Çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan?

Nënë dhe mësuese

Udhëtimi mes të qenit nënë dhe mësuese, cila ndihmon tjetrën: Të jesh mësuese je një nënë më e mirë, apo të jesh nënë je mësuese më e mirë? Cila ndikon tek tjetra, sa dhe si? Prej 23 vitesh nënë, prej 25 vitesh mësuese... nga Natasha Shuteriqi.

Nënë jam prej 23 vitesh, mësuese prej 25.


Këto janë dy anët e medalies sime, por që.... të dyja nuk janë takuar asnjëherë. 

Kur ndonjë nga nënat e nxënësve të mi më thotë: 


-Si ia del ti në klasë, unë dy kam në shtëpi dhe..., - mua më shfaqet vetvetiu krejt distanca midis këtyre dy figurave: e prindit dhe e mësuesit. Dhe unë, në të mirë a në të keq, e mas këtë distancë çdo ditë me hapat e mi. 

Aftësia për të menaxhuar një klasë mbështetet pikërisht tek fakti se nxënësit nuk janë fëmijët e tu. Mes tyre dhe teje është distanca e nevojshme për të shmangur tensionet dhe për të reaguar në mënyrën e duhur. 

Diferenca thellohet në momentin kur hapet sipari i përgjegjësive, të cilat për një mësues renditen  sipas këtij rregulli:

- prezenca fizike

- socializimi

- të mësuarit. 

 

Mësuesi ka objektiva dhe për t'i arritur ato i duhet çdo ditë të ndjekë një udhë: në lojën e të papriturave dhe mundësive, i duhet të ruajë gjithmonë drejtimin që e shpie tek objektivat.

  

Nëse do të do të bëja një krahasim emotiv midis një nëne dhe një mësueseje, mund të sjell në të tashmen një udhëtim timin të gjatë me makinë bashkë me dy fëmijët e mi, dikur 9 dhe 5 vjeçarë; një udhëtim në të cilin pamjet, muzika, bisedat ndryshojnë vazhdimisht, por duart janë gjithmonë të shtrënguara në timon dhe sytë të fiksuar në rrugë, sepse kontrolli në 360 gradë është i domosdoshëm në çdo moment.  Një udhëtim në të cilin nuk përdoret navigatori, ngaqë gjysma e udhës është e njohur për mua.

 

Gjithsesi, është një aspekt të cilin një nënë nuk mund ta kuptojë deri në thelb. 

Ndoshta pikërisht këtu unë ndihem me fat, por nuk e di nëse fëmijët e mi janë në një mendje me mua. 


Po shpjegohem:

- Në shkollë nuk ka një kohë për të vëzhguar fëmijën specifikisht. Ata veprojnë në grup dhe mësuesi ka vetëm dy dimensione për të komunikuar me to: gjuha verbale dhe joverbale.  

- Në shkollë nuk ekziston akti i rutinës. Jo. As për veten. 

Një nxënës në shkollë nxjerr në fushën e lojës sjellje, strategji, iniciativa krejt të ndryshme nga fëmija i shtëpisë: në shkollë nuk ka një banjo për ta mbyllur në nerva e sipër, as "për dy javë s'ka celular" e as divan për të gjetur mbështetje te mami. 

Siç kuptohet  pra, një mami këtë pikë vështrimi nuk e ka...ose më mirë të themi nuk e ka në mënyrë sistematike. 


Në shkollë, e parë në këtë këndvështrim, edhe të qarët merr një kuptim ndryshe, sepse aty të shohin të gjithë. Për mësuesin të qarët mirëkuptohet, interpretohet, zgjidhet, ngaqë konsekuencat mund të sjellin çekuilibrim të raporteve dhe automatikisht çekuilibrim në procesin e të mësuarit. 


Ndërsa si mama, ti e di gjithmonë se përse qajnë... madje, tre raste në katër është faji yt. 

Mund të vendosësh që është e drejtë të shfryjnë; mund t'i dënosh në mënyrë që të kuptojnë gabimet e tyre të vogla a të mëdha; por mund edhe t'i mbushësh me ledhe e puthje.


Të qenurit nënë, sidoqoftë, mua nuk më ndihmon aspak në punën si mësuese, ndërsa të qenurit mësuese absolutisht që më ka dhënë dimensione të reja si nënë. Për shembull leximi i eseve të nxënësve, më ka dhënë shpesh një ndihmë konkrete që të kuptoj fëmijët e mi më mirë. 


Ç'është e vërteta, nuk e di nëse për fëmijët e mi, të kenë patur një nënë mësuese ka qenë një gjë e mirë apo jo fort e këndshme. Deri tani kam patur frikë t'i pyes, por një ditë mbase do ta bëj. Vetëm se mendoj që përgjigja do të jetë...një rrudhje e turiçkave e pastaj një puthje si për të më kërkuar ndjesë. 


(Nga Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)

3,961 Lexime
2 vjet më parë