Pianistja diplomohet me medalje ari në Financë-Kontabilitet

Lediana Canga është studentja e degës së Financë-Kontabilitet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, e cila përfundoi studimet me rezultate maksimale dhe për këtë rrembeu medalje ari

Lediana Canga është studentja e degës së Financë-Kontabilitet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, e cila përfundoi studimet me rezultate maksimale dhe për këtë rrembeu medalje ari.

Lediana Canga ka studiuar 12 vite për piano dhe më pas vendosi të studionte Financë-Kontabilitet. “Duke parë profilet se çfarë realisht kërkon tregu i punës, duke parë dhe përfitimet e mia në të ardhmen në aspektin arsimor, vendosa të kaloj nga bota e muzikës në botën e shifrave”, thotë ajo.

Në ceremoninë e diplomimit Ledia mori edhe 2 oferta pune, por i refuzoi pasi qëllimet e vajzës janë të qarta. Lexoni intervistën e saj dhënë për gazetaren Bardha Nergjoni.

Sa e vështirë ka qenë arritja e këtyre rezultateve duke pasur parasysh që vini nga një shkollë e profilizuar artistike?

Arritja e rezultateve të tilla ka qenë shumë e vështirë, e lodhshme por gjithashtu edhe e bukur. Është e vërtetë që shkollën e mesme e kam përfunduar në një profil të ndryshëm me studimet universitare. Jam pianiste prej 12 vitesh dhe vij nga shkolla e mesme artistike “Onufri”.

Ndoshta ju e keni pasur më të vështirë të arrini këto rezultate, por të qenurit sistematike dhe e angazhuar në piano mendoni se ka edhe një ndikim pozitiv në rrugëtimin universitar?

Nuk mund të them që piano më ka ndihmuar shumë në studimet e larta, pavarësisht se sipas studimeve të kohëve të fundit ka një lidhje shumë të theksuar midis muzikës dhe matematikës. Megjithatë unë do të veçoja që ajo që me të vërtetë mua më ndihmoi ishte moslënia pas dore e kurrikulave apo mësimeve si matematika, kimia apo lëndë të tjera ekzakte, të cilat nuk kanë shumë vend në shkollën e muzikës. Nuk kam pasur kohë të bëj kurse private, por vetë dëshira për të studiuar bën të mundur çdo gjë.

Financë-Kontabilitet konsiderohet ndër degët më të vështira të fakultetit ekonomik. Si e zgjodhët këtë profil?

Ishte një vendim i një momenti të caktuar. Mbaj mend që po bëhesha gati për të konkuruar në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve; por duke parë profilet se çfarë realisht kërkon tregu i punës, duke parë dhe përfitimet e mia në të ardhmen në aspektin arsimor, vendosa të kaloj nga bota e muzikës në botën e shifrave.

Rezultatet, por edhe oratoria bën që në ceremoninë e diplomimit të kishit edhe dy oferta punësimi. Si i vlerësoni?

Unë i falenderoj si kryetarin e Bashkisë e po ashtu Dekanin për vlerësimin dhe ofertat që më bënë. Jam studente e masterit dhe jam e përkushtuar tërësisht në studime tani për tani.

Gjatë fjalës tuaj u vu re edhe një lehtësi e të shprehur dhe aftësi komunikimi në publik. A bën pjesë në objektivat tuaja angazhimi në politikë?

Unë lexoj shumë dhe jo vetëm në fushën e studimeve në ekonomi, por edhe në fusha të tjera. Besoj oratorinë e kam nga kjo. Për politikën, ajo nuk është në objektivat e mia. Pa dyshim që do të vazhdoj në Ekonomi.

 Keni një mesazh të fundit?

Nuk do të isha sot këtu ku jam pa mbështetjen e prindërve dhe të vëllait tim. I falenderoj shumë. Janë forca ime kryesore.

2,260 Lexime
8 vjet më parë