Analizë

“Njeriu lind i lirë, por kurdo ai është në pranga”

Rusoi është luftëtari i lirisë dhe i barazisë ose ndryshe shpikësi i filozofisë politike të diktaturave pseudodemokratike që u kundërviheshin monarkive absolute tradicionale

Kush është Zhan Zhak Ruso ?

Zhan Zhak Ruso,djali i një orëndreqësi Isak Rusoit, u lind më 28 qershor 1712 në Gjenevë.

E ëma, kalviniste, vdiq pak kohë pas lindjes së tij. Babai, i dënuar me syrgjyn për përleshje, ia besoi Zhan Zhakun, kur ky ishte vetëm dhjetë vjeç, një xhaxhai që e futi në një pension tek një prift në fshat.


Pas përpjekjeve për të mësuar tek një noter, pastaj tek një gdhendës, djaloshi u arratis në Gjenevë dhe u konvertua në katolicizëm për t’i shpëtuar skamjes dhe për t’i pëlqyer asaj që e priti në Anesi, zonjës De Varens. Kjo kalviniste e vjetër e konvertuar, që ai e quajti ‘mama’, do të ishte për të, në Anesi pastaj në Shamberi, një lloj nënë-dashnore.


Edhe kur ishte mësues muzike, Rusoi merrej gjithë përkushtim me filozofi, letërsi, teologji, muzikë. Veprat e tij kryesore ishin: “Kontrata sociale”, “Emili”, “Debat”, “Një debat për ekonominë politike”, “Juli ose Helioza e re” etj.


Rusoi është luftëtari i lirisë dhe i barazisë ose ndryshe shpikësi i filozofisë politike të diktaturave pseudodemokratike që u kundërviheshin monarkive absolute tradicionale. Kanti e krahasonte rolin e Rusoit në filozofinë morale me atë të Njutonit në fizikë. Prandaj thoshte për të ‘Rusoi më futi në udhën e duhur’.


Zhan Zhak Ruso vdiq në 2 korrik të vitit 1778, u varros në ishullin e Plepave, eshtrat e tij u transferuan në Panteon, në vitin 1794.


Sipas Rusoit: “Njeriu lind i lirë, por kurdo ai është në pranga”

Nga një vështrim i përgjithshëm i veprës së tij është e qartë se termi pranga nënkupton shoqërinë e organizuar përkundër gjendjes natyrore, e karakterizuar nga mungesa e rregullave.


Qëllimi kryesor i Rusoit kur ai shkroi Kontratën Sociale ishte të përcaktonte se si liria mund të ishte e mundur në një shoqëri të organizuar.


Çfarë kuptonte ai me ‘lirinë’? Në gjendjen natyrore ne kemi lirinë fizike të të mos pasurit të ndonjë kufizimi në sjelljen tonë. Duke hyrë në kontratën shoqërore, ne vendosim, një kufizim mbi sjelljen tonë e cila bën të mundur të jetuarit në një komunitet.

Duke hequr dorë nga liria jonë fizike sidoqoftë ne përfitojmë lirinë civile të të qenurit në gjendje për të menduar në mënyrë racionale.


Ne mund t’i vëmë kufi pasioneve apo dëshirave tona dhe kështu mësojmë të mendojmë në mënyrë të moralshme.


Sipas Rusoit, termi ‘moral’ ka kuptim vetëm brenda kufijve të shoqërisë së organizuar. Shoqëria e organizuar është vetëm nëse biem dakord me kontratën sociale.

Nëse ne mund të jemi plotësisht njerëzorë nën ombrellën e kontratës shoqërore, atëherë ajo kontratë është më e rëndësishme sesa individët që pajtohen me të. Në fund të fundit këta individë kanë vlerë vetëm sepse ata pajtohen me këtë kontratë.


Kontrata është e rëndësishme të jetë e njohur nga grupi në mënyrë kolektive nga secili individ në mënyre të veçantë. Në këtë mënyrë grupi kolektiv është më i rëndësishëm  sesa individët që e përbëjnë atë. Vullneti sovran dhe i përgjithshëm është më i rëndësishëm se sa subjektet e tij dhe vullnetet e tyre të veçanta.


Vullneti i përgjithshëm

Vullneti i përgjithshëm synon të vendosë ligje që kanë karakter të përgjithshëm, dmth u drejtohet çeshtjevedhe fenomeneve e jo personave të veçantë. Prandaj vullneti konkret individual,qëtë bëhet pjesë e vullnetit të përgjithshëm, nuk duhet të respektojë vetëmformën e lirisë së vet, por edhe përmbajtjen shoqërore të saj.


Vërtet është individi që lirisht vendos, por kjo vendimmarrje ligjvënëse për të qënë në përputhje me parimet e së drejtës duhet të përgjithësohet.

Mosbindja ndaj vullnetit të përgjithshëm nënkupton mosbindje ndaj vetes duke iu nënshtruar vullnetit të veçantë si mishërim i egoizmit pasnatyror.

Për Rusoin, vullneti i veçantë nuk duhet konsideruar si vullnet i një njeriu të lirë, por vetëm si liri e pasioneve mbi njeriun.


Kontrata shoqerore mbledh në vetvete heshtazi të vetmin detyrim që mund t’u japë forcë detyrimeve të tjera: cilido që nuk do të pranojë t’i bindet vullnetit të përgjithshëm, do të detyrohet nga i gjithë trupi që ta bëjë këtë. Kjo nuk do të thotë gjë tjetër veçse që do ta detyrojnë me forcë që ai të jetë i lirë.

Vendosja e vullnetit të përgjithshëm mbi vullnetet e veçanta jo domosdoshmërisht do të interpretohej si ndërhyrje e shtetit totalitar në hapësirën private të individit në emër të së mirës së përbashkët.


Duke u nisur nga karakteristikat e vullnetit të përgjithshëm, Rusoi hedh poshtë këndvështrimin liberal të kufizimit të pushtetit sovran. Ai e kupton kufizimin e pushtetit të qyteteve si kufizim të lirisë së tyre vendimmarrëse nga institucione jashtëqytetare.

Vullneti i përgjithshëm është gjithmonë i drejtë, por gjykimi që e udhëheq nuk është gjithmonë i ndriçuar.


Vullneti i përgjithshëm është vullneti i popullit.


Mbi ligjin

Sipas Rusoit, kur i tërë populli merr një vendim për të gjithë popullin atëherë ai ka parasysh vetëm vetveten, dhe nëqoftëse atëherë formohet një raport, ky është raporti i objektit në tërësi të parë nën një pikëpamje po me objektin në tërësi por të parë nën një tjetër pikëpamje, pa kurrfarë ndarje të së tërës. Në këtë rast, çështja për të cilën merret vendim është e përgjithshme, ashtu siç është i përgjithshëm vullneti që merr vendim. Ky akt sipas Rusoit quhet ligj.


Ligji mund të formojë shumë klasa qytetarësh, madje mund të përcaktojë edhe cilësitë që do t’u japin të drejta këtyre klasave, por ai nuk mund të caktojë me emër këtë apo atë person për t’u pranuar në to.


Ligji mund të vendosë një pushtet mbretëror dhe një vazhdimësi të trashëgueshme, por ai nuk mund të zgjedhë një mbret, as të emërojë një familje mbretërore, me një fjalë, çdo funksion që ka të bëjë me një objekt individual nuk i përket fuqisë ligjvënëse.

Meqënëse ligji bashkon universalitetin e vullnetit dhe atë të objektit, ajo që çdo njeri urdhëron në kokë të vet nuk është ligj.


Ligjet, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës janë vetëm kushtet e shoqërimit civil. Populli që u nënshtrohet ligjeve duhet të jetë autori i tyre.


Sipas Rusoit, çdo republikan i vërtetë e pi qumështin e dashurisë për atdheun, çka do të thotë, dashurinë për ligjet dhe lirinë, së bashku me qumështin e nënës së tij.

Pa detyruar njeri t’i besojë nenet, sovrani mund t’i dëbojë nga shteti cilindo që nuk i beson ato. Mund ta dëbojë jo si të pa fe, por si të padenjë nëpër shoqërinë, si të paaftë për t’i dashur ligjet, drejtësinë.


Kontrata shoqërore (sociale)

Problemi që shtron Rusoi tek Kontrata Sociale është se si të ndërtojmë një shoqëri politike, në të cilën njeriu egoist të shndërrohet në një qënie të moralshme, e rrjedhimisht liria e secilit të përputhet me lirinë e të gjithëve.


Nga gjendja natyrore njeriu trashëgon lirinë për të bërë gjithçka dhe pikërisht te liria natyrore Rusoi do të zbulojë mekanizmin që siguron lirinë e plotë qytetare të gjithkujt.

Kjo liri natyrore, si mundësi e vetëvendosjes, konsiderohet si burimi i vetëm i legjitimitetit të rregullave të së drejtës që më pas vlejnë për të garantuar liri të politiko-shoqërore.

Meqënëse asnjënjeri nuk ka ndonjë pushtet natyror mbi të ngjashmin e vet, dhe meqënëse forca nuk prodhon kurrfarë të drejtë, atëherë si bazë për çdo pushtet të ligjshëm ndër njerëzit mbeten marrëveshjet.


Përsa i përket lirisë, Rusoi mendon se vetëm duke ua dorëzuar lirinë tonë të gjithëve garantohet mbrojtja e lirisë të secilit.


Ajo që humb njeriu nga kontrata sociale është liria natyrore dhe një e drejtë e pakufizuar për gjithçka që e tundon dhe që mund ta arrijë, ajo që fiton është liria civile dhe pronësia mbi gjithçka që ai zotëron.


Ai fiton lirinë morale, të vetmen liri që e bën njeriun zot të vetvetes, sepse të shkosh vetëm pas oreksit është skllaveri, kurse t’i bindesh ligjit që është vetëpranuar është liri.


Përfundime

Pasi kam lexuar librin ‘Kontrata Sociale’ të Zhan Zhak Ruso, mund të them pa asnjë dyshim se nëqoftëse do të ndjekim shembullin e tij do të kemi një shtet, një qeverisje dhe sigurisht një jetë ashtu siç është e drejtë.


Kur na u dha si detyrë për të analizuar një vepër nga një autor që kemi trajtuar në lëndën e filozofisë moderne, mendimi im i parë shkoi pikërisht tek ky autor, tek Rusoi.

Më pëlqen ky autor pasi i bashkohem mendimit të tij për të qenë të barabartë, për të respektuar liritë e njeri-tjetrit dhe mbi të gjitha për të respektuar ligjet të cilat sigurisht që duhet të jenë në të mirën e përbashkët. Ky autor me këtë libër më futi në pasionin e politikës, por asaj politike të drejtë.


Mendoj se sikur politikanët të kishin pak ‘Ruso’ në brendësinë e tyre ne do të ishim një vend më i mirë. Por pasi lexova këtë libër m’u shtua dëshira për të studiuar edhe më thellë filozofinë dhe për më tepër fiozofinë politike.


Për mua Zhan Zhak Ruso është babai i filozofisë politike pasi ai më së miri e trajton atë në brendësi dhe thellësi të saj. Në këtë detyrë unë kam trajtuar çështjet që më pëlqejnë më së tepërmi tek “Kontrata Sociale”, i kam studiuar mirë ato dhe i kam bashkangjitur edhe me mendimet e mia personale.


“Kontrata sociale” është një libër që duhet ta lexojë çdokush sepse jo vetëm zgjeron masivisht intelektin, por na bën të kuptojmë lirinë e vërtetë, cila është ajo dhe si mund ta arrijmë atë. Rusoi ka përdorur një gjuhë që të habit e të prek vërtet pasi ka përdorur me shkathtësi ironinë aq bukur dhe me guxim. Sigurisht që çështjet që unë kam trajtuar në këtë detyrë nuk janë të gjitha çka përmban libri i Rusoit, por unë kam zgjedhur të trajtoj vetëm ato që më pëlqejnë më shumë dhe që më duken më interesante për t’u analizuar e trajtuar. Për mua Rusoi është i pari dhe i vetmi që e ka gërvishtur pushtetin deri në kockë.


(Enilda Bulicka, Fakulteti i Shkencave sociale, dega Filozofi; Portali Shkollor)

23,423 Lexime
7 vjet më parë