
“Mjerë gjuha shqipe ç’i punojnë e s’ka gjuhë të ankohet”
Gjuha është një ndër simbolet më të rëndësishme të një kombi. Ajo përcakton identitetin dhe mbart në vetvete historinë dhe kulturën e tij
Gjuha është një ndër simbolet më të rëndësishme të një kombi. Ajo përcakton identitetin dhe mbart në vetvete historinë dhe kulturën e tij.
Gjuha shqipe, edhe pse e dokumentuar mjaft vonë, është një ndër gjuhët më të lashta të Ballkanit. Lufta kundër gjuhës shqipe ka qenë e ashpër, e egër, mizore. Pushtues të ndryshëm që kanë sunduar vendin tonë e kanë quajtur “gjuhë barbare” dhe kanë bërë përpjekje për ta shfarosur me të gjitha mënyrat. Shumë atdhetarë dhe patriotë të shquar shqiptarë dhanë jetën e tyre, që shqipja të mos vdiste, por të jetonte... Dhe rruga deri në Kongresin e Manastirit qe mjaft e vështirë, por vendimtare për fatin e gjuhës sonë. E sot, falë këtyre përpjekjeve të përgjakshme, ne kemi një pasuri kombëtare, siç është gjuha jonë.
Një pasuri që nuk e njohim, që nuk e vlerësojmë dhe nuk dimë ta çmojmë... Një pasuri që sot po e përdhosim çdo ditë e më shumë... E për këtë mjafton të ecësh rrugëve e t’u hedhësh një sytë tabelave të dyqaneve e bareve të ndryshme, ku mjaft rrallë të rastis të shohësh emërtime në shqip, sepse të gjitha janë në anglisht, italisht, greqisht, kinezisht, japonisht etj., si: “New fashion”, “Books House”, “Boutique jeunesse”, “Le petit café”, “Fast food”, “Pizzeria ‘Dolce vita’”, “Chinese food”, “Magic center” etj. E teksa ecën rrugëve të Tiranës, të duket vetja sikur këtu janë bërë bashkë rrugët e Nju-Jorkut, Londrës, Parisit, Romës, Athinës dhe ti nuk di në ç’vend je! Por kjo është vetëm maja e ajsbergut e problemeve të gjuhës sonë.
Edhe ato pak emërtime në shqip që mund të gjesh, janë të stërmbushura me gabime drejtshkrimore, si p.sh.: Hotel “Pik loti”, Mobilje italjane, Kpucari specjale, Furr buke “Dora e art” etj., etj. Madje në një nga marketet e shumta të kryeqytetit tonë, emërtimet e artikujve ishin shkruar kështu, si në foto!


Po, po, sot, në zemër të Shqipërisë, shqipja shkruhet edhe kështu! Dhe këtu shprehja e studiuesit Zavalani është kaq e gjetur: Mjerë gjuha shqipe ç’i punojnë dhe s’ka gjuhë të ankohet?!
(Nga Sevi (Lami) Agolli, Portali Shkollor)
Gabimet tona me përemrat “UNË” dhe “TI”
Emrat asnjanës dhe gabimet tona me ta
Irida Xhura: “Em dash”, shenja e pikësimit që po na e imponon ChatGPT-ja