuk ka sakrifikuar për shkrimin dhe gjuhën e vet sa ka sakrifikuar populli shqiptar. Në këtë luftë të madhe shqiptarët mes tyre njohin jo pak martirë. Ndërkohë sipas një studimi të botuar në gazetën prestigjoze, Nju Jork Times, të vitit 2012, gjuha shqipe është një ndër tre gjuhët më të vjetra në botë, krahas armenishtes dhe greqishtes. Por nga ana tjetër është gjuha me fatin më tragjik sepse ajo nuk është lejuar të shkruhet nga pushtuesit deri në shekullin e XX. Shumë gjuhëtarë të huaj dhe veçanërisht Eqerem Çabej kanë argumentuar se gjuha shqipe është një nga çelësat kryesor për të shpjeguar mjaft dukuri gjuhësore dhe kulturore të popujve të tjerë të Europës. Ndaj është rritur shumë interesimi i gjuhëtarëve profesionistë. Sakaq në heshtje ka të tjerë të palodhur të cilët kontribuojnë dita ditës në edukimin e brezave të rinj: mësuesit shqiptar!  


Në një intervistë për “Portalin Shkollor”, sociologu i njohur shqiptar Prof.Dr. Zyhdi Dervishi, mësuesit i ka quajtur fisnikët e rëndësishëm të vendit, ndërsa ka shpalosur mendimin se për këtë 7-marsi duhet të shpallet festë zyrtare. 


7-Marsi! Kjo ditë përveçse i dedikohet kontribuuesve që përhapin dijen në brezat e rinj, sinjifikon vlerë historike arsimore. Çfarë cilësie të veçantë mbartin mësuesit shqiptar Z.Dervishi?


Pavarësisht vështirësive që ka sektori i arsimit duhet komplimentuar shumë fisnikëria e mësuesve shqiptar. Ne kemi një brez të artë mësuesish të grupmoshës 45 deri 65 vjeç, por me shumë kënaqësi pohoj se ndër studentët e shkencave sociale ka një grup shumë të mirë studentësh të cilët përzgjedhin profesionin e mësuesisë. Unë jap mësim në këto kurse dhe kam ndihmuar që të formohet një kurrikul sa më moderne bashkëkohore dhe sa më e përshtatshme për kushtet e Shqipërisë. Shumica e studentëve në këto kurse janë vajza të shkëlqyera që karakterizohen nga fryma e idealizmit, me të cilën nuk duhet abuzuar. 


Përsa i përket 7 mars-it, dua të theksoj diçka. Unë mendoj që kjo datë duhet të shpallet festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në shenjë nderimi të sakrificave të brezave të parë të mësuesve në shkrimin dhe përhapjen e gjuhës dhe për të nderuar mësuesit që punojnë aktualisht. Natyrisht shpallja e një dite zyrtare pushimi ka një kosto finaciare për shtetin, por për të evituar këtë kosto duhet që të hiqet ndonjë ditë tjetër feste kombëtare, që ndoshta nuk mbart ndonjë kuptim më të madh sa 7-Marsi.  


Cili është problemi më i madh me të cilin hasen mësuesit e ditëve të sotme?


Mësuesit janë grupi më i madh i profesionistëve që punojnë në Shqipëri dhe çdo vend tjetër. Në Shqipëri vitet e fundit punojnë rreth 37-38 mijë mësues dhe pedagog të vendit. Por ajo çfarë duhet thënë është fakti se trajtimi i tyre financiar lë shumë për të dëshiruar. Pavarësisht progreseve në këtë drejtim, unë mendoj se një dyfishim i menjëhershëm i pagave të tyre është i domosdoshëm, sepse duke investuar më shumë për mësuesit, shoqëria shqiptare do të çlirohej nga shumë shpenzime që bëhen për burgjet. Sa më shumë  mësues të mirë të kemi, sa më shumë të ngremë nivelin edukativ dhe mësimor, aq më mirë do të jenë shqiptarët në tërësi si popull, ku krimet do të jenë më të pakta e për rrjedhojë numri i të burgosurve do të ulej ndjeshëm. 


Pra do të thoni se mësuesia është profesioni më i rëndësishëm i kombit?


Ndoshta nga profesionistët më të nderuar janë mjekët që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me jetën e njeriut. Çdokush që është shëruar prej dorës së një mjeku ruan respekt të veçantë për të deri në fund të jetës. Mjekësia është një profil shumë altruist që në Shqipëri po përgojohet shpesh me pa të drejtë, por mjekët kanë një “auditor” më të kufizuar. Ndërsa mësuesit janë dhe duhet të jenë shumë të nderuar nga të gjithë, sepse mendjendriturit, shkencëtarët, gjenialët nuk mund të ishin të tillë pa kontributin e mësuesve, duke filluar që nga edukatorët, mësuesit e klasës së parë e të tjerët në vazhdim. Ndaj, nderimi për mësuesit duhet të jetë i përhershëm, jo vetëm me rastin e 7 marsit. Nderimi për ta ka qenë i spikatur në shoqërinë shqiptare, por unë mendoj se një nga shtyllat kryesore morale që do të ringrihej nga anarkia drejt rrugës së zhvillimit modern bashkëkohor do të ishte investimi në arsim dhe për arsimtarët. Kjo do të ishte një formë respekti e merituar për punën e tyre fisnike. 


A ka një model të ndritur në arsim të cilit mund t’i referoheshe Z.Dervishi? Gjithkush mund të ishte kurioz për të njohur një të tillë e pse jo mund të shërbente për ta si një shembull!


Kam studiuar me vëmendje historikun e arsimit shqiptar dhe më rezulton se ministrat më të mirë, më elegant, më të kompletuar që ka pasur shteti shqiptar janë Luigj Gurakuqi dhe Mirash Ivanaj.  


Për të dytin është folur shumë pak apo jo!? Cili është kontributi i tij në këtë drejtim atëherë?


Mirash Ivanaj kishte mbaruar dy universitete në Sapiensa në vitin 1921 dhe ishte shpallur një nga dy studentët më të mirë të këtij universiteti italian. Megjithse pati shumë oferta për të punuar në Itali, ku ju garantuan drejtime të rëndësishme, ai preferoi të kthehej në Shqipëri si atdhetar i flaktë ku dëshiroi të kontribuonte si mësues për shqiptarët. Ndërkohë që Shqipëria jetonte në një sistem monarkik, Mirash Ivanaj demokratizoi shkollën duke i dhënë kompetenca mësuesve, ndërsa e ngriti shumë prestigjin e tyre në sytë e opinionit. Kur drejtonte gjimnazin e Shkodrës nuk humbte asnjë orë mësimi, sepse kur mungonin mësuesit e çdo lënde ai ishte i aftë të jepte mësim në shumë lëndë. Natyrisht ky do të ishte modeli më i mirë i një ministri arsimi për shtetin shqiptar dhe kështu do të rivlerësohej në kuotat e merituara edhe figura e mësuesit. 



(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)

9,969 Lexime
6 vjet më parë