Intervistë

Rektori i Mjekësisë: Ja cilat janë katër sfidat e mia

Prof.Dr. Arben Gjata, mjek kirurg, është zgjedhur rektori Universitetit të Mjekësisë me një rezultat të ngushtë në zgjedhjetuniversitare.

Prof.Dr. Arben Gjata, mjek kirurg, është zgjedhur rektori Universitetit të Mjekësisë me një rezultat të ngushtë në zgjedhjet universitare.

Është fjala për universitetin më të ri në vend, që ka marrë këtë status (më parë ishte Fakultet) pak kohë më parë.

DITA ka bërë një bisedë me z. Gjata për sfidat dhe të ardhmen e këtij universiteti.

Doktor Gjata, fillimisht urime për zgjedhjen tuaj si rektor në Universitetin e Mjekësisë. Si shkoi procesi zgjedhor?

Procesi mendoj se ishte etik dhe korrekt, nuk pati asnjë shqetësim të raportuar si gjatë fushatës, si gjatë votimit ashtu dhë gjatë numërimit e çertifikimit të zgjedhjeve pavarësisht se ishte një garë e fortë e shoqëruar nga një ngjarje akoma më e rëndësishme, si zgjedhjet për herë të parë për Rektor të Universitetit të Mjekësisë Tiranë.

Ka diçka që ju ngeli në mendje nga kjo garë që nuk e kishit parashikuar?

Mbështetja dhe entuziazmi i jashtëzakonshëm i specializantëve dhe studentëve, një shtysë më tepër morale dhe një besim i shtuar se Universiteti i Mjekësisë Tiranë është i gatshëm për t’u përballur me sfidat e të ardhmes.

Pse mendoni se fituat ju, cila ishte platforma juaj?

Është një pyetje që i duhet drejtuar atyre që kanë votuar; ajo që mund them unë është arsyeja që shpresoj se më kanë votuar: Integriteti im moral e profesional si dhe platforma ime e bazuar mbi risi konkrete, të realizueshme dhe të financueshme. Këto risi s’kanë të bëjnë me detyrime ligjore si: detyrimi për t’u akredituar, as objetivat që janë përtej mundësive konkrete që ka Rektori i Universitetit si: njohja ndërkombëtare e diplomave, por janë të bazuara mbi mundësi reale për të rritur konkurueshmërinë e këtij Universiteti dhe të Mjekësisë Shqiptare në raport me vendet e rajonit e më tej.

Sipas jush, cilat janë sfidat dhe problematikat me të cilat ky universitet përballet?

Sfidat me të cilat duhet të përballet ky universitet janë të pafundme por ajo që duhet të theksoj janë hapat konkrete që dua të ndërmarr për të tejkaluar disa barriera për zhvillimin e këtij universiteti.

Së pari vendosjen e meritokracisë të plotë në përzgjedhje për të gjitha nivelet e profesionistëve të shëndetit të sotëm dhe të së ardhmes. 

Së dyti, krijimin e një qendre e cila do të ketë për qëllim përthithjen e financimeve me synim rritjen e kapaciteteve të mjekëve përmes mbështetjes për përgatitjen e projekteve, atë ndaj kërkimit shkencor si dhe edukimit të vazhdueshëm.

Së treti forcimin e shprehive praktike të studentëve përmes rritjes së numrit së pedagogëve, në mënyrë që në leksionet praktike të rritet numri i tyre dhe përkujdesja ndaj studentëve. Objektiv ky i arritshëm përmes kthimit të asistent-pedagogëve nëpërmjet kontratave të punësimit një vjeçare, të përsëritshme në varësi të progresit shkencor dhe akademik, si dhe përfshirjen e specializantëve dhe studentëve të viteve më të lartë në këtë program. Po ashtu një tjetër levë që mendoj se duhet përdorur për rritjen e shprehive praktike janë programet e emulazhit, ku studentët mund të testojnë aftësitë e tyre praktike në manekinë përpara se t’i provojnë në pacientë.

Së katërti, përmes një programi të fokusuar në punësim synoj plotësimin e detyrimeve ligjore për rikthimin brenda një periudhe 2-vjeçare të Fakultetit të Farmacisë, si pjesë integrale dhe të domosdoshme të UMT-së.

Nëse do t’ju intervistojmë në fund të mandatit, me çfarë do krenoheni si rektor dhe cilat janë ato gjëra që do të bëni me doemos në këtë post?

Shpresoj se do të jem i lumtur nëse do t’i vë në jetë risitë e programit tim, por ajo që medoemos do të bëj është të kryej detyrën që më kanë caktuar pedagogët, specializantët dhe studentët me integritet moral duke kërkuar gjithpërfshirje dhe ofruar transparencë për vendime të cilat i përkasin të sotmes dhe së nesërmes.

(Erion Habilaj, Dita)

2,676 Lexime
8 vjet më parë