Shënim mbi romanin "Martesa e palumtur e Stanishit" nga Anxhela Pashaj, anëtare e Klubit të Leximit Albas
"Martesa e palumtur e Stanishit" i Dashnor Kokonozit është një roman historik ku dashuria, mashtrimi dhe tragjedia ndërthuren fuqishëm. Udhëtimi i Valerias nga Venediku në Shkodër zbërthen një të vërtetë që shemb ëndrrat, ndërsa lufta dhe morali i personazheve marrin përmasa epike.
Shënim nga Anxhela Pashaj, anëtare e Klubit të Leximit Albas
"Martesa e palumtur e Stanishit" është një roman historiko - letrar nga autori Dashnor Kokonozi në të cilin rrëfehet mbi martesën e dy të rinjve, pinjollë familjesh të nderuara mesjetare në kohë lufte. Kjo martesë e palumtur kërkohet (propozohet) fillimisht prej Stanishit, i cili dashurohet me shikim të parë me portretin e Valerias. Bukuria dhe dëlirësia e saj e kapur mjeshtërisht prej piktorit, Xhentil Belini, e mahnit dhe robëron zemrën e Stanishit. I bindur se ajo është dashuria e tij dërgon fjalë për të kërkuar dorën e saj për martesë. Një martesë, e cila mbrujtet prej dashurisë a ndoshta edhe marrëzisë së zemrës së burrit, u pa në Venedik dhe Zetë prej Sinjorisë vendase dhe palës Arbënore si një marrëveshje, traktat mes dy vendeve përmes së cilës do të forcoheshin, do të mbanin në kontroll njëri-tjetrin dhe do të mbroheshin prej sulmeve osmane që aso kohe ishin në kulmin e tyre.
Heroina e romanit, Valeria, e rritur në Venedik dakortësohet për martesën e propozuar edhe pse fillimisht i duket qesharake që një burrë është dashuruar me të vetëm përmes portretit. Bota e Valerias në Venedik përshkruhet me ngjyra të qeta, të ngrohta, të ëmbla ku mbizotëron paqja, dashuria, drita dhe ajo atje mes tyre një engjëll që rrezaton shpresë. Qysh me dakortësimin për martesë dhe nisjen e udhëtimit të saj drejt Shkodrës kjo botë e saj merr ngjyresa të tjera, shtohet e panjohura, pasiguria, ankthi, melankolia, dhimbja, vuajtja në mënyrë të njëpasnjëshme.
Takimi i saj i parë me Stanishin e lë në mëdyshje, jo vetëm atë, por edhe lexuesin. Stanishi është krejt i ftohtë karshi Valerias. Këtë ftohtësi, merr përsipër Valeria ta zhduk, duke u treguar tepër e afërt me Stanishin, fizikisht dhe emocionalisht. Një guxim jo i zakonshëm për një vajzë që i ishte kufizuar njohja për gjininë e kundërt, por edhe për kohën kur zhvillohet ngjarja. Ftohtësia e Stanishit ngre pyetje në kokën e Valerias, të cilat pa ngurim ia bën burrit që i është paraqitur si bashkëshorti i saj i ardhshëm.
Stanish, a i puthni gratë nga anët tuaja? - e pyeti shumë sinqerisht.
Atij i iku siguria që kishte fituar.
Një pjesë e mirë e ngjarjeve ndodhin në anije, gjatë udhëtim drejt Shkodrës. Valeria dhe Stanishi i shprehin dashurinë njëri-tjetrit dhe njihen me çdo gjë rreth tyre. Nga ana tjetër narratori i tregon lexuesit se gjërat janë shumë ndryshe dhe se po në atë anije kanë nisur fatkeqësitë e martesës së Stanishit. Na tregon përmes të atit të Stanishit, Gjon Cërnojeviçit se Stanishi nuk ka qenë në Venedik dhe nuk është as në anije. Ai është në Shkodër, pasi i ka rënë një sëmundje e rëndë. Stanishi me të cilin Valeria dashurohet në anije nuk është i biri i tij, por Gjura Banovinë, një nga djemtë e familjes së Banovinëve me të cilën Cërnojeviçët kishin miqësi. Gjon Cërnojeviçi ngathtasi rreket t’i prijë fatkeqësisë, t’i japë ndonjë shenjë Gjurës se po shkel vëllazërinë, por nuk merr guximin t’i tregojë Valerias se burri në krah të saj nuk është Stanishi. Sipas asaj që na kallëzon narratori ai shqetësohet më shumë për pushtetin mbi Shkodrën dhe mundësinë e mbartjes së një bastardi Banovinë te Valeria se sa për ndjenjat e tre të rinjve.
