Nga Matura Shtetërore ose koha për të ndryshuar mënyrën si vlerësojmë nxënësit

“Koha për të ndryshuar mënyrën si vlerësojmë nxënësit”, shkruan Ina Dede. Në këtë reflektim të thellë, ajo ngre pyetje të rëndësishme mbi Maturën Shtetërore dhe sfidat e standardizimit, duke kërkuar një sistem që vlerëson potencialin dhe individualitetin.

Nga Ina Dede 


Çdo vit, mijëra nxënës shqiptarë përballen me atë që ndryshe njihet si “sfida më e madhe” e shkollës së mesme – Matura Shtetërore. Për disa, kjo është një mundësi për të treguar njohuritë që kanë fituar. Për shumë të tjerë, është një burim ankthi, pasigurie dhe zhgënjimi. Ndërkohë që nota e provimit bëhet shifra që përkufizon një ecuri të tërë akademike, shumë fëmijë duken të mposhtur përballë një procesi që nuk i përfaqëson dhe që shpesh nuk i kupton.


Shumë prindër (përfshirë edhe mua) e vërejnë një kontrast të habitshëm: fëmijët tanë shfaqin angazhim dhe zhvillim të vazhdueshëm gjatë viteve të shkollës, por në provimet standarde, si Matura, shpesh performojnë më dobët. Pse ndodh kjo? Pse një nxënës që përgjatë tre viteve merr nota të mira, papritur rezulton “mesatar” në një test të vetëm?


Standardizimi: Zgjidhje apo Problem?


Për të kuptuar më mirë, le ta krahasojmë arsimin me një sektor krejt tjetër – gastronominë. Në këtë fushë, ekzistojnë dy modele shumë të njohura të sigurimit të cilësisë: modeli “fast-food” dhe modeli “Michelin”.


Në modelin “fast-food”, cilësia garantohet përmes standardizimit: çdo gjë përcaktohet paraprakisht – përbërësit, menyja, mënyra e servirjes, ambienti. Rezultati është i parashikueshëm, por i padiferencuar dhe shpesh i shëndetshëm vetëm në dukje. Në anën tjetër kemi modelin “Michelin”, i cili ofron udhëzime për cilësinë, por jo rregulla fikse për mënyrën e arritjes së saj. Çdo restorant është unik, çdo shef gatuan sipas stilit të vet, me kusht që të arrijë standarde të larta të ekselencës.


Fatkeqësisht, arsimi në Shqipëri – përfshirë Maturën – ndjek më shumë modelin “fast-food”. Nxënësit mësojnë të gjithë një kurrikul të njëtrajtshme, vlerësohen në të njëjtën mënyrë, u kërkohet të japin të njëjtën përgjigje, pavarësisht prej mënyrës si mësojnë apo zhvillohen individualisht. Ky sistem i njëtrajtshëm nuk mat as pasionin, as kreativitetin, as logjikën apo personalitetin e tyre. Mat vetëm aftësinë për të kaluar një test.


A është Matura një pasqyrë reale e dijes?


Testet e standardizuara, në thelb, synojnë të jenë të drejtë për të gjithë. Por në realitet, ato krijojnë një presion të jashtëzakonshëm. Në vend që nxënësi të shihet si një individ me potencial të shumëllojshëm, ai kategorizohet si “i mirë” apo “i dobët” në bazë të një ore prove. Dhe kjo nuk ndihmon askënd – as fëmijët që kanë më shumë potencial se sa shfaqin në letër, e as mësuesit që ndihen të reduktuar në detyrën e përgatitjes për një test.

Në vend të kësaj, duhet të ndjekim modelin “Michelin” edhe në arsim. Të vendosim standarde të larta për cilësinë e dijes, por të lejojmë që çdo nxënës të arrijë te to në mënyrën e vet. Të vlerësojmë individualitetin, përpjekjen personale, kreativitetin, zgjidhjen e problemeve dhe empatinë. Të kuptojmë se shkolla nuk është thjesht për t’u matur, por për t’u zhvilluar.


Çfarë duhet të ndryshojë?


Të rivlerësohet roli i Maturës Shtetërore – A është e drejtë të përkufizojmë një fëmijë vetëm nga një provim?

Të forcohet vlerësimi i vazhduar – Mësuesit që punojnë me fëmijët çdo ditë janë në pozitën më të mirë për të kuptuar dhe vlerësuar progresin e tyre.

Të krijohet hapësirë për metoda të ndryshme të të nxënit – Nxënësit nuk janë njësoj. Disa mësojnë përmes analizës, të tjerë përmes praktikës, disa në heshtje, të tjerë në diskutim.


Ky reflektim nuk është një justifikim për notat e vajzës sime në provime, as një ankesë prindërore për një sistem të ashpër. Është një ftesë për reflektim mbi mënyrën si vlerësojmë të rinjtë tanë dhe mbi llojin e arsimit që po ndërtojmë për të ardhmen. Nëse nuk ndryshojmë kurs, rrezikojmë që në vend të ecim përpara, të kthehemi mbrapsht. Do të kemi studentë të shkëlqyer në letër, por të papërgatitur për jetën. Do të kemi treg pune bosh dhe një brez të demoralizuar.


Në fund, urime të gjithë maturanteve që i hoqën qafe provimet me të vështira të jetës së tyre; forca tek i fundit dhe Suksese!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

523 Lexime
5 orë më parë