Reflektim

“Respekti nuk blihet me para, por është një normë që tregon emancipim” nga Evans Drishti

“S’është nevoja të tentosh të ndryshosh i vetëm një sistem, jeto në paqe me veten, kthjello vetveten, përpiqu të realizosh ëndrrat dhe kënaqësitë duke lëvizur sa më shumë brenda dhe jashtë hapësirës ku jeton. Atëherë do kuptosh se sa i plotësuar je”.

Ti udhëton për në kryeqendrën e Europës, në Vjenë. Është herë e parë për ty që bën një udhëtim të tillë, e natyrshëm pikëpyetje të ndryshme të lindin në mendjen tënde, të cilën deri më tani e ke menduar “të ngopur”, por ja që qenkësh gabuar, pasi diçka mëson sërish e sërish, që çdo rrugëtim i shkurtër apo i gjatë në kohë sjell patjetër edhe një rigjenerim fizik dhe ideor njëherazi. 


Teksa ngjet shkallët e avionit, i ngarkuar me këto pikëpyetje, të cilat për çastin mbartin një peshë domethënëse dhe jetëdhënëse, rastësia – ndoshta – ku i dihet – të çon të ulesh në një vend, ku pranë ke një atdhetare, banuese prej vitesh në atë kryeqendër. Gjëja e parë me të cilën përballesh mjaft këndshëm është “RESPEKTI” që shfaq si njeri, si atdhetare, si një intelektuale, si një qytetare shqiptare e europianuzuar tashmë prej vitesh, e mbi të gjitha me një çiltërsi dhe fisnikëri që i lexohej që në pikënisje të bashkëbisedimit. Të ofrohet menjëherë ndihmesa e volitshme, e cila padiskutim të vjen si “shpëtimtare” e zgjidhjes së një ngërçi, të cilin e ke menduar “të pazgjidhshëm”. Bashkudhëtarja, me plot respekt dhe dashamirësi ofron detaje të linjave të transportit si dhe informacione me shumë vlerë për vendin në fjalë. Respekti, çiltërsia dhe finesa që e karakterizojnë gjatë tërë bashkëbisedimit s’janë gjë tjetër veçse produkte të një mirëarsimimi dhe diapazoni të gjerë kulturor që bashkëatdhetarja kishte zotëruar gjatë rrugëtimit të saj jetësor…


Ti gjendesh në një mbrëmje magjepsëse në teatrin madhështor të Vjenës, ku shfaqet opera “L’elisir D’amore” nga Gaetano Donizetti, në Wiener Staatsoper. Mirëpritesh me plot respekt dhe dashamirësi nga të pranishmit, të cilët edhe ata, sikurse ti, janë në pritje të çeljes së dyerve madhështore mbretërore të këtij teatri gjigantes. Mikpritja dhe respekti vijojnë me çeljen e dyerve, ku nga njëra anë përballesh me një ambient aq magjepsës, përparimtar e elitar, e nga ana tjetër punonjësit e teatrit të mirëpresin me një veshje spikatëse vjeneziane si dhe me një mirësjellje dhe respekt që natyrshëm tregon nivelin e lartë kulturor të tyre, duke të ofruar orientimet e duhura për të vijuar drejt sallës qendrore. Çdo gjë e mirëideuar deri në detajin më të vogël për të të lënë në shoqërinë e një programi të paharrueshëm përjetësisht… 


Ndodhesh në njërin nga muzetë më të spikatur të Vjenës, në muzeun e botës natyrore, ku prezantohet bota magjike e nënujores dhe tokësores, mbi 5 milion specie që jo vetëm të magjepsin për paraqitjen dhe ndërtimin e tyre, por edhe të lënë pa fjalë për vlerat e larta që pasqyrojnë. Çdo gjë e kuruar deri në detaje. Diku në një hapësirë madhështore vë re një grumbull vogëlushësh të ulur në formë rrethi, të veshur me veshje marinarësh, teksa dëgjojnë me kujdes dhe plot respekt e vlerësim mësuesen e tyre që po u shpjegonte begatitë e nënujores dhe tokësores. Afrohesh më nga afër për ti parë me kërshëri; kënaqësitë e tyre, buzëqeshjet dhe çiltërsitë, respektin që shfaqnin ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj mësueses së tyre aq të përkushtuar dhe profesioniste që me plot ëmbëlsi vijonte t’u tregonte mrekullitë që shfaqte bota nënujore e tokësore. Sa fatlumë qenë ata vogëlushë që ushqeheshin me frymën e respektit dhe të edukimit në një vend të atillë dhe me njerëz plot vlera!…


