
Në mbrojtje të dinjitetit profesional të mësuesit!
Në këtë opinion, eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku ngre shqetësimin për përjashtimin e mësuesve me diplomë para-Bolonja nga procesi i vlerësimit për lëvizjet paralele me detyrim. Ai kërkon qartësi institucionale dhe respektim të drejtësisë në trajtimin e mësuesve me përvojë.
Nga Fiqiri Çifliku, eksperti i arsimit
Me përulësi, por me zë të lartë, e ndiej detyrim të ndaj një realitet që po përjetojnë disa kolegë mësues, pjesë e sistemit arsimor prej dekadash gjatë procesit të vlerësimit të dosjeve për lëvizjet paralele me detyrim. Ja teksi i një mesazhi:
"Jam një Mësuese e Ciklit të Ulët, me mbi 25 vite përvojë në këtë profesion fisnik. Studimet e larta i kam kryer pa shkëputje nga puna në vitet 1994–1997. Jam titulluar 'Mësuese Mjeshtre', një vlerësim që nuk është privilegj, por përgjegjësi. Sot, si pasojë e rënies së numrit të nxënësve, shkolla ku jap mësim rrezikon të humbasë një vend pune. Komisioni i Vlerësimit të Dosjeve ka realizuar pikëzimin për lëvizje paralele të detyruar. Por në mënyrë të pakuptimtë, nga konkurrimi ka përjashtuar mësueset që zotërojnë master të sistemit të Bolonjës, ndërsa vlerësimi i dosjeve u bë vetëm për ne me diplomë me titull mësues para, Bolonjës. A nuk bie ky vendim ndesh me vetë Udhëzimin nr. 8, datë 3.5.2024, i cili nuk parashikon përjashtime sipas llojit të diplomës? Pra, titulli “Mësues” i diplomës sime, i konfirmuar nga përvoja e gjatë në ciklin fillor, sot nuk njihet më në vlerësimin e dosjes. Ndërkohë, kolege që kanë më pak vite pune, janë trajtuar me përparësi vetëm se kanë mbaruar studimet në një kohë tjetër."
Po bëhet një diferencim i dyfishtë: në pagë, por edhe në qëndrueshmërinë në sistemin arsimor. Ky veprim nuk është thjesht i padrejtë. Ai është masakrim institucional, shkelje e disa ligjeve, udhëzimeve ndaj një kategorie mësuesish që për dekada kanë mbajtur barrën e arsimit publik. Janë mbi 10 raste të tilla në ZVAP të ndryshme që më kanë kontaktuar, çka tregon se kjo është fenomen, jo përjashtim.
U bëj thirrje MAS, AKAP, DRAP dhe ZVAP: Nëse nuk e kanë këtë qëllim, të shprehen publikisht për këtë dukuri. Të japin sqarime për zbatimin e "akteve ligjore e nënligjore" nga vartësit në shkolla.
Të ndalin këtë padrejtësi që dëmton jo vetëm individët, por edhe moralin e sistemit arsimor. Sepse arsimtarët nuk janë shifra për dosje, por gurë themeli të shoqërisë.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600