INTERVISTË

Provimi i Shtetit për Psikologët, Presidentja e UP Valbona Treska: Nuk do të ketë penalizime

Në shtator të këtij viti do të mbahet për herë të parë Provimi i Shtetit për Psikologët. Për të folur për të gjitha risitë e detajet e këtij provimi, ne kemi zhvilluar një intervistë me Presidenten e Urdhrit të Psikologut në Republikën e Shqipërisë, Valbona Treska.

Zj.Treska në radhë të parë ju falënderojmë për kohën që do të na ofroni nëpërmjet kësaj interviste. Tashmë është zyrtare se edhe psikologët do të zhvillojnë një provim shteti, pas shumë kohësh pritjeje! Ju vet keni njoftuar se provimi do të mbahet në muajin shtator të këtij viti. Po ku do të konsistojë dhënia e këtij provimi, pra pse edhe psikologët po testohen nga shteti? 


Më lejoni t’ju falënderoj juve dhe kolegët tuaj për interesin e shfaqur gjatë gjithë kësaj periudhe, në lidhje me zhvillimin për herë të parë të Provimit të Shtetit për Psikologët. Provimi i Shtetit është i parashikuar në Ligjin Nr.10171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, ku çdo profesionist pas përfundimit të Praktikës Profesionale, duhet t’i nënshtrohet Provimit të Shtetit, në mënyrë që të pajiset me licencë. Profesioni i psikologut është i përfshirë në kategorinë e profesioneve të rregulluara, ndaj për këtë arsye edhe psikologët do duhet t’i nënshtrohen këtij provimi. Kjo është një procedurë e ngjashme me profesionet e tjera të rregulluara në vend.  

Sikundër edhe Ju e prekët më sipër, ka qenë një pritje shumë e gjatë, pas një kalvari komunikimesh zyrtare të panumërta me Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, për të nisur procesin e organizimit për herë të parë të Provimit të Shtetit, ndaj për këtë arsye jemi të gjithë shumë të lumtur, që më në fund, puna ka nisur dhe shumë shpejtë do të kemi një datë publike për zhvillimin e tij.



Cili është roli juaj në këtë rast, pra i Urdhrit të Psikologut në Republikën e Shqipërisë?


Urdhri i Psikologut ka pasur një rol kyç jo vetëm në nxitjen e vazhdueshme që ka bërë ndaj Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, për nisjen sa më parë të organizimit të Provimit të Shtetit, por edhe në gjithë angazhimin institucional për të bërë të mundur nisjen sa më parë të procesit, duke qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë. Në bazë të legjislacionit, Urdhri i Psikologut është i vetmi institucion përgjegjës për licencimin e psikologëve. Për të vijuar me licencimin është parakusht zhvillimi i praktikës profesionale 1-vjeçare, vlerësimi i aftësimit praktik (provim pas përfundimit të praktikës profesionale) dhe më pas provimi i shtetit. Në këto kushte, është detyrë e Urdhrit të garantojë përmbylljen me sukses të të gjithë procesit të licencimit, ndonëse padyshim ky proces nuk mund të përmbyllet pa bashkëpunimin e autoritetit tonë kompetentë që është Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Arsimit. Kemi dërguar herë pas here pranë kësaj të fundit të gjithë informacionin e nevojshëm, kemi dërguar relacione për rregullimin dhe ngritjen e këtij procesi edhe nga ana ligjore, si dhe çdo gjë tjetër, për të ndihmuar dhe shtyrë sa më shumë në vendosjen e një date përfundimtare për zhvillimin e Provimit të Shtetit.



Kush do ta hartojë fondin e pyetjeve të këtij provimi?


Fondi i pyetje do të hartohet nga një grup prej 9 profesionistësh psikologë, pedagogë me eksperiencë në fushën e psikologjisë, të cilët u përzgjodhën nga ana e Qendrës së Shërbime Arsimore (institucioni i drejtpërdrejtë përgjegjës për zhvillimin e provimit), pranë Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, pasi plotësuan kriteret e vendosura nga ky institucion, për të qenë pjesë e grupit të punës, që do të merret me hartimin e programit dhe fondit të pyetjeve.