Diku më tutje të tërheq vëmendjen një radhë e gjatë njerëzish, të cilët presin të hyjnë në një bar – restorant tradicional të kryeqendrës europiane. Megjithëse një radhë e stërzgjatur, të gjithë i sheh të buzëqeshur duke respektuar këtë “radhë”, gjë e cila për vendin dhe kohën mbarte një rëndësi të posaçme. Askënd s’shihje të shtyhej, të zihej, të shfaqte një fytyrë të ngrysur apo të nevrikosur. Të gjithë qëndronin në atë pritje të gjatë me plot dashamirësi dhe respekt ndaj vetes së tyre, ndaj të pranishmëve, e mbi të gjitha ndaj ambientin brenda të cilit prisnin me padurim të futeshin për të shijuar jo vetëm shijet mbresëlënëse të gatimeve tradicionale, por edhe kënaqësitë, komoditetet dhe respektin që ofronin punonjësit dhe kuratorët… 


Gjendesh në një tjetër hapësirë madhështore që ofron ndër shumë të tjera kryeqendra europiane, ku përveç ndërtesave madhështore të një arkitekture magjepsëse mbështillesh edhe nga parqe të pafundme që i dhurojnë njeriut të çdo lloj moshe një paqe dhe kthjelltësi të shumëdëshiruar. Vë re grupe njerëzish që argëtohen në prehrin e gëzofit të gjelbër që u ofrohet në respekt ndaj vetes dhe ndaj çdo gjëje që u vihet në shërbim, grupe njerëzish që bashkëbisedojnë jo në tone të larta shqetësuese, përkundrazi në qetësinë dhe maturinë injektuar nga hapësira dhe sistemi jetësor, sheh familjarë që përkujdesen me plot dashuri dhe respekte ndaj fëmijëve të tyre, qofshin ato të moshave të vogla apo edhe të rritur, që i ledhatojnë me plot kënaqësi dhe mirësi, që gëzojnë me ta, lodrojnë me ta, argëtohen me ta, vrapojnë me ta, e që bashkarish shijojnë jo vetëm ajrin e pastër por dhe çdo shije dhe ëmbëlsi që u ofrohet dhe u shërbehet… 

 


Të vjen ndër mend një shprehje e urtë popullore “Më mirë një i shëtitur se një i ditur”, pasi ç’mund ta duash “dijen” kur nuk e vë në shërbim? Sa më shumë që njeriu gjen hapësirë dhe mundësi lëvizjeje përtej ambientin që e rrethon, natyrshëm kupton një tjetër dimension dhe për rrjedhojë ushqehet me një tjetër vizion mbresëlënës. 


S’ka dhe s’mund të ketë ushqim më paqësor dhe më efikas për njeriun në jetë se “respekti” ndaj vetes së pari, e më pas edhe ndaj njerëzve që e rrethojnë. 


Këtë respekt s’mund ta blesh me para, sado i pasur qofsh, s’mund ta huazosh prej dikujt, s’mund ta kërkosh të fshehur diku në një qoshe, përkundrazi mbetet përjetë njerëzore që injektohet që në ngjizjen e qenies njeri duke u trashëguar gjenetikisht. Prandaj janë të domosdoshme lëvizjet përtej hapësirës ku jeton, që të kuptosh se “normat”, “rregullat”, “parimet” përbëjnë shtyllën kurrizore të emancipimit njerëzor. 


Një gjë e tillë arrihet vetëm nëpërmjet një “edukimi” i shoqëruar patjetër me “socializim”.


S’është nevoja të tentosh të ndryshosh i vetëm një sistem, jeto në paqe me veten, kthjello vetveten, përpiqu të realizosh ëndrrat dhe kënaqësitë duke lëvizur sa më shumë brenda dhe jashtë hapësirës ku jeton. Atëherë do kuptosh se sa i plotësuar je. 




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

698 Lexime
5 muaj më parë