Praktika profesionale e mësuesisë
Çfarë do të thotë të bëhesh mësuese? Ndër mend më vjen një shprehje popullore bullgare: “Jo nga çdo dru mund të bëhet fyelli dhe jo nga çdo njeri mund të presim mësuesin apo mësuesen”.
Të dish të komunikosh, të kesh përvetësuar njohuritë e duhura shkencore, të zotërosh anën pedagogjike, të krijosh frymë bashkëpunimi Brenda klasës, të përdoresh metoda të mësimdhënies të klasifikuara sipas veprimtarive të nxënësve (Harta e konceptit, Diagrama piramidale, (V. L. D), Brainstorming, (D. D. M), Insert, (V. L. M. D), (P. M. I), Kubimi, Pesëvargëshi…etj), të dish të plotësosh dokumentacionin shkollor, ta vlerësosh nxënësin si personalitet dhe t’i nxisësh ata drejt të nxënit. Të gjitha këto janë njohuritë përvetësuara gjatë viteve studentore.
Po në praktikë cila është “receta” që e bën të nxënin efektiv?
Për të zbuluar elementet e saj vëzhgoj mentoren dhe përpiqem të zbuloj detaje, veçori, strategji, të cilat më krijojnë mua imazhin e asaj për të cilën aspiroj të bëhem: Mësuese!
Nëse të nxënit do të konstatonte në informimin e nxënësve, kjo do të ishte gjëja më e thjeshtë. Mësuesja merr shumë vendime gjatë ditës mësimore duke nisur që nga vendosja e bankave, mjeteve didaktike, nga përcaktimi i kompetencave dhe i strategjive të shpjegimit, kryerjen e detyrave dhe njohurive, motivimin e nxënësve etj. Edhe kur nxënësit janë duke punuar në mënyrë të pavarur apo në grupe, përsëri janë të ndikuar nga vendimet që ka marrë mësuesja për ndarjen në grupe, për mënyrën e ndërtimit të pyetjeve, për përdorimin e organizuesve grafikë të ndryshëm.
Në këtë mënyrë nxënësit nuk janë thjesht pjesëmarrës pasive që presin të mbushën me njohuri. Në një situate dinamike mësimore ata janë të plotfuqishëm dhe ushtrojnë forcën e tyre në procesin mësimor.
Nga përvoja e këtyre muajve të praktikës vë re përdorimin e llojeve të ndryshme të organizuesve grafikë, të cilët mendoj që sigurojnë një nga rrugët më direkte për nxënësit, për të treguar dhe komunikuar modelet e të menduarit. Këto mjete e çojnë të menduarin përtej paraqitjes lineare të informacionit, e cila besoj se është një fasadë e cekët e të menduarit dhe të kuptuarit njerëzor. Në këtë mënyrë mësuesja dhe nxënësit ndërveprojnë me njëri-tjetrin duke krijuar modele vizuale të ideve të paraqitura në libër duke vendosur grafikun e duhur që i përshtatet pjesës së tekstit që lexohet. Ato bëjnë të dukshme idetë dhe procesin e të menduarit duke lehtësuar kështu të kuptuarit për atë që lexon.
Të mësosh të mendosh është thelbësore Brenda orës mësimore. Duke përdorur organizuesit e ndryshëm grafikë nxënësit ndërmarrin iniciativa në përvetësim dhe nxënë më shumë njohuri sesa kur ulen në këmbët e mësuesit dhe presin që të mësohen.