Është bërë kujdes në përzgjedhje, që të kishte një përfaqësi të gjerë pedagogësh nga universitetet publike dhe jo publike në vend nga departamente të çdo universiteti, që ofron studime në psikologji.  



A duhet që më parë një kandidat për psikolog pasi ka mbaruar studimet e larta të kryejë praktikën profesionale dhe më pas të japi provimin e licencës? Pra kush mund ta japi këtë provim? Mund të na rendisni disa kritere, nëse do të ketë? 


Po, të gjithë psikologët, të cilët kanë përfunduar dy ciklet e studimit në fushën e psikologjisë, regjistrohen në Urdhrin e Psikologut, bazuar në Ligjin Nr.40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë” dhe në mënyrë që të pajisen me Lejen Individuale të Ushtrimit të Profesionit (Licencën Profesionale), bazuar në Ligjin Nr.10171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, u duhet të kryejnë Praktikë Profesionale për 1 vit, pra duhet të marrin vlerësimin e aftësimit praktik dhe më pas duhet të japin Provimin e Shtetit. Përjashtim nga ky rregull, bën vetëm kategoria e psikologëve, të cilët kanë statusin e praktikantit, por që kanë ushtruar më parë profesionin në fushën e psikologjisë në periudhën kohore 24.05.2016-31.01.2018, kjo në sajë të Memorandumit të Bashkëpunimit që ne kemi firmosur me autoritetin tonë kompetent që është Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 31.01.2018. Komisioni i Praktikës pranë Urdhrit të Psikologut, shqyrton të gjithë dosjet e psikologëve, të cilët kanë eksperiencë të mëparshme pune në fushën e psikologjisë dhe në varësi të kohëzgjatjes, vendos për përjashtimin e plotë ose të pjesshëm nga detyrimi për të kryer Praktikën Profesionale. Kjo kategori pasi shmang praktikën profesionale dhe vlerësimin e aftësimit praktik, vijon menjëherë me realizimin e Provimit të Shtetit. 



Po deri më tani çfarë procedure është ndjekur për punësimin e psikologëve në shkolla, teksa nuk e kanë dhënë provimin e shtetit? A do t’i nënshtrohen edhe ata një provimi të tillë? 


Deri më tani Urdhri i Psikologut ka shpërndarë Licenca, për të gjithë ata psikologë, anëtarë të Urdhrit, të cilët kanë provuar pranë Komisionit të Licencimit, pranë Urdhrit të Psikologut, se kanë eksperiencë pune minimalisht 1 vjeçare në fushën e psikologjisë, përpara hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë, datë 24.05.2016. Kjo kategori psikologësh përjashtohet si nga kryerja e Praktikës Profesionale, ashtu edhe nga kryerja e Provimit të Shtetit, në saj të eksperiencës së mëparshme të provuar, bazuar në Ligjin Nr.10171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe pajiset menjëherë me Lejen Individuale për Ushtrimin e Profesionit, duke pasur të drejtë të ushtrojë profesionin. Ne besojmë se me zhvillimin e Provimit të Shtetit dhe pajisjen me licencë edhe të shumë psikologëve të tjerë, do të lehtësohet ndjeshëm edhe punësimi i psikologëve jo vetëm në shkolla, por edhe në institucione të tjera.

Gjithsesi, në kushtet kur ky provim ka 4 vjet që pritet të zhvillohet, ne kemi kërkuar nga Ministria e Arsimit, të mos penalizojë kategorinë e psikologëve, të cilët i kanë kryer të gjitha detyrimet e tjera ligjore pranë UP dhe janë në pritje vetëm të Provimit të Shtetit. Në punësimet e fundit të rreth 200 psikologëve në të gjithë Shqipërinë, MASR e mori në konsideratë këtë kërkesë tonën dhe nuk penalizoi këtë kategori psikologësh. E kemi thënë në çdo dalje tonën në media, në çdo tavolinë pune me grupet e interesit, apo institucionet, se nuk mund të penalizojmë e të lëmë pa punë më shumë se 400 psikologë, për shkak të vonesave dhe burokracive për provimin e parë të shtetit. Pavarësisht se provimi realizohet nga Ministria e Arsimit dhe QSHA dhe vonesat kanë ardhur nga institucionet, përgjegjësia morale bie mbi UP, ndaj nuk jemi ndalur së kërkuari të drejtat e kësaj kategorie. 



Të ndalemi pak te mënyra se si do të përgatiten kandidatët për psikologë që do të japin provimin. Tek cila literaturë do të bazohen ata? A keni ju tashmë diçka gati të hartuar për këtë pjesë? 


Grupi i hartuesve ka nisur punën për hartimin e pyetjeve. Do të jetë një fond me afërisht 1500 pyetje të hartuara, të cilat në pjesën dërrmuese të tyre i përkasin formimit bazë  të përgjithshëm, të ciklit Bachelor, ndërsa pjesa tjetër do të prekë sipas profileve të studimit në nivelin Master, 5 fusha kryesore: Psikologjinë e Shëndetit, Psikologjinë e Punës dhe Organizacionale, Psikologjinë Juridike, Psikologjinë e Edukimit dhe Psikologjinë Sociale dhe të Komunitetit. Pas përfundimit të fondit të pyetjeve, ato do të bëhen publike në faqen zyrtare të QSHA-së dhe psikologëve do t’u lihet një periudhë 2-3 mujore për t’u përgatitur përpara provimit. 



Si do të vlerësohen pjesëmarrësit? Kush do të quhet kalues ose jo kalues i këtij provimi? Ka rëndësi marrja e pikëve maksimale në provim dhe nëse po, pse?


Me informacionin që ne kemi, modeli i zhvillimit të Provimit të Shtetit për Psikologët, do të jetë i ngjashëm si me ato të provimeve për profesionistët e tjerë (mësuesit, stomatologët, infermierët etj), ku çdo pjesëmarrësi do i duhet të grumbullojë një numër të caktuar pikësh, në mënyrë që të kalojë me sukses këtë provim. Nuk është e domosdoshme marrja e pikëve maksimale nga ky provim. 



Po pasi ta japin këtë provim dhe të kenë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit si psikolog, ka ndonjë procedurë tjetër specifike që ata do të ndjekin për punësimin ose vetëpunësimin e tyre?


Pas përfundimit të Provimit të Shtetit me sukses, psikologët pajisen nga Urdhri i Psikologut me një Licencë për ushtrimin e profesionit me afat 5 vjeçar. Çdo psikolog, bazuar në Ligjin Nr.40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”, duke qenë anëtar i Urdhrit dhe duke qenë i pajisur me Lejen Individuale të Ushtrimit të Profesionit, mund të punojë si psikolog, pranë institucioneve publike dhe private, apo edhe të vetëpunësohen, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore të parashikuara për ushtrimin e aktivitetit.



Sigurisht deri në shtator ju do të bëni njoftimet e duhura, me detaje më konkrete për Provimin e Shtetit për Psikologët, por si fund ne donim të dinim se sa është deri më tani numri i të interesuarve për dhënien e këtij provimi dhe ku do të zhvillohet ai? 


Aktualisht mund t’ju themi se numri i anëtarëve tanë, të cilët janë në pritje për të zhvilluar këtë provim është afërsisht rreth 350 psikologë që pritet të shtohet në muajt në vijim. Pikërisht numri tepër i lartë i psikologëve në pritje për të zhvilluar provimin, ka qenë një ndër arsyet kryesore që na ka shtyrë më shumë, për të finalizuar me sukses sa më parë organizimin e këtij provimi. Provimi i Shtetit për psikologët do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA).


Faleminderit dhe suksese në misionin tuaj! 



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

7,096 Lexime
3 vjet më parë