E tatëpjeta vazhdon kur Gjon Cërnojeviçi urdhëron rojën e tij besnike, Rashkon, të gjymtojë Gjurën dhe ta vrasë atë, pasi zbulon se mes tij dhe Valerias ka patur marrëdhënie intime. Gjura zhduket nga anija, nuses së re i arsyetohen me ca zakone të çuditshme për mungesën e tij dhe mbërrihet në Shkodër.
Nuk po e lëmë pa e sjellë në vëmendje edhe personazhin e Gjurës, i cili rrethohet nga një fshehtësi dhe thuajse fare nuk na jepet fytyra e tij. Duket si një hije e zbehtë. Fillimisht ka ngurim nga ana e tij për t’i rrëfyer Valerias të vërtetën, më pas fshin çdo gjë dhe e siguron veten se sido që të jetë puna ajo tashmë është e dashuruar me të dhe emri i tij nuk përbën rëndësi. Valeria bëhet e dëshirueshme për të dhe ai harron vëllazërinë e tij me Stanishin. Instinkti i tij mashkullor mbyt te ai çdo normë morale duke e bërë atë po aq fajtor sa Gjon Cërnojeviçin dhe gjithë të tjerët që janë në dijeni.
Është për t’u shënuar se narratori vazhdimisht i paraprin zbulimit të madh se Stanishi i anijes nuk është Stanish Cërnojeviçi. Ai i tregon lexuesit hollësi për mënyrën se si ai sillet me Valerian, me Gjonin, të atin dhe disa herë kallëzohet thjesht si një burrë duke mos u përmendur emri i Stanishit.
Mbërritja në Shkodër ndryshon gjithë ngjyrat e rrëfimit, paqja dhe drita që shoqëronte Valerian në Venedik mbytet nga retë dhe gjëmimet e luftës, drita erret në çast, ëndrra bëhet makth, gënjeshtra e madhe zbulohet, jeta e Valerias merr të tatëpjetën.
Njoftohet se Stanishi e pret në kishë dhe kur mbërrin aty ashtu pa kuptuar asgjë sheh veç një kalorës të zi që s’i duket fytyra, i cili i tregon se është Stanishi, martohet me të para Zotit dhe përfundon në kështjellën legjendare të Rozafës, e rrethuar nga ushtria osmane. Rrëfimi ndryshon rrënjësisht (në fillim lirik) duke marrë ngjyrim epik. Dashuria kalon në rend të dytë, historia, lufta zë qendrën.
Çfarë narratori rrëfen se ndodh brenda mureve të kështjellës është një remishencë e fortë e teksit të kronikanit, Marin Barleti në “Rrethimi i Shkodrës”. Të njëjtat britma, e njëjta ushtri që sokëllin poshtë mureve të kështjellës, të njëjtat heshta e shtiza që fluturojnë mbi oborrin e saj, të njëjtat vërtitje të shpatave në ajër. Edhe këtu kronikani është një fytyrë që lexuesi e njeh, paraqitet me emrin Marin Bardheci e nuk bën gjë tjetër veç dëshmon e shënon.
Në këtë linjë të epikës vlen të shënohet dhënia e vdekjes së frat Bartolomeos. Atje në muret e kështjellës ai sokëllin me shpat në dorë “Shenjt i shenjtë, fali këta barbarë se nuk e dinë ku kanë ardhur!” njëjtë si Krishti në kryq “At, fali ata, se nuk dinë çfarë bëjnë’’. Thirrja e frat Bartolomeos vazhdon të jehojë edhe pasi koka e tij shkëputet nga trupi. Ndarja e kokës së tij nga trupi është brutale, e më brutale është fakti se në kohë lufte nuk gjendet momenti për të lëvduar askënd, as atë, frat Bartolomeon e Epirit.
