Provimet e maturës

Përse e more dhjetën? Nga Evans Drishti

Tani është koha të pyesësh veten: Përse e mora “DHJETËN”? Një shkrim për të reflektuar ndoshta për notat absolute jo të merituara dhe rëndësinë e dhjetës së përkushtimit, të dhjetës së admiruar, të dhjetës së djersës dhe pagjumësisë, të dhjetës së njerëzillëkut…

Një përpjekje e gjatë, një mundim dhe stërmundim i pakontestueshëm, një ambicie e hekurt, një vullnet i pashoq dhe i palëkundshëm, një objektiv i patjetërsueshëm për të arritur një qëllim që për ty është dhe mbetet përtej të qenurit “sublim”...


E kurdise orën e trurit në një minutazh pa minutë, në një orë pa orë për të gjetur gjoja një “zgjidhje” perfekte në arritjen e këtij qëllimi kaq “finalizues”... 


S’të zuri gjumi tërë natën duke menduar hapat që do ndërmerrje të nesërmet e orëve të mësimit që ta ndjeje veten “të përgatitur” për “marrjen e dhjetës” ..


Po ç' "dhjetë” ishte kjo?!... 

  • Ishte dhjeta e një matematike, pasi mësove dhe kuptove shifrat që rrotullonin mëndjen në ekuacione të ndryshme…
  • Ishte dhjeta e një fizike, pasi mësove dhe kuptove shkencën e cila merret me zbulimin dhe analizimin e fenomeneve fizike, që përfshin studimin e lëndës dhe lëvizjen e saj në fabrikën e hapësirë-kohës, si dhe konceptet e forcës dhe energjisë. Në mënyrë më të përgjithshme kuptove të shpjegosh dukuritë natyrore.
  • Ishte dhjetë e një gjuhe shqipe, pasi mësove dhe kuptove si të ndërtosh fjali të thjeshta dhe të përbëra duke u munduar të ndërtosh një fjali të qartë dhe të kuptueshme në aspektin morfologjik e sintaksor… 
  • Ishte dhjeta e një letërsie, pasi mësove dhe kuptove se ç’ishte konteksti i një fjale… i një fraze… i një shprehjeje të figurshme… i një fjalie… i një teksti letrar apo jo… 
  • Ishte dhjeta e një biologjie, pasi mësove dhe kuptove funksionimin e një strukture të mrekullueshme të organizimit të qenies tënde si “NJERI” dhe jo vetëm… 
  • Ishte dhjeta e një kimie, pasi mësove dhe kuptove se si përdoren njohuritë e marra për një substancë që të jetë në gjendje ta identifikojë atë me lehtësi të madhe dhe t'i caktojë përdorimet e saj me masat e duhura në mënyrë që ato të mos jenë të rrezikshme, pasi mësove dhe kuptove përbërjen, vetinë dhe transformimin e materies që janë pika kryesore e studimit të kimisë, si dhe analizimin e grimcave dhe forcave që i mbajnë ato së bashku për të formuar strukturat e substancave…
  • Ishte dhjeta e një historie, pasi mësove dhe kuptove të dhënat historike jo vetëm të prejardhjes tënde, por edhe të gjithë popujve që shënuan epopetë botërore që na sollën deri këtu ku jemi… 
  • Ishte dhjeta e një gjeografie, pasi mësove dhe kuptove pozicionet gjeografike të hapësirave të universit si dhe mënyrat e larmishme të ndryshimeve atmosferike… 
  • Ishte dhjeta e një arti, pasi mësove dhe kuptove nuancat e ngjyrimeve artistike që kërkon dhe duhet të shijojë syri dhe truri i qenies njeri… 
  • Ishte dhjeta e një edukimi fizik, pasi u ushtrove me ngulmim për të forcuar trupin tënd duke qëndruar i palëkundshëm në çdo situatë dhe rrethanë… 

… 

Kjo dhjetë të bëri të kuptosh: 

Kush je? 

Ku je? 

Kur je? 

Si je? 

Pse je? 


Kjo dhjetë të bëri të kuptosh pozicionin tënd si njeri, jo vetëm në shkollë dhe familje, por në shoqëri dhe çdo event social – kulturor. 

Çdo projekt lëndor, kurrikular apo ekstrakurrikular të bëri të kuptosh aftësinë tënde për të nxjerrë në dukje një “produkt” që natyrshëm përbën një “risi” si rezultat i së bukurës dhe për rrjedhojë bëhesh “i pranuar” në shoqëri. 

Kjo dhjetë të detyron të tregohesh më i çlirët në bashkëbisedimet e rretheve shoqërore, të reflektosh lirisht mendimet dhe opinionet prej një intelektuali, duke kuptuar në radhë të parë kontekstin e çështjes rreth së cilës hapet diskutimi, duke ofruar argumente të arsyeshme, duke i dhënë mundësi tjetrit të shprehet qartë dhe kuptueshëm dhe duke krijuar një koherencë për nxjerrjen e një mendimi “të mirëpritur” dhe transparent. 


  1. Mos lejo që kjo dhjetë të ngelet thjesht “një notë” në tabelën lëndore, një e shkruar e zezë në të bardhë, një shënjestër, një simbolikë, një dukuri, një ngjyresë… 
  2. Mos lejo që kjo dhjetë të ngelet thjesht në një letër apo edhe në një karton, e vënë mjaft këndshëm brenda një kornize të varur në një mur, ku ngjyra e të cilit ndryshon me etapat e jetës, e ndërkaq ajo kornizë ngelet hermetike… 

 

Detyrohesh sot ta dëshmosh veten që e ke merituar atë dhjetë, pasi mësove dhe kuptove mirë lojën me shifrat dhe me fjalën, ndërtimin dhe strukturimin e atmosferës, ndërtimin e një qyteti dhe të një shteti… 

Detyrohesh sot të dëshmosh veten që ke merituar atë dhjetë, pasi mësove dhe kuptove politikën, arsimin, kulturën, shkencën, artin, muzikën, fenë, identitetin kombëtar… 


Detyrohesh sot të dëshmosh veten nëpërmjet dhjetës që more, pasi shoqëria jonë ka nevojë të ketë

Një mjek profesionist 

Një inxhinier profesionist 

Një arsimtar profesionist 

Një arkitekt profesionist 

Një sportist profesionist 

Një biznesmen profesionist 

Një artist profesionist 


Një lider profesionist, ku si emërues i përbashkët qëndron “NJERIU PROFESIONIST” me vlera njerëzore që di të vlerësojë traditën dhe kulturën, që di të ushqejë tek tjetri “të virtytshmen”, “emocionin”, “fisnikërinë”, “të bukurën”, “fjalën e peshuar” dhe “shpresën”… 

Kjo dhjetë që more s’të lejon të mbyllesh në heshtjen tënde, si në kafaz, si një zog i trembur i strukur në vetminë e tij, mbështjellë nga frika ndaj “mistereve” të së jashtmes… 

Kjo dhjetë që more s’të lejon të ngelesh i heshtur, i vetmuar, i strukur, i ngathët, i mërzitur, shurdh – memec, pa identitet, i frikësuar, i pafuqishëm, i pashpresë… 

Kjo dhjetë që more s’të lejon të shfaqesh si i balsamosur, si i ngrirë në një akullnajë shekullore, si i kyçur në arkën e vjetërsisë… 


Përkundrazi: 


Kjo dhjetë të detyron të shpërblesh 

mundimin dhe impenjimin e përhershëm të familjarëve të tu, që tashmë të presin të jesh krahu i djathtë në mbarëvajtjen e jetës familjare…  

Mundimin dhe interesimin e vazhdueshëm të profesorëve të tu, që evidentuan dhe zhvilluan aftësitë brenda mendjes dhe shpirtit tënd… 

Është politika që pret politikanin ‘e dhjetës”, 

Është ekonomia që pret ekonomistin “e dhjetës”,

Është arsimi që pret arsimtarin “e dhjetës”, 

Është mjekësia që pret mjekun “e dhjetës”, 

Është drejtësia që pret avokatin, gjyqtarin, juristin “e dhjetës”, 

Është arti që pret artistin “e dhjetës” …


Por, gjithmonë të dhjetës së merituar, të dhjetës së përkushtimit, të dhjetës së admiruar, të dhjetës së djersës dhe pagjumësisë, të dhjetës së njerëzillëkut… 


Tani është koha të pyesësh veten: 

“Përse e mora “DHJETËN”? 

 



Nga Evans Drishti

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,585 Lexime
3 muaj më parë