LETËR PËR MËSUESEN

Referenca që ndryshoi jetën

Ndodh që nga një referencë të ndryshohet fati i jetës sonë. Mësuesja në fjalë, Tatiana Xhelaj, pasi emigroi nga Shqipëria, arriti që përmes kësaj letre të shkruar nga ish nxënësja e saj, të punësohej në një institucion arsimor në vendin ku emigroi...

(Ndodh që nga një referencë të ndryshohet fati i jetës sonë. Mësuesja në fjalë, Tatiana Xhelaj, pasi emigroi nga Shqipëria, arriti që përmes kësaj letre të shkruar nga ish nxënësja e saj, të punësohej në një institucion arsimor në vendin ku emigroi)

...


Ju nuk më njihni, por unë shpresoj të jem një ndihmë për mësuesen time. Emri im është N.G dhe tashmë jam maturante. Po e shkruaj këtë letër për mësuesen time, e cila nisi jo vetëm udhëtimin tim akademik, por edhe të shumë nxënësve të tjerë. Ajo ka qenë mësuesja ime e fillores nga Shtatori 2007 deri ne Qershor 2011. Që nga momenti që e njoha si personalisht dhe profesionalisht ndikoi në rritjen time dhe në formimin e personalitetit tim, që në atë moshë të vogël. Ajo çfarë jam unë sot si njeri dhe si nxënëse i ka bazat 12 vite më parë, kur nisa shkollën, në një klasë të vogël, të dekoruar bukur nga mësuesja ime, me zbukurime të cilat i përgatiste vetë pët t’i ngjitur nëpër mure. Unë nuk dua të dukem patetike, por ndjej se kur flas për të nuk mund të ndaj pasionin e saj të madh për punën, dashurinë e saj për nxënësit nga detyrimet si mësuese dhe profesioniste.


Duhet thënë se ambienti në të cilin ajo punonte nuk ishte shumë inkurajues. Unë jetoj në një vend në zhvillim, ku gjërat ndonjëherë nuk lëvizin në ritmin që duhet dhe ka raste kur motivimi për të bërë këtë apo atë mungon. Megjithatë, ju siguroj që mëueses sime nuk i ka interesuar asnëherë sesa të vështira apo jomotivuese mund të ishin situatat në të cilat do të gjendej. Ajo rrethohej gjithmonë nga qetësia e saj për të synuar më të mirën. 


Ajo nuk lejonte që rrethanat të ndikonin në qëllimet që ajo kishte për nxënësit e saj. Ajo punonte në orare të zgjatura, qëndronte me ne pas mësimit, për të na përgatitur për konkursin e matematikës. Dhe nga e gjithë kjo punë shtesë, ajo nuk përftonte asgjë (përveç krenarisë dhe gëzimit që studentët e saj renditeshin ndër më të mirët në rang republike). Ajo ishte aq e apasionuar, sepse ajo bënte një punë që e kishte përzemër, dhe një njeri që e do punën e tij, e ka suksesin të garantuar.


Edhe pse unë nuk mund ta falenderoj mjaftueshëm, në krahasim me të gijtha gjërat që më ka mësuar: Më mësoi rëndësinë e dëshirës dhe të ambicies. Ka edhe diçka tjetër, të cilën unë nuk do të arrij kurrë ta shlyej: Ajo na dha një familje e cila nuk do humbiste kurrë. Ajo me mësoi mua dhe nxënësve të tjerë (që tashmë janë miqtë e mi më të ngushtë) vlerën e bashkëpunimit dhe të shoqërisë. Djali i vogël i cili mbronte shoqet e tij, është bërë tashmë mashkulli, i cili nuk lejon motrën e tij të mërzitet apo të ndihet e vetmuar dhe vajzat e vogla që ndihmonin djemtë e klasës me detyrat e shtëpisë, janë bërë femra që kujdesen gjithmonë pë vëllezërit e tyre. Me fjalë të tjera, do e kemi gjithonë njëri tjetrin, sepse i kemi kaluar gjërat bashkë, nga mosha 6 vjeçare deri në atë 18 vjeçare. Dhe meritën për të gjithën e ka mësuesja jonë.


Si konkluzion, shpresoj t’ju kem qartësuar sadopak, dhe ju uroj suksese në misionin tuaj të nderuar! Jam gjithashtu shumë entuziaste dhe e emocionuar të njihni njeriun punëtor dhe të jashtëzakonshëm që kam përshkruar në letrën time.


(Nastasia Gorea, P.Shtini, Portali Shkollor)

7,761 Lexime
5 vjet më parë