Mëshira e frat Bartolomeut kur ai thotë “Shenjt i shenjtë, fali këta barbarë se nuk e dinë ku kanë ardhur!” nuk është i vetmi rast që narratori objektiv i jep lexuesit. Ky narrator objektiv tregon se edhe njeriu musliman (osmanët) ndjen njëjtë si njeriu kristian. Në radhët e osmanëve ka burra që përulen, që vuajnë dhe dashurojnë si çdo krijesë tjetër. Adhurimi i tyre për Të Lartin është i njëjtë si ai i kristianëve me dallimin se ata falen, e këta luten. Në takimin e Xhentil Belinit me sulltanin Mehmeti i Dytë ka kaq shumë qetësi dhe paqe sa mund të tronditë zemrën e gjithkujt. Njeriu më i frikshëm i kohës ishte veç një burrë që kërkonte lumturinë si gjithë njerëzit e tjerë të asaj kohe e të të gjitha kohërave. Njeriu që kërcënonte perëndimin dhe krishtërimin në këtë roman zhvishet nga hiperbolizimi dhe magnifikimi duke u bërë njerëzor.
Linja tjetër është ajo e Stanishit (Valerias dhe Gjurës), i cili si një bajloz i zi zbret nga malet, martohet dhe zbulon tradhtinë e mikut të tij. Kafshatë e rëndë kjo për t’u përtypur prej burrit. Hijezimi i Stanishit nuk nis me zbulimin e tradhtisë, ajo nis me sëmundjen fatale që i shpërfytyroi dukjen, fytyrën dhe më pas qe tradhtia dhe refuzimi i Valerias që i errëson gjykimin dhe ndjenjat. Ai është në duel me veten dhe me Gjurën. Zemërimi i tij sikurse ai i Akil Pelidit i kushton Shkodrës dhe Zetës së tij lirinë. Arbërit (Banovinët dhe Cërnojeviçët) bëhen një grusht jo për të luftuar osmanët që janë rreshtuar poshtë mureve të kështjellës, por për të luftuar njëri-tjetrin deri në zhdukje. Rishfaqja e Gjurës befason lexuesin, por edhe rrit konfliktin. Me të dy Stanishët gjallë, çfarë e pret Valerian? Cili nga Stanishët do të respektojë vullnetin e saj?
Valeria prej shumë kohësh në kështjellën e rrethuar të Shkodrës nuk ka ndryshuar botë perceptimin e saj, veç veshjen, ajo përsëri ndihet e rrënuar, e mashtruar nga të dy Stanishët. Tjetërsimi i saj në një Valerie të çmendur që vërtitet natën nëpër bedenat e kështjellës është rrëngjethës dhe i pakthyeshëm. Në mishmashin ku gjenden të tre, e qartë është që të gjithë janë të përçudnuar shpirtërisht. Një përçudnim që prek vlerat e tyre morale dhe atdhetare. Stanishi humbet atdheun dhe martesën e tij. Etja për gjak e largon nga ideali, po ashtu e largon përjetësisht nga Valeria.
Fundi është domosdo tragjik. Valeria zgjedh të vdesë. Ajo nuk pranon të dalë jashtë manastirit pa përfunduar lutjen e saj. E ata të dy, Gjura dhe Stanishi mbeten përherë armiq, atëherë dhe tani. Tragjedia e tyre është e vjetër, vjen nga mesjeta, por prej asaj shumë nga ne nuk janë shkëputur. Disa norma të shqiptarit mesjetar kanë gjetur udhën nëpër shekuj deri në ditët e sotme duke e bërë të vuajë. Fajtor nuk është asesi dashuria, fajtor janë ata që përbuzin dashurinë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
"Rëndësia e ripërkthimit të klasikëve" - Aktiviteti i Albas për 25-vjetorin me përkthyes dhe studiues
Ceremonia e çmimeve “Andersen”, “Albas” dhe përkthyesi Klodian Briçi sjellin në Shqipëri çmimin e madh