Raporti (mentor – praktikant):
Udhëheq kompetencat e vendosura për temën e caktuar, çfarë duhet që të mësojnë nxënësit tonë. Vetëm pasi të kemi realizuar këto procese ne mund të analizojmë ashtu siç duhet rrugën që do të ndjekim. Sigurohemi që strategjia jonë e të nxënit të harmonizohet me qëllimet tona për sa i përket orës mësimore. Kjo ndodh atëherë kur ekziston një bashkëpunimi dy anëve si i mentorëve ashtu dhe i praktikantëve. Të pasurit për krah një mësuese, udhëzuese, këshilluese, vëzhguese, një arsimtare me eksperiencën, me formimin e duhur shkencor dhe profesional, që më jep mua si praktikante një vizion të qartë dhe konkret nisur që nga mjedisi në të cilin ne vendosemi. Një mjedis shkollor Brenda të cilit vërtitën komponentë të ndryshëm: drejtori, ligjet, kolegët dhe nxënësit. Zbërthimi i këtyre komponentëve çdo ditë të praktikës të krijon një të nxënë dhe një përvojë efektive. Siguria që të përcjell mentorja gjatë ditës së procesit mësimor përbën një aspekt mjaft të rëndësishëm në personalitetin e praktikantes. Kur kjo siguri nuk ekziston, kur ka pesimizëm dhe skepticizëm nga të dyja palët atëherë rezultatet nuk cekin pritshmëritë e duhura drejt një të nxëni efektiv të nxënësve.
Mendoj dhe besoj se kjo praktikë është e domosdoshme për secilin student apo student që aspiron të jetë pjesë e arsimit që të “formatohet” me sigurinë dhe aftësitë e duhura profesionale. Praktika, njëra nga hallkat e zinxhirit të mësuesisë pason licencën e cila përmbushet me sukses me qenë se gjatë praktikës je në kontakt të drejtpërdrejtë me librat dhe dokumentacionin shkollor. Pas provimit të licencës kalojmë në portal së bashku me mesataret e diplomave përkatëse, me mbrojtjen e gjuhëve të huaja, me botime pjesëmarrëse në konferenca të ndryshme shkencore dhe me eksperiencat e caktuara profesionale.
Pas realizimit të të gjitha këtyre hallkave të domosdoshme, unë si mësuese e ardhshme kujt duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi: procesit të të menduarit të nxënësve apo teknikave të veçanta që përdoren në klasë?
Ndjekja fanatike e hapave të një teknike nuk siguron gjithsesi që nxënësit do të përfshihen në atë lloj të menduari që çon në të nxënit e thellë dhe logjik. Nxënësit mund të bien në rutinë e të “bëjnë si kur mësojnë”. Teknika jo gjithmonë mund të çojë në mënyrë magjike apo të sigurte drejt suksesit. Megjithëse strategjitë në klasë përshkruhen si hapa “të gjithë të rëndësishëm” ne duhet të jemi të vetëdijshëm për mënyrën e të menduarit që duhet të nxisim tek nxënësit. Kështu shmangim përfshirjen e tepërt në ndjekjen e formulës që do na bënte të shkëputeshim nga të nxënit që duhet të ndodhë në klasë. Në këtë aspekt nënvizojmë që nxënësit mësojnë më mire kur shndërrohen në lexues që përdorin metoda të caktuara gjatë të lexuarit. Ata kalojnë nga varësia në pavarësinë procesin e të nxënit.
Nxënësit kanë nevojë të zbulojnë se cilat teknika funksionojnë më mire për to dhe në ç’kushte t’i zbatojnë ato. Teknikat që orientojnë nxënësit në qartësimin e synimeve në atë proces, nënvlerësimin e situatës së të nxënit, në përzgjedhjen e veprimeve më efikase dhe në vlerësimin e suksesit të tyre, çon në individë që ndërgjegjësohen për shprehitë e tyre interpretuese, të aftë për të mësuar përtej viteve të shkollës gjatë gjithë jetës.
Së fundi, do shtoja: Kjo praktikë më shërben mua “jo t’ia vjedh idetë mentores time, sepse kjo do të ishte plagjiaturë, por edhe ato të nxënësve sepse atëherë do të ishte hulumtim 1-vjeçar profesional”.
(Valbona Molla, Praktikante pranë gjimnazit “Jordan Misja”, Shkodër; Portali Shkollor)
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Dritan Staro: Çfarë është një projekt shkollor?